Përse ligji dhe shkenca ekonomike ia kanë dalë me sukses në mënyrë kaq spektakolare, veçanërisht në SHBA, por gjithashtu gjithnjë e më shumë në vende të tjera? Për arsyen e vetme se njësoj si speciet, shkenca ekonomike te “ekonologjia intelektuale” e ligjit gjeti një qoshe dhe e mbushi atë me shpejtësi. Por, për të shpjeguar se cilën qoshe, do të mjaftonte të konsiderohej përkufizimi klasik: “Ligji është një detyrim që mbështetet nga një ndëshkim shtetëror”. Ja përse, shpesh, ligjbërësit bëjnë pyetjen: “Si do ta ndikojë ndëshkimi sjelljen?”. Për shembull, në qoftë se do të vendosen ndëshkime për prodhuesin e një produkti defektoz, çfarë do të ndodhte me sigurinë dhe me çmimin e produktit në të ardhmen? Ose, “A do të zvogëlohej masa e krimit në qoftë se shkelësit e ligjit për të tretën herë do të burgoseshin në mënyrë automatike?” Pyetjeve të tilla, juristët i dhanë përgjigje në vitet ’60, pikërisht në atë mënyrë ashtu siç kishin bërë në vitin 2000; pra, me anë të intuitës së konsultimit dhe të çdo fakti në dispozicion; kësisoj, shkenca ekonomike siguroi një teori shkencore për të parashikuar efektet e ndëshkimeve ligjore mbi sjelljen. Ekonomistëve, ndëshkimet u duken njësoj si çmimet dhe sipas tyre, me hamendje, njerëzit u përgjigjen këtyre ndëshkimeve po aq sa ata u përgjigjen çmimeve; për shembull, njerëzit u përgjigjen çmimeve më të mëdha duke konsumuar më pak mallra të shtrenjtë; me hamendje, njerëzit u përgjigjen ndëshkimeve më të ashpra ligjore duke bërë më pak veprime ndëshkuese.
Shkenca ekonomike, në mënyrë matematike, ka teori precize (teorinë e çmimit dhe teorinë e lojës) dhe në mënyrë empirike metoda të mira (statistikën dhe ekonometrinë) për analizimin e efekteve të çmimeve të nënkuptuar që ligji ia bashkëngjit sjelljes. Le të supozojmë se një restorant e di që produktet e tij nganjëherë do të lëndojnë konsumatorët. Sa të sigurt do t’i bëjë ky restorant produktet? Për restorantin, si biznes me qëllim maksimizimin e fitimit, përgjigjja varet nga tre kosto: e para, kosto e prodhimit të produkteve më të sigurt, e cila varet nga prodhimi dhe përbërësit; e dyta, detyrimi ligjor i restorantit për lëndimet e konsumatorëve; dhe, e treta, shkalla me të cilën lëndimet i shkurajojnë konsumatorët nga blerja e produkteve të restorantit (për shembull, helmimi i turistëve italianë në qytetin e Vlorës në shtator 2015). Restoranti do ta korrigjojë sigurinë derisa kosto e sigurisë shtesë të barazojë përfitimin nga detyrimi i zvogëluar dhe kërkesa më e madhe e konsumatorit për produktet e restorantit; zakonisht, shkenca ekonomike siguron një teori të sjelljes për të parashikuar se si u përgjigjen njerëzit ligjeve. Kjo teori e tejkalon intuitën pikërisht si shkenca tejkalon të kuptuarit e zakonshëm dhe përgjigjja e njerëzve është gjithnjë përkatëse/e përshtatshme me bërjen, revizionimin, dhënien fund dhe interpretimin e ligjeve; një ese e famshme e ligjit dhe shkencës ekonomike e përshkruan ligjin si një katedrale (një ndërtesë shumë e madhe, e lashtë, komplekse, e bukur, misterioze dhe e shenjtë, ku shkenca e sjelljes i ngjan llaçit ndërmjet gurëve të katedrales, që e mbështesin strukturën kudo.
Një studim gjen se gjobat më të mëdha për shpejtësinë në autostradë, me hamendje, do të shkaktojnë uljen e saj dhe në balancë a është kjo gjë e mirë apo e keqe? Gjetja nuk sugjeron ndonjë përgjigje. Në kontrast me këtë, le të supozohet se një studim ka provuar se kosto shtesë e mbledhjes së gjobave më të mëdha e kapërcen përfitimin e rezultuar nga më pak aksidente, kësisoj që një gjobë më e madhe është “ineficente”. Kjo gjetje sugjeron se një gjobë më e madhe do të ishte e keqe. Eficenca është gjithnjë e përshtatshme për politikëbërjen, për arsye se zyrtarët publikë kurrë nuk e mbrojnë paranë e keqpërdorur. Gjykatësve dhe zyrtarëve të tjerë u nevojitet një metodë për vlerësimin e efekteve të ligjeve mbi vlerat e rëndësishme shoqërore dhe shkenca ekonomike e siguron një metodë të tillë për eficencën. Përveç eficencës, shkenca ekonomike parashikon efektet e ligjeve mbi një vlerë tjetër të rëndësishme, shpërndarjen e të ardhurave. Midis zbatimeve më të hershme të shkencës ekonomike në politikën publike ishte përdorimi i saj për të parashikuar se kush në të vërtetë e bart barrën e tatimeve alternativë. Më shumë se sa shkencëtarët e tjerë shoqërorë, ekonomistët kuptojnë se si e ndikojnë ligjet shpërndarjen e të ardhurave përgjatë klasave dhe grupeve.
