Parajsë fiskale për hotelet me 5 yje? Klosi: Po, por jo për ata që resortet i shesin si pasuri të paluajtshme

06/12/2017 5:06 PM 0 komente

Paketa për investimet strategjike në turizëm nuk do të vlejë për ato resorte që janë konceptuar si real estate. Deklaratën e ka bërë ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë mbrojtjes së ndryshimeve në ligjin “Për turizmin” i cili mori miratimin e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese. “Paketa nuk shkon për resortet të cilat janë si real estate, pra për pasuri të paluajtshme. Kjo lehtësi shkon vetëm për resortet turistike që menaxhohen si hotele dhe për hoteleri dhe kushtet e vëna nga paketa fiskale janë të tilla që nuk lejojnë që këto lehtësira të kalojnë në pasuri të paluajtshme” tha Klosi.

Deklarata vjen në një kohë kur ka një debat të gjerë për paketën e lehtësimit që po bëhet lidhur me nxitjen e investimeve strategjike në turizëm duke synuar tërheqjen e brand name(emra të mëdhenj ndërkombëtarë në fushën e hotelerisë) por edhe kur Shqipëria ka dhënë një seri lejesh për resorte në disa nga zonat më të lakuara si Jugu i vendit apo Gjiri i Lalzit.

Klosi u shpreh se lehtësimi që ju bëhet investitorëve nuk është edhe aq i konsiderueshme po të kemi parasysh që statusi përfshin 10 vite por një pjesë e mirë e tyre do të shkojnë për zbatimin e projektit.

“Janë lehtësira me taksa për 10 vjet, taksë për përfitimin nga biznesi. Të mos harrojmë që nga marrja e statusit special, investitorit i duhen tre katër vjet të mbarojë investimet dhe pastaj edhe disa vite të tjera që të fusë në efiçensë investimin e tij, pra është një lehtësi jo shumë e konsiderueshme. Kemi edhe lehtësirën përsa i përket zero taksën e infrastrukturës, është bërë qartësisht me qëllimin që këto të kenë impaktin e parë pozitiv në marrjen e këtij investimi. Por po ashtu ky status special që do të doja ta sqaroja përsëri edhe për opinionin publik i jepet atyre investitorëve strategjikë të cilët kanë një marrëveshje të firmosur me operatorët strategjikë që janë brand-et që afrojnë hotelet me 4 por sidomos me 5 yje” tha ministri.

Tërheqja e emrave të njohur në fushën e hotelerisë është kusht jo vetëm për përmirësimin e cilësisë dhe shërbimit sipas ministrit por edhe për të konkurruar në raport me drejtë me fqinjët tanë që kanë politika agresive.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz