Ndryshojnë nocionet për sistemin e pagesave, nevoja për më shumë siguri dhe çfarë parashikon drafti i hartuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me FMN-në
Sistemi i pagesave luan rol të rëndësishëm në besueshmërinë dhe sigurinë e transfertave, por jo vetëm. Forma e menaxhimit dhe qartësimi i rolit mes palëve, konkretisht Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) kanë bërë të nevojshëm rishikimin e kuadrit.
Pas një pune të gjatë dhe 20 vjet përvojë, duke u përballur me nevojën e ndryshimit, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), kanë sjellë në qeveri përmes Ministrisë së Financave draftin “Për sistemin e pagesave”. Projekti është miratuar në qeveri dhe pritet këto ditë të diskutohet dhe miratohet në Kuvend. Se çfarë synohet me “sistem pagesash”, kjo është në thelb e qartë, por cilat janë ndryshimet dhe pse erdhën ato, BSH i sqaron përmes kapitujve të projektligjit, një kopje e së cilës disponohet nga “Monitor”.
Konceptet e reja
Qëllimi i projektligjit është përcaktimi i rolit të BSH në fushën e rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sistemit të pagesave në Shqipëri. Projekti i ri përdor konceptin e përgjithshëm: “sistemi i pagesave”, në vend që të përdorë një term të ngushtë, të tillë si “sistemet e pagesave, të klerimit dhe të shlyerjes së titujve”, ose akoma më të ngushtë si, “sistemet e pagesave”.
BSH nënvizon se ka një dallim të qartë konceptual ndërmjet termit “sistemi i pagesave”, në numrin njëjës dhe termit “sisteme pagesash”, në shumës. Sipas këtij dallimi, me termin “sisteme pagesash” në kuptimin e ngushtë të fjalës (sensu stricto), duhen kuptuar sistemet për transferimin e fondeve, tipikisht ndërmjet bankave. Ndërkohë që termi “sistemi i pagesave” duhet të kuptohet në kuptimin e gjerë të fjalës, duke përfshirë në të: “Sistemet e pagesave”, “sistemet e klerimit dhe të shlyerjes së titujve” dhe “instrumentet e pagesave”.
Përdorimi i konceptit të përgjithshëm “sistemi i pagesave”, i ofron BSH-së mundësinë për të përmbushur mandatin e saj në mënyrë fleksibël, duke i rezistuar kohërave dhe duke e adaptuar atë sa herë që ndryshon struktura e sistemit të pagesave. Duke i përfshirë të gjitha sistemet në të njëjtin regjim rregullimi dhe mbikëqyrjeje, mundësohet shmangia e publikimit të rregullimit të sistemit të pagesave kundrejt sistemit të shlyerjes së titujve, çfarë do të sillte një trajtim juridik të sinkronizuar të pagesave cash dhe të titujve, në funksion të parimit “Delivery versus Payment”.
Kompetencat e BSH sipas variantit të ri
– përcaktimi dhe vendosja e standardeve – për transpozimin e standardeve/rekomandimeve ndërkombëtare në kuadrin rregullativ vendas;
– dhënia e licencës për të operuar një sistem, apo revokimin e saj në rast mospërmbushjeje të rregullave të përcaktuara për operimin e sistemit;
– miratimi i ndryshimeve në sistem
– aksesimi i informacionit – të drejtën ligjore për të kërkuar informacion apo për të kryer inspektime në zyrat e operimit të sistemeve
– vendosja e sanksioneve/kufizimeve – të drejtën ligjore për të vendosur sanksione, gjoba, rekomandime, urdhra për pezullim, heqja e licencës, etj., njëlloj si në përmbushjen e funksionimit të mbikëqyrjes bankare
Ndarja e roleve
Projektligji synon të rregullojë ndarjen e roleve të BSH: si mbikëqyrëse e sistemeve të operuara nga sektori privat, kundrejt rolit të saj si operatore dhe mbikëqyrëse e sistemeve të operuara nga vetë BSH-ja, me qëllim për të shmangur çdo keqkuptim në lidhje me mbështetjen padrejtësisht të funksionimit të sistemeve të saj.
Nëpërmjet akteve nënligjore do të bëhet e qartë dhe transparente ndarja e roleve, kur BSH është duke vepruar si rregullatore/mbikëqyrëse e sistemeve, kundrejt rolit të saj si zotëruese/operatore e tyre.
Projektligji synon gjithashtu të rregullojë ndarjen e kompetencave ndërmjet BSH-së dhe AMF-së, në lidhje me sistemet e klerimit dhe shlyerjes së titujve. Në terma ndërkombëtare është pranuar teza që bankat qendrore duhet të kenë një juridiksion të veçantë për infrastrukturën e shlyerjes së instrumenteve financiare.
Sipas këtij modeli, BSH siguron një rregullim dhe mbikëqyrje gjithëpërfshirëse të urdhër-transfertës në cash dhe urdhër-transfertës së titullit, pjesë të një transaksioni financiar. Një përqasje e tillë kontribuon edhe në cilësinë e mirë të operacioneve të politikës monetare, ku kreditë jepen ndërmjet një sistemi pagesash në vlera të mëdha, ndërsa titujt e vënë si kolateral në favor të bankës vendosen në sistemin e shlyerjes së titujve.
Në vijim të miratimit të projektligjit (neni 6, pika 3 dhe neni 8, pika 3) është qartësuar ndarja e detyrave dhe roleve ndërmjet BSH-së dhe AMF-së sa i takon: licencimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes së sistemit të shlyerjes së titujve dhe të shtëpisë së klerimit të titujve.
Mbrojtja
Cilat janë 5 kërcënimet e sistemit
– rreziku i orës zero – hapja e procedurës për paaftësi paguese i shtrin efektet e saj mbi pagesat vetëm pas momentit kur operatori i sistemit ka marrë njoftimin për hapjen e procedurës, sipas dispozitave të përcaktuara në projektligj;
– karakteri përfundimtar i urdhër-transfertës: urdhër-transfertat janë përfundimtare/të pakthyeshme, sipas përcaktimit në rregullat e vetë sistemit;
– Rregulli “Claw-back” (parevokueshmëria e urdhër-transfertës)-asnjë palë e tretë, përfshirë këtu likuiduesin/gjykatën, nuk mund të anulojë/të bëjë të pavlefshme pagesat, të cilat janë ekzekutuar përpara se operatori i sistemit të ketë marrë njoftimin për hapjen e procedurave për paaftësi paguese. Gjithashtu, urdhër-transfertat shlyhen në sistem edhe pas çastit të marrjes së njoftimit, por me kusht që ato të kenë hyrë në sistem përpara çastit të njoftimit;
– Shlyerja pas procedurës për paaftësi paguese-njohja e së drejtës për netim si dhe shlyerja e shumave për neto pas momentit së hapjes së procedurave për paaftësi paguese, përfshirë këtu edhe mundësinë e përdorimit të linjave të kredive;
– E drejta ndërkombëtare private-efektet ligjore të procedurave për paaftësi paguese ndaj një pjesëmarrësi të huaj në një sistem vendas rregullohen plotësisht nga ligjet e vendit ku operon sistemi.
Më konkretisht, projektligji parashikon që urdhër-transfertat dhe kompensimi i tyre mbrohet nga dispozitat ligjore të procedurave të paaftësisë paguese, duke filluar nga momenti kur kanë hyrë në një sistem të caktuar, edhe në rastet kur institucioni që ka iniciuar urdhrin dështon ndërkohë. Thënë kjo, urdhër-transfertat dhe kompensimi i tyre në sistem janë ligjërisht të vlefshme, të ekzekutueshme dhe të detyrueshme ndaj palëve të treta, përfshirë këtu likuidatorin dhe kujdestarin, edhe në rastin e zbatimit të procedurës për paaftësi paguese ndaj një pjesëmarrësi në sistem, me kusht që urdhër-transfertat të kenë hyrë në sistem përpara momentit të hapjes së një procedure të tillë. Bazuar në këtë dispozitë, operatorët e sistemeve, detyrimisht, duhet të përcaktojnë në rregullat e funksionimit të sistemit, momentin e hyrjes së një urdhër-pagese në sistem. Për më shumë, projektligji mbron urdhër-transfertat nga efektet prapavepruese të procedurave për paaftësi paguese, duke i kufizuar efektet vetëm pas momentit të marrjes së njoftimit nga operatori i sistemit, sipas procedurave të përcaktuara në projektligj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.