Përpunimi i letrës, kriza sjell eficencë

08/10/2012 10:33 0 komente
leter 2_opt

Sipas një studimi të fundit nga kompania “Deloitte”, sektori i pyjeve, letrës e paketimit, me gjithë shpërndarjen globale të tregtisë e përpunimit vijon të jetë i përqendruar në nivel rajonal. Kjo përbën një sfidë për prodhuesit e mëdhenj në botë, të cilët janë ndikuar nga dinamika të ndryshme. Shumë prej tyre u ndikuan nga kushtet makroekonomike të vitit 2011. Në rajonin e Azisë dhe Paqësorit, Kina vazhdon të ecë me ritme të larta në këtë pjesë të sektorit. Pavarësisht se parashikimet afatshkurta për Kinën janë pozitive, ajo po përballet me vështirësi në kostot e lëndëve të para dhe fragmentarizimin e produkteve. Europa po përballet me recesion, ku prodhuesit po shfaqin rënie të kërkesës, ndërkohë që kanë kapacitete të tepërta në produktet e letrës. Amerika e Veriut ka shënuar rritje të lehtë të sektorit këtë vit, por disa nënsektorë shfaqin vështirësi.

Efekti “krizë” ka shtuar angazhimet e sipërmarrësve për një menaxhim më të mirë, duke u fokusuar në tkurrjen kostove.

 

Por cila është kërkesa

Sipas studimit të “Deloitte Touche Tohmatsu Limited’s” (DTTL), situata ekonomike nuk është aq e errët sa në 2008-n, kur kompanitë nuk ishin të përgatitura për rënien e tregut. Ndonëse 2012-a është ende një treg i pasigurt, disa kompani kanë bërë organizimet e nevojshme për t’u përballur me sfidat e tregut. Pasiguria vjen nga kushtet e përgjithshme të tregut dhe ecuritë e ekonomike në vende të ndryshme të botës.

Ekspertët e “Deloitte” theksojnë në studimin e tyre se kriza e borxhit në Europë nuk po shkakton vetëm vështirësi financiare, por edhe rënie të besimit mes konsumatorëve europianë e kompanive, të cilat flasin për një kërkesë të dobët të brendshme. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj pasigurie, kompanitë janë përqendruar në uljen e kostove, por edhe në mbajtjen e të ardhurave cash për të siguruar më shumë likuiditet. Industritë e përpunimit po monitorojnë me shumë vëmendje inflacionin, por përshtypja e përgjithshme është se kostot, si për asetet fikse edhe ato variabël do të mbeten të ulëta për pjesën më të madhe të vendeve europiane. Kushtet e tregut nuk janë ende ideale, veçanërisht për shfrytëzimin e pyjeve dhe produktet e letrës.

Problemi është se riorganizimi i sektorit të përpunimit të drurit dhe prodhimit të letrës, përveç racionalizimit të kostove dhe rritjes së eficencës po prek tashmë edhe shpenzimet për punonjësit. Kapaciteti i tepërt i instaluar vazhdon të rëndojë mbi prodhuesit europianë. Një transaksion nxitës në sektor ishte blerja e kompanisë “Myllykosk” nga “UPM-Kymmene’s” (UPM). Por në të njëjtën kohë, letra për gazeta u reduktua me 1.3 milionë tonë.

Në Kinë, një prodhues e përpunues i madh i letrës, politikat për të reduktuar lëshimin e dioksidit të karbonit dhe njëkohësisht atë të rritjes së sipërfaqeve të gjelbra kanë tkurrur ndjeshëm fitimet e shumë kompanive. Shifrat zyrtare tregojnë se prodhimi i letrës dhe paketimit u rrit, por marzhi i fitimit ra për shkak të kostove më të larta të lëndës së parë (veçanërisht për materialin drusor për letër në gjysmën e parë të vitit). Në të njëjtën kohë, çmimet e produkteve të letrës në tregun botëror janë shumë konkurruese. Kontribuues në tkurrjen e përfitimeve është varësia e një tregu të tillë të madh nga importi i lëndës së parë.

Në tregun e Amerikës së Veriut, vërehet rënie e madhe e kërkesës për segmentin e letrës së papërpunuar dhe të asaj që shkon për gazetën. Kërkesa për letrën e papërpunuar është në gjendje më të mirë se në vitin 2007. Sipas të dhënave të tregut, letra gjysmë e përpunuar ra 3% vjet, nga 6% në vitin 2007.

Amerika e Jugut vijon të shënojë rritje, por me ritme të vogla.

Për sa kohë ka një kapacitet të konsiderueshëm që nuk vihet në punë në Europë e Azi, rritja modeste e kërkesës nuk do të nxisë prodhimin.

Parashikimet për 2013-n dhe vitet e ardhshme janë pozitive dhe prodhuesit e letrës po fillojnë të përgatiten për këtë. Në nxitje të kësaj, në disa vende po ngrihen plantacione të tëra për prodhimin e drurit të letrës si në Brazil, Kili, Argjentinë dhe Uruguai. Në Argjentinë, për shembull, janë 1.8 milionë hektarë pyje që shfrytëzohen për drurin e letrës dhe rreth 4.5 milionë hektarë tokë në dispozicion për t’u pyllëzuar.

Në vendin tonë, përpunimi i letrës është vetëm i pjesshëm. Përpunohet lëndë e parë e importuar ose kartoni i ricikluar.

 

 

 

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.