Eduart GJOKUTAJ
Administratës tatimore i mbetet shumë punë për të ardhmen që të qartësojë mangësitë në politikën tatimore. Reformat fiskale të ndërmarra deri më sot kanë arritur të përmbushin me mundime arritjen e stabilitetit buxhetor deri dy vite më parë. Sfida e zhvillimit të vendit, që përkon me sfidën për arritjen e standardeve administrative dhe fiskale të Bashkimit Europian e ka pjesë të administrimit ruajtjen e stabilitetit, por duke e trajtuar si një produkt të prejardhur nga rritja e cilësisë së shërbimeve dhe jo e kundërta. Në këtë optikë të politikëbërjes, reforma e administrimit fiskal është pjesë e sistemit që pritet të ndërtohet mbi një model të ri të prezantuar në vija të përgjithshme nga mazhoranca e re.
Në analogji me ne, politikat fiskale në vendet e fqinjëve kanë avancuar më tej. Politika fiskale në këto vende është duke evoluar drejt modelit të ri të taksimit, i cili harmonizon tatimet mbi konsumin me një bazë të gjerë tatimpaguesish (TVSH/taksë shitje me disa shkallë tatimore), me shkallët tatimore progresive mbi vlerën e punës të përshtatura me tatimin në shkallë tatimore të sheshtë mbi vlerën e kapitalit. Kjo politikë ka gjetur logjikë mbështetëse në këto vende. Nga njëra anë, modeli përshtatet në raport me përfshirjen e ekonomisë vendase në ekonominë globale dhe zhvillimet e tregjeve financiare dhe nga ana tjetër, merr në konsideratë pamundësinë e administratorëve tatimorë të zhvillohen në të njëjtin nivel me këto zhvillime.
Përvoja e vendeve që kanë arritur standarde të larta administrimi na tregon, se modeli duhet të ndërtohet duke kopjuar praktikat e administrimit të vendeve që kanë histori suksesi. Veçanërisht të përshtaten modelet organizative të kompanive private të suksesshme. Kompani të tilla, tashmë janë legjenda në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani, Kinë, Japoni. Ato e kanë bazuar historinë e suksesit mbi të gjitha në ndërtimin e kolonave të administrimit (qeverisjes) të brendshëm. Administrimi tatimor duhet të ndjekë “projektet” e gatshme duke filluar me (1) ndërtimin e sistemeve vetëvlerësuese (2) nxitjen e zbatimit të detyrave dhe obligimeve pa kundërshtime nga tatimpaguesit (3) futjen e menaxhimit sipas riskut të vlerësuar për administrimin (4) promovimin e vlerave të thjeshta të barazisë dhe ndershmërisë (5) specializimin me qëllim përsosjen e aftësive (6) kryerjen e shërbimeve sipas segmentimit të tatimpaguesve, që u përgjigjet nevojave të niveleve të ndryshme sipas kategorive të klientëve.
Ndikimi i ofertës politike te të ardhurat e buxhetit. Pse, sa?
Ashtu si e përshkruan edhe Kautilya (filozof indian) “Ne duhet t’i mbledhim taksat pa e mërzitur tatimpaguesin. Njësoj si lulja, e cila nuk ‘bezdiset’ (dëmtohet) nga bleta kur i thith nektarin, po ashtu edhe ne nuk duhet ta shqetësojmë tatimpaguesin kur i mbledhim taksat”.
Propozimet politike fiskale vërehen se synojnë realizim të ardhurash neutrale. Por, çdo ndryshim i shkallës tatimore ka një efekt të dukshëm edhe në shpërndarjen e të ardhurave sipas klasave shoqërore. Në këtë kuadër edhe ndryshimet e shkallëve si më lart kanë efekte të ndryshme në shpërndarjen e të ardhurave në familjet shqiptare. Kur futen ligje të reja në zbatim duhet të komunikohet më përpara nga ofertuesi politik fatura buxhetore dhe sociale.