Në vend të eficencës ose shpërndarjes, njerëzit në biznes në pjesën më të madhe flasin rreth fitimit. Një punë e madhe e juristëve synon që të rrisë fitimet e bizneseve, veçanërisht, duke i ndihmuar bizneset për të bërë marrëveshje/kontrata, për të shmangur zëniet (mosmarrëveshjet) dhe për t’iu bindur rregullave. Këto tri veprimtari korrespondojnë me tri fusha të praktikës ligjore në bizneset e mëdha: transaksionet, mosmarrëveshjet dhe rregullat. Eficenca dhe përfitueshmëria janë aq shumë të lidhura saqë juristët të mund të përdorin parimet e eficencës për të ndihmuar bizneset për të bërë më shumë para. Eficenca ekonomike është një masë e përgjithshme për përfitimet publike, që përfshin fitimet e bizneseve, mirëqenien e konsumatorëve dhe pagat e punëtorëve; logjika e maksimizimit të masës së përgjithshme (eficencës) është shumë e ngjashme me logjikën e maksimizimit të një prej përbërësve të tyre (fitimeve) dhe një sistem i mirë ligjor e mban përfitueshmërinë e bizneseve dhe mirëqenien e njerëzve shoqërues me qëllim që fitimet të përfitojë publiku.
Analiza ekonomike e ligjit bashkon dy fusha të mëdha dhe lehtëson të kuptuarit e secilës prej tyre. Ekonomistët i konceptojnë ligjet si nxitës për ndryshimin e sjelljes (çmimet e nënkuptuar) dhe si një instrument për objektivët e politikës (eficencën dhe shpërndarjen); megjithatë, analiza ekonomike shpesh i merr si të dhënë të tillë institucione ligjore si pasuria dhe kontrata, që në mënyrë dramatike ndikojnë ekonominë (për shembull, mungesa e pasurisë së sigurt dhe kontratave të besueshme e paralizon ekonominë e vendeve të varfër). Përmirësimi i efektivitetit të ligjit në një vend të varfër është i rëndësishëm për zhvillimin e tij ekonomik, prandaj ligji ka nevojë për shkencën ekonomike për të kuptuar pasojat e tij të sjelljes dhe shkenca ekonomike ka nevojë për ligjin për të kuptuar mbështetësit e tregjeve.
Ekonomistët dhe juristët mund të mësojnë gjithashtu teknika nga njëri–tjetri; nga ekonomistët, juristët mund të mësojnë arsyetimin sasior për bërjen e teorive dhe bërjen e kërkimeve, ndërsa nga juristët, ekonomistët mund të mësojnë për t’i bindur njerëzit (një art që juristët e praktikojnë dhe e rafinojnë vazhdimisht për arsye se juristët mund të përshkruajnë fakte dhe t’u japin atyre emra me rezonancë morale, ndërsa ekonomistët janë shumë të ngadalshëm në gjuhë.
“Përse duhet studiuar shkenca ekonomike dhe ligji në Shqipëri?”
Pyetja: “Përse duhet studiuar shkenca ekonomike dhe ligji në Shqipëri?” ka vetëm një përgjigje. Kategoritë ku shtrihet fusha e veprimit të shkencës ekonomike dhe ligjit (ose analizës ekonomike të ligjit) janë: Kodi Civil, lidhur me pronën, ku përfshihet prona intelektuale; siguracionet dhe kontratat. Rregullimi i tregut: ku përfshihet antimonopoli; puna; tregtari dhe shoqëritë tregtare. Tatimet dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore: ku përfshihen tatimet dhe taksat qendrore dhe vendore; si dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Procesi ligjor: ku përfshihen procedurat që përfshin Kodin Civil dhe Penal; Kodi administrativ dhe falimentimi. Kushtetuta: ku përfshihen Kushtetuta dhe të drejtat civile dhe sistemi gjyqësor. Në kuptim të përshkrimit pararendës, roli i legjislaturës dhe i gjykatave është të mbështesin tregun e lirë, duke i lënë qeverisë të luajë vetëm një rol të kufizuar, por mjaft të rëndësishëm për të çuar përpara barazinë, rishpërndarjen e pasurisë, pushtetin dhe mbrojtjen e grupeve të veçantë nga shfrytëzimi.
Rreth njëqind vjet më parë e këtej shkenca ekonomike e ka ndryshuar natyrën e metodave serioze të të studiuarit ligjor, të të kuptuarit e institucioneve, si dhe rregullave ligjore, madje edhe të praktikës së ligjit, për arsye se është marrë me studimin e tregjeve dhe, në shumë kuptime, sistemi ligjor (legjislacioni në veprim), nuk është gjë tjetër veçse një treg në të cilin shteti krijon të drejta dhe tituj që palët mund t’i përdorin për të lehtësuar negociatat për të bërë marrëveshje. Në këtë kuptim shkenca ekonomike: ka përmirësuar të kuptuarit e sistemit të drejtësisë për mënyrën se si funksionon tregu në lidhje me praktikat ligjore; është vetëm një përdorim i kufizuar në marrjen e vendimit në rastet e çështjeve gