Norma e papunësisë pritet të ulet edhe me një pikë përqindje gjatë këtij viti, duke arritur në 11.7% të totalit të forcës së punës në vitin 2019, nga 12.8% që pritet të jetë ky tregues në vitin 2018, sipas parashikimeve të fundit të qeverisë.
Norma e papunësisë do të vijojë të ulet më tej për të arritur në 9.4% në vitin 2022.
Sipas analizës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, pritet që shërbimet të kontribuojnë më shumë në rritjen e kërkesës për punë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë.
Pavarësisht zgjerimit të pritshëm të punësimit në afatin e mesëm, sërish produktiviteti i përgjithshëm i punës pritet të ketë përmirësim të lehtë gjatë kësaj periudhe.
Edhe punësimi do të ketë një ecuri në raporte të drejta me uljen e normës së papunësisë.
Punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 2.4% në vit gjatë viteve 2020–2022.
Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës. Ndërsa rritja e kërkesës për punë pritet të reflektojë pak a shumë të njëjtën strukturë të perspektivës së ofertës agregate të aktivitetit ekonomik.
Referuar anketës tremujore të forcës së punës nga INSTAT, punësimi deri në tremujorin e tretë të vitit 2017 u rrit me 1.3% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, ose me rreth 14.4 mijë të punësuar rishtas për një vit. Shumica e punësimeve i përkasin sektorit shtetëror.
Norma e papunësisë (për grup moshën 15-64 vjeç) ka vijuar trendin e saj rënës që prej T1-2014 ku regjistroi vlerën e saj më të lartë prej 18%, duke zbritur tashmë në nivelin 14% në T3-2017, me një reduktim prej 1.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë (T3-2016), ose me një reduktim të numrit të personave të papunë prej rreth 16.3 mijë në harkun kohor të një viti.
Ndërkohë, për grup-moshën 15 vjeç e sipër, norma e papunësisë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017 regjistroi nivelin prej 13.6%.
Gjatë vitit 2018, qarqet e Vlorës, Tiranës dhe Lezhës patën normat më të larta të papunësinë në krahasim me mesataren kombëtare.
Ndërsa Dibra dhe Korça edhe në vitin 2018 ishin qarqet me normat më të ulëta të papunësisë në krahasim me mesataren.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.