Përpjekjet për të reformuar ekonominë e Kinës

08/03/2019 10:01 PM 0 komente

Si mund t’ia arrijë Xi Jinping të qetësojë luftën tregtare me Amerikën dhe ta bëjë Kinën edhe më të pasur

 

Në dy javët e fundit, negociatorët kinezë dhe ata amerikanë janë përfshirë në bisedime që janë zhvilluar si në Pekin, ashtu edhe në Uashington, për t’i dhënë fund konfliktit tregtar, shkruan The Economist.

Edhe pse në qendër të vëmendjes dhe ndër më të diskutuarat kanë qenë tarifat mbi importin e sojës dhe të sipërmarrjeve të përbashkëta të industrisë së makinave, ajo që rrezikohet më shumë është një prej çështjeve më të rëndësishme të shekullit të 21-të, trajektorja prej 14 trilionë dollarësh amerikanë e ekonomisë së Kinës.

Edhe pse ishte Presidenti Donald Trump ai që e nisi luftën tregtare, pothuajse shumica e të gjitha palëve bien dakord se kapitalizmi shtetëror i Kinës ndikon negativisht në sistemin e tregtisë globale dhe përbën dhe përbën një kërcënim për sigurinë.

Të shumta janë shtetet si në Europë ashtu edhe Azi që nuk pajtohen me këtë gjë. Në qendër të ankesave është roli i qeverisë së Kinës, e cila kalon kapitalin e lirë drejt firmave shtetërore, duke shkaktuar pakënaqësi tek kompanitë private dhe duke shkelur të drejtat e kompanive të huaja.

Si rezultat, Kina ndikon duke shtrembëruar tregjet brenda dhe jashtë vendit. Këto reagime po ndodhin në një kohë kur modeli i borxhit të Kinës, investimet e rënda dhe drejtimi i shtetit po gjenerojnë fitime të pakta. Rritja në këtë tremujor mund të bjerë në 6%, njëkohësisht edhe niveli më i ulët në tre dekadat e fundit. Shumë dyshojnë se shifra e vërtetë mund të jetë më e ulët se ajo e publikuar.

Duke hapur ekonominë dhe duke frenuar shtetin, Xi Jinping, udhëheqësi autokratik i Kinës, mund të rrisë performancën brenda kufijve të Kinës dhe të fillojë të shihet me një sy më pak armiqësor jashtë kufijve. Ai është i pavendosur nëse duhet të kufizojë fuqinë e qeverisë apo të pranojë kërkesat amerikane. Nëse Kina do të vazhdojë kështu dhe nuk do të ndryshojë, ajo do të jetë e paqëndrueshme në afatgjatë. Udhëheqësit e saj kanë të drejtë të ndihen të vetëkënaqur.

Partia ka kryesuar një nga sukseset e mëdha të historisë. Që nga viti 1980, ekonomia kineze është rritur me një normë vjetore të përbërë prej 10%, pasi afërsisht 800 milionë njerëz kanë dalë nga varfëria. Një shtet që dikur kishte vështirësi për të plotësuar nevojat e banorëve të tij me ushqim, tani është shndërruar në prodhuesin më të madh në botë.

Trenat kinezë dhe sistemet e pagesave dixhitale janë të një cilësie më të lartë në krahasim me ata amerikanë dhe disa prej universiteteve të saj më të mira po përparojnë shumë në drejtim të shkencës. Pabarazia dhe niveli i lartë i ndotjes së mjedisit janë rritur, po ashtu edhe standardet e jetesës. Megjithatë, pasi z. Xi erdhi në pushtet në vitin 2013, Kina ka bërë hapa prapa në disa drejtime.

Dy dekada më parë ishte e mundur, madje edhe e arsyeshme, të imagjinohej fakti se Kina gradualisht do t’i liberalizonte tregjet dhe do t’u jepte liri sipërmarrësve që të luanin rol më të madh në vende të tjera të botës. Por në vend që të ndodhte kjo, qeveria kineze e ka shtrënguar më shumë kontrollin e saj. Sasia e kredive të reja bankare për firmat në pronësi të shtetit është rritur nga 30 në 70%.

Mund të thuhet se sektori privat ka ngrirë. Prodhimi i këtij sektori është në stanjacion dhe firmave u duhet që të bëhen pjesë e qelizave partiake nëse duan të japin mendimin mbi vendime të ndryshme, si p.sh. në drejtim të investimeve. Rregullatorët ndërhyjnë në tregun e aksioneve, analiza kritike nuk ekziston dhe, që prej zhvlerësimit të monedhës në vitin 2015, kontrolli ndaj flukseve të kapitalit është bërë më i fortë.

Z. Xi e ka injoruar këshillën e Deng Xiaoping “për të fshehur aftësitë dhe për të pritur momentin e duhur”, duke nisur planin “Made in China 2025”, një përpjekje për të përdorur influencën e shtetit për të dominuar industritë e teknologjisë së lartë. Pikërisht kjo gjë ka alarmuar pjesën tjetër të botës, megjithëse nuk është prodhuar asnjë rezultat konkret. Pa dyshim që qasja e z. Xi mund të vazhdojë për njëfarë kohe.