Oferta politike për ulje (heqje) të shkallëve tatimore u prezantua në “tregun” politik duke synuar zgjerimin e bazës tatimore (rritjen e regjistrimeve dhe ngushtim informaliteti), por edhe duke tentuar të bëjë një politikë sociale direkte të prekshme për segmente të individëve të vetëpunësuar apo me punëmarrës familjarë. Një politike e tillë, sadopak jep një ndihmë në luftën ndaj evazionit dhe “çlirimin” e territoreve nga informaliteti. Llogaritet se efekti i gjithë premtimeve të mazhornacës së re për ulje dhe heqje shkallësh tatimore do të kushtojë për buxhetin e vitit 2014 në një shumë afro 100 milionë dollarë. Në këtë kuadër përfshihen si tatimet që lidhen me biznesin me një xhiro vjetore nën 5 milionë lekë (2.5 miliardë lekë), po ashtu edhe me Tatimin e Vlerës së Shtuar për industrinë e tregtimit të barnave dhe shërbimeve shëndetësore (2.5 miliardë lekë), të uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të energjisë për familjarët (3 miliardë lekë), të përgjysmimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të ushqimeve bazike (1.1 miliardë lekë), akciza që lidhet me sektorin agroblegtoral (1.2 miliardë lekë), si dhe efekte që vijnë nga përjashtime të kufizuara në import (300 milionë lekë). Në këtë llogaritje nuk përfshihet efekti nga heqja e referencave doganore ndaj faturave të importit.
Ulja apo dhe heqja e shkallëve tatimore duhet të ketë parasysh dhe ambientin ekonomik mbi të cilin gjen zbatim sistemi fiskal aktual. Kështu, në këtë ambient ka segmente dhe grupe të ndryshme tatimpaguesish që përfitojnë ose mbajnë një barrë më të lartë në raport me njëri-tjetrin. Kjo pabarazi brenda të njëjtit tatim është krijuar nga ndërthurja e politikës fiskale me politikën për zhvillimin ekonomik, nga ndërhyrje të caktuara klienteliste të grupimeve politike, si dhe ndërhyrjet e vetë grupimeve të fuqishme të biznesit dhe financave. Si reflektim, në kuadër të miratimit të ligjit të ri të TVSH-së konsiderata e sipërmarrësve dhe politikëbërësve duhet të përfshijë, si ato biznese që janë baza e TVSH-së, po ashtu dhe pjesa e bizneseve që janë të përjashtuar nga TVSH-ja dhe konkretisht adresimi është për sektorin agrar dhe shërbimet financiare, por pa harruar përjashtimet e shërbimeve, të sektorit të edukimit, të sektorit mediatik, si dhe përjashtime të ndryshme lidhur me skema të veçanta administrimi.
Megjithatë, reforma fiskale dhe modeli i ri mundet që të kalojnë gjithë vështirësitë. Për të kapërcyer këto vështirësi mendoj se, politika dhe administrimi duhet të orientohen te:
– shpërndarja e barrës së taksave në mënyrë të drejtë, sidomos duke balancuar tatimet direkte dhe indirekte;
– analiza e formave të ndryshme të ekonomisë informale (d.m.th. veprimtaritë ekonomike të paregjistruara) dhe të mbështeten të vetëpunësuarit dhe bizneset e vogla;
– stabilizimi i kuadrit ligjor dhe përmirësimi i transparencës së sistemeve të taksave;
– rritja e aftësive dhe kapaciteteve të administratave në mbledhjen e taksave dhe të raportimit të kostove.
Sfida e sistemit tatimor në Shqipëri për të ardhmen mbetet krijimi i administratës fiskale efikase, duke zbatuar norma administrative moderne.
Ulja apo dhe heqja e shkallëve tatimore duhet të ketë parasysh dhe ambientin ekonomik mbi të cilin gjen zbatim sistemi fiskal aktual
Efekti sipas zërave nga ulja e taksave
Llogaritet se efekti i gjithë premtimeve të mazhornacës së re për ulje dhe heqje shkallësh tatimore do të kushtojë për buxhetin e vitit 2014 në një shumë afro 100 milionë dollarë.
Në këtë kuadër përfshihen si tatimet që lidhen me biznesin me një xhiro vjetore nën 5 milionë lekë (2.5 miliardë lekë),
po ashtu edhe me Tatimin e Vlerës së Shtuar për industrinë e tregtimit të barnave dhe shërbimeve shëndetësore (2.5 miliardë lekë)
– të uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të energjisë për familjarët (3 miliardë lekë),
– të përgjysmimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të ushqimeve bazike (1.1 miliardë lekë)
– akciza që lidhet me sektorin agroblegtoral (1.2 miliardë lekë), si dhe efekte që vijnë nga përjashtime të kufizuara në import (300 milionë lekë)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.