Gëzuar ditëlindjen!
Kjo seri e limituar feston 130 vjetorin e lindjes së makinës së parë Mercedes
Çfarë është më mirë se sa një cabriolet tepër të fuqishme për të festuar një përvjetor kaq të rëndësishëm? Ndoshta asgjë, ndaj dhe Mercedes ka vendosur të festojë 130 vjetorin (që nga koha kur dy themeluesit e saj, Karl Benz dhe Gottlieb Daimler, shpikën automobilin e parë, i cili nuk kishte tavan), me një version special të modelit S 63 AMG Cabriolet, të quajtur pikërisht Edition 130. Modeli i ri ndryshon nga motrat e tjera nga ngjyra ekskluzive Alubeam Silver, nga kapota prej pëlhure dhe veshja e brendshme me të njëjtën ngjyrë të kuqe Bordeaux, si dhe nga disqet e zinj prej 20″ me dizajn me 10 rreze. Për sa i përket veshjes së kabinës, është përdorur lëkurë e çmuar Nappa, për të cilën ofrohen disa kombinime ngjyrash. Ekzemplarët e kësaj serie të limituar janë pikërisht 130 dhe janë të karakterizuar nga një pllakë në qendër të kroskotit dhe një serigrafi në pjesën e poshtme të timonit.
Por S 63 AMG Edition 130 dallohet edhe nga pincat e frenave ngjyrë të kuqe me logon AMG në kontrast, që kapin shtrëngojnë frenat karbo-qeramike, ndërsa çdo klienti i jepet edhe një mbulesë makine e personalizuar me numrin e saj serial. Kjo nuk është e gjitha: dhurohet gjithashtu një mbajtëse çelësash e personalizuar dhe një kuti alumini ku mund të mbahet çelësi. Dalja në treg është planifikuar për muajin Prill, me një çmim indikativ prej 226.457 eurosh. Nën kofano, nuk ka ndonjë të re të veçantë. Shtytja nga 0 në 100 km/h për 3,9 sekonda realizohet falë motorit bi-turbo 5.5 litra V8 me 585 kf dhe 900 Nm, i cili ndihmohet nga traksioni integral dhe kambio automatike 9G-Tronic.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.