Sa herë që shihet që ekonomia po ngadalësohet, ndërmerret një stimul i ri. Në janar të këtij viti, bankat rritën nivelin e kredive në 477 miliardë dollarë kredi, një rekord i ri ky i fundit. Por ndryshimet strukturore duket se po punojnë kundër Kinës. Popullsia në moshë pune po zvogëlohet. Investimi përbën 44% të PBB-së. Ndërsa burimet e shumta po përdoren nga projekte të kota dhe firma shtetërore joefikase, rritja e produktivitetit është ngadalësuar. Tani që borxhi është rritur, pagesat e interesit do të arrijnë në gati tre të katërtat e kredive të reja.

Kritikat e ashpra përtej kufijve rrezikojnë të shndërrohen në pengesën e radhës. Teksa barrierat ndaj tregtisë rriten, Kina nuk mund të mbështetet në pjesën tjetër të botës për t’u rritur më tej. Sasia e saj e eksporteve botërore do ta ketë të vështirë të shënojë një rritje më të lartë se 13% aktual. Disa prej firmave më të mëdha dhe më të sofistikuara, si Huawei, shihen me dyshim në tregjet perëndimore.

Kur erdhi në pushtet, z. Xi premtoi një “përtëritje të madhe”, por ajo me të cilën është përballur Kina ka qenë një rritje ekonomike më e ulët, një nivel më i lartë borxhi dhe izolim teknologjik. Udhëheqësit e Kinës i kanë nënvlerësuar pasojat që mund të fshihen pas një lufte tregtare. Ata kanë supozuar se Amerika, nëpërmjet manovrave të ndryshme, mund të zbutet dhe të ulë deficitin tregtar, dhe se mosmarrëveshjet me Amerikën do të përfundojnë kur z. Trump të largohet nga Zyra Ovale.

Në fakt, negociatorët amerikanë, me mbështetjen e Kongresit dhe të establishmetit të biznesit, kanë kërkuar ndryshime të thella në ekonominë e Kinës. Besohet se opozita perëndimore ndaj modelit të Kinës do të jetë më e madhe se ajo që filloi z. Trump dhe madje do të vazhdojë edhe pas largimit të tij. Për t’u marrë me armiqësitë jashtë kufijve dhe me situatën e dobët brenda vendit, z. Xi duhet të nisë të kufizojë rolin e shtetit në ndarjen e kapitalit.

Bankat dhe tregjet financiare duhet të veprojnë lirisht. Firmat e dështuara shtetërore duhet të shkojnë në faliment dhe jo të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë joefikase. Ata që duan të investojnë jashtë kufijve duhet t’u jepet një e drejtë e tillë, në mënyrë që çmimet e aseteve të pasqyrojnë realitetin dhe jo shtypjen financiare.

Nëse paratë do të shkojnë vërtet në ata sektorë që është më e nevojshme dhe produktive, atëherë akuzat ndaj ekonomisë se ajo është e manipuluar do të jenë më të vështira për t’u provuar dhe rrjedhimisht, edhe rritja e nivelit të borxheve të këqija do të ngadalësohet. Z. Xi duhet të rregullojë edhe politikën industriale të Kinës.

Edhe pse është ndoshta e tepërt të mendohet se ai do të privatizojë 150,000 firmat e tij shtetërore, ai të paktën duhet të kopjojë Singaporin, ku vepron Temasek, kompania e investimeve e cila ka aksione në firmat shtetërore, duke u dhënë atyre autonomi, ndërkohë që u kërkon që të veprojnë në mënyrë po aq efikase sa edhe sektori privat. Së fundmi, Kina duhet të mbrojë të drejtat e firmave të huaja. Brenda kufijve të Kinës, kjo do të thotë që t’u japë firmave të huaja kontroll të plotë mbi filialet, si dhe mbi sekretet e tyre teknologjike.

Ndërsa përtej kufijve, kjo nënkupton respektimin e pronësisë intelektuale, që do të jetë padyshim në favor të Kinës, teksa firmat e saj zgjerohen dhe bëhen njëkohësisht më të sofistikuara. Duke pasur parasysh të dhënat e pakta të Kinës në këtë drejtim, Amerikës do t’i duhet që të përgjigjet nëpërmjet vendosjes së tarifave ose arbitrazhit nëse Kina nuk do t’i përmbushë detyrimet e saj. Por nëse do të ketë, Amerikës do t’i duhet edhe të shpërblejë sjelljen e mirë të Kinës.

Nëse firmat kineze do të jenë më shumë transparente për të bindur jo vetëm Amerikën, por edhe shtetet e tjera se ato po veprojnë duke u bazuar mbi parimet tregtare, atëherë ato duhet të trajtohen njësoj si bizneset e çdo vendi tjetër. Sot, edhe pse këto reforma duken një perspektivë e largët, ato janë pranuar gjerësisht në mesin e teknokratëve të Kinës. Drejtuesit e kompanive të ndryshme dhe një pjesë e konsiderueshme e zyrtarëve të lartë shprehen se duan që presioni amerikan të vazhdojë mbi z. Xi, dhe ta detyrojë atë që të ndryshojë në një mënyrë që ata nuk munden dot.

Nën regjimin e tij, Kina është bllokuar brenda një cikli të keq të një rritjeje të ngadaltë ekonomike, të një niveli të lartë të borxhit, të kontrollit të shtetit dhe armiqësisë jashtë kufijve të vendit. Një Kinë, ekonomikisht më liberale do të ishte edhe më e pasur dhe do të krijonte më pak armiq jashtë kufijve. Është momenti i duhur që z. Xi të ndryshojë drejtimin dhe të marrë një të ri.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of