Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se Divizioni i Lojërave të Fatit vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti ka mbyllur 40 subjekte të lojërave të fatit, të cilat njëkohësisht janë ndëshkuar me gjoba në vlerë 213,000 euro.
ATK njofton se gjatë javës së kaluar ka zhvilluar edhe një aksion në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt më qëllim të identifikimit të subjekteve të lojërave të fatit, të cilat jashtëligjshëm ushtrojnë këtë veprimtari.
Në komunikatën e ATK-së thuhet se inspektorët kanë vizituar 13 biznese të lojërave të fatit, te të cilat janë konstatuar parregullsi të ndryshme, për sa i përket ushtrimit të kësaj veprimtarie.
“Gjithsej 5 subjekte janë mbyllur, pasi që të njëjtat kanë vepruar pa licencë të ATK-së. Po ashtu janë lëshuar gjoba në vlerë 89,000 euro”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
ATK u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë përmes linjës pa pagës 0800 80 800, rastet për të cilat dyshohen se ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit jashtë ligjshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.