Duke u ankuar se kanë punuar pa pagesë për muaj vitin e kaluar, punonjësit e shoqërisë bujqësore serbe “Agroziv” organizuan një grevë të shkurtër në janar. Pse duhet të punojnë pa para, thanë ata. Kompania, një prodhues pularie në veri të vendit, kishte mungesë cash-i dhe kërkoi më shumë kohë për të paguar rrogat, sipas punëtorëve shkruan “Reuters”.
Administrata na tha: “Ju lutemi të jeni të durueshëm edhe për dy javë”, – deklaroi Vesna Srdiç , një punëtor paketimi në firmë. “Kemi pritur dhe asgjë nuk ndodhi. Disa punëtorë mbetën aq ‘trokë’ saqë u detyruan të blinin bukë me kredi nga furrat lokale. Por pas disa muajsh edhe furrat refuzuan t’i jepnin bukë pa asgjë në këmbim”.
“Paga ime është 29,000 dinarë (343 dollarë) në muaj dhe unë nuk kam marrë asnjë dyshkë që nga janari. Po mbytem në borxhe”, – tha muajin e kaluar 52-vjeç arja Milica Milkoviç . Nënë e dy fëmijëve, veshur me një T-shirt të kuq tundte një flamur që lexonte: “Ne kërkojmë përgjigje”. “Agroziv” nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Skena të tilla janë çuditërisht të zakonshme në Ballkan, ku pagat shpesh janë llogaritë e para që kompanitë “ngrinë” në kohë të vështira. “Vakuumi” ligjor, gjykatat joefikase dhe mbikëqyrja e dobët financiare u mundësojnë firmave problematike të shmangin pagesën e rrogave, ndonjëherë për muaj me radhë.
Duke qenë se është vështirë të gjesh punë, mijëra punëtorë në vendet që lindën nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë në vitet 1990 punojnë rregullisht pa para – me shpresën se do të vijë një moment që punëdhënësit do t’i paguajnë. Fenomeni në disa vende sa vjen e rritet dhe po ndikon për trazira sociale në rajon. Në fillim të këtij viti protestuesit në Bosnjë dogjën disa ndërtesa qeveritare në të gjithë vendin.
Protestat në Kroaci dhe Serbi gjithashtu janë kthyer në ngjarje të zakonshme, edhe pse jo të dhunshme.
Mungesë kapitali
Shumica e ish-republikave jugosllave, duke përfshirë edhe anëtarët e Bashkimit Europian, Slloveninë dhe Kroacinë, duhet ende të kapërcejnë problemet e lindura nga praktikat e biznesit që ata trashëguan në vitet 1990.
Në Jugosllavinë socialiste, shteti kishte në pronësi të gjitha kompanitë e mesme dhe të mëdha dhe pagat kontrolloheshin nëpërmjet një sistemi qendror të pagesave. Me kolapsin e federatës, kompani të reja dhe të sapoprivatizuara u përpoqën të zgjerohen pa shumë kapital në dispozicion.
Në mungesë të cash-it, disa filluan të vonojnë pagesat ndaj furnizuesve, zyrave të tatimeve dhe punëtorëve. Firmat dhe institucionet shtetërore filluan të bëjnë të njëjtën gjë, duke shfrytëzuar mungesën e mbikëqyrjes financiare për të zbatuar detyrimet e tyre.
Në Kroaci, autoritetet aktualisht po përpiqen të sigurojnë më shumë disiplinë financiare. Ministri i Financave, Boris Lalovac, në një konferencë të mbajtur në prill, tha se punëdhënësit nuk po paguanin kontributet e detyrueshme shëndetësore dhe të pensioneve për më shumë se 200,000 punëtorë mes 4.4 milionë banorëve të vendit.
Kreshimir Sever, një udhëheqës sindikate në Kroaci, vlerëson se rreth 70,000 punëtorë në Kroaci po përballen me vonesat në paga. “Në shumicën e rasteve, punëtorët presin shumë gjatë përpara se firma në të cilën punojnë të shpallë falimentin, duke supozuar se ata janë më mirë të kenë një punë çfarëdo dhe pa pagesë në vend se të humbin çdo gjë”, – tha Sever. “Në kohën kur aktivet e kompanisë shkrihen dhe fillon procesi i falimentimit, ata (punëtorët) në fund nuk përfitojnë realisht asgjë”.
Situata është e ngjashme në Serbi, vendi më i populluar që doli nga Jugosllavia me 7.2 milionë banorë. Ranka Saviç i Shoqatës së Sindikatave të Lira dhe të Pavarura të Serbisë, ka thënë se të paktën 70,000 punëtorë nuk kanë marrë pagat për gjashtë muaj ose më shumë.
Vendi, i cili këtë vit ka filluar bisedimet për bashkimin me BE-në, ende ka 153 kompani shtetërore, të cilat mbahen pjesërisht në “jetë” nga subvencionet vjetore me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë.
Në Slloveni, e cila u bashkua me BE-në në vitin 2004 dhe Eurozonë në vitin 2007, punëtorët nuk kanë pasur rritje rroge në mënyrë të vazhdueshme gjatë pesë viteve të fundit. Ka pasur 3,601 raste vonesash, pagesa të pjesshme ose mospagesa në vitin 2013, më shumë se 843 në vitin 2008, sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës të siguruara për “Reuters” në qershor nga sindikata ZSSS.
Gjendja e shumicës së punonjësve të papaguar kalon pa i kushtuar rëndësi deri sa ata detyrohen të futen në grevë. Punëtorët ende preferojnë të vijojnë punën, pavarësisht se nuk janë paguar, në vend se ta humbasin atë, tha profesori i sociologjisë në Beograd, Zoran Stojiljkoviç. “Një tipar i përbashkët për të gjithë Ballkanin Perëndimor është kapaciteti i njerëzve për të toleruar shumëçka për një kohë të gjatë. Kufiri i durimit ‘thyhet’ vetëm kur njerëzit nuk janë më në gjendje të paguajnë faturat”, – tha ai.
Problemi nuk kufizohet vetëm në vendet më të vogla të rajonit. Në Bullgari, një komb prej 7.3 milionë banorësh, që u bashkua me BE-në në 2007 dhe ka një ekonomi prej 50 miliardë dollarësh, bizneset në fund të majit kishin 77.2 milionë leva (53.9 milionë dollarë) rroga të vonuara, tha për “Reuters” Ministria e Punës.
Sindikatat e kundërshtojnë këtë shifër, duke thënë se shuma reale është më e lartë.
Institucione të dobëta
Një nga problemet kryesore në Ballkan është se punëtorët kanë pak avantazhe gjatë negociatave. Papunësia në Kroaci arriti nivelin më të lartë në 12 vjet gjatë muajit mars, me 380,000 njerëz në moshë pune, pa punë dhe një normë papunësie prej rreth 23%. Që atëherë ajo ka rënë nën 20%, pjesërisht në sajë të punës stinore në industrinë e turizmit veror. Në Serbi, norma e papunësisë qëndroi në 20.8% në tremujorin e parë, sipas të dhënave të fundit në dispozicion.
Në të njëjtën kohë, mbledhja e taksave është jofunksionale, me një numër kompanish që nuk paguajnë detyrimet për muaj apo edhe vite. Pagesa për mallrat është gjithashtu shumë më e ngadaltë se sa në Perëndim.
“Është pothuajse e pamundur t’ia shpjegosh një situatë të tillë dikujt nga Perëndimi”, – tha Ante Babiç, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Investitorëve të Huaj në Kroaci. “Por nuk është për t’u habitur që kompanitë nuk po paguajnë punëtorët, kur ju shihni se ata nuk janë në gjendje të përballojnë pagesat e taksave ose mallrave që kanë blerë. Kontrolli mbi pagesat e rrogave është edhe më i lirshëm”.
Përpjekjet për reformë
Është arritur disi progres. Pasi Kroacia u bashkua me BE-në në korrikun e kaluar, publikoi listën e firmave që detyroheshin taksa. Qeveria gjithashtu kërkon të krijojë një sistem që lidh në mënyrë elektronike të dhënat e taksave, shëndetit dhe të pensioneve, dhe ka filluar të trajtojë “vakuumet” ligjore.
Deri kohëve të fundit, kompanitë e regjistruara si “të kufizuara” nuk mund të ndiqeshin penalisht në rast se vazhdonin të operonin ndërsa nuk ishin në gjendje të paguanin, në vend që të procedonin për faliment. Ndryshimi në ligjin e kompanive tanimë ka bërë të mundur ndërmarrjen e masave kundër menaxherëve dhe anëtarëve “devijues” të bordit mbikëqyrës.