Paris Saint-Germain zyrtarizoi sot transferimin nga Barcelona të Neymar. Braziliani ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor të vitit 2022. Ky është transferimi më i shtrenjtë në të gjithë historisë së futbollit.
“Jam shumë i lumtur që do të luaj për klubin Paris Saint-Germain. Ajo çka më shtyu t’i bashkohem Paris SG është të ndihmoj skuadrën të fitojë titujt aq shumë të ëndërruar nga tifozët” – ishin fjalët e para të lojtarit.
“Ambicia e PSG, së bashku me pasionin dhe energjinë, më shtynë që ta pranoj këtë sfidë. Që sot do të bëj gjithçka për të ndihmuar shokët e rinj të skuadrës dhe klubin që t’u japë kënaqësi miliona tifozëve në mbarë botën”. Nga ana tjetër, braziliani e mohoi t’i jetë bashkuar klubit për para.
“Kam fituar çdo gjë që një lojtar mund të fitojë” – tha Neymar, i cili do të fitojë 45 milionë euro në sezon nga marrëveshja 5-vjeçare, deri më 30 qershor 2022 me Paris St-Germain.
Në profilin e tij në Instagram, Neymar shtoi: “Kam fituar çdo gjë që një lojtar mund të fitojë. Kam jetuar momente të paharrueshme, por një futbollist (unë), ka nevojë për sfida të reja”.
Neymar u shpreh se i ati, Neymar Sr., dëshironte që ai të qëndronte te Barcelona. “Kjo është hera e dytë që unë dal kundër dëshirës së tim ati”.
25-vjeçari ka fituar shtatë trofe në katër sezone në Camp Nou, përfshirë Champions League një herë dhe La Liga dy herë.
Transferimi i Neymar thyen rekordin e vendosur më parë të Paul Pogba, nga Juventus te Manchester United për 110 milionë euro në gusht të vitit 2016.
Paga e tij prej 782.000 sterlina në javë do të thotë që shpenzimet totale të PSG do të arrijnë në 400 milionë sterlina.
Klubi francez mbajti sot një konferencë për shtyp në orën 12:30. Neymar do të debutojë për Paris SG këtë të shtunë, në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Ligue 1 kundër Amiens në Parc des Princes.
Presidenti i PSG, Al Khelaifi e ka cilësuar Neymar si lojtarin më të mirë në botë. 25-vjeçari do të mbajë në fanellë numrin 10.
Burimi: BBC