Festa e birrës në Beograd, e cila u çel mbrëmjen e ditës së djeshme në parkun USCE në Beograd, ofron për vizitorët shumëllojshmëri markash birre, si edhe koncert live për pesë ditë rresht, jo vetëm me këngëtarë dhe grupe serbe por edhe me performues nga vende të tjera.
Më shumë se një milion njerëz priten që të jenë prezentë në këtë festë pesëditore të Beogradit, e cila është njëkohësisht festa më e madhe e birrës në Europën Juglindore, shprehen organizuesit.
Këtë vit do të ofrohen rreth 50 lloje të ndryshme birre, si brande kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare, ku mund të përmendim, Stereo MCs, Goblini, Atheist Rap, Van Gogh, Kiril Djaikovski, Asian Dub Foundation, S.A.R.S, Del Arno Band e shumë të tjera.
“Që prej 14 vitesh, ne po japim një kontribut shumë të madh në zhvillimin e turizmit në Serbi”, shprehet Dejan Grastic, një prej themeluesve të këtij festivali.
Në sajë të atmosferës fantastike që krijohet gjatë këtij festivali, ai mbart me vete edhe një mesazh universal, “Serbia është një vend mikpritës dhe njerëzit janë shumë socialë”, thotë ai më tej.
Festivali i Birrës në Serbi, i themeluar në vitin 2003, iu ofron më shumë se 7 milionë turistëve mundësinë për të parë mbi 600 performanca muzikore dhe të shijojnë mbi 330 lloje të ndryshme birrash.
Organizuesit shprehen shumë krenarë edhe për fushatat sensibilizuese që janë pjesë e këtij festivali, si “mos pini nëse keni ardhur me makinë” apo “makinës nuk duhet t’i japim asnjëherë të pirë”.
Vizitorëve do t’u ofrohet transport nga qyteti për në zonën ku zhvillohet festivali, si dhe nga zona ku zhvillohet festivali në pika të ndryshme në Beograd, gjatë kthimit.
Gjatë këtij festivali do të jenë pjesë edhe shumë riciklues, të cilët do të marrin të gjitha kanoçet apo shishet bosh, duke shmangur në këtë mënyrë edhe grumbuj të mëdhenj me mbeturina.
Ky festival ka marrë çmime të ndryshme dhe në 15-vjetorin e tij, organizuesit shprehen se po planifikojnë të ndërtojnë një instalacion ku të jetë shkruar “Belgrade Beer Fest”, ku çdo germë do të jetë e krijuar me kanëçe birre bosh që do të krijojnë iluzionin e 3D-së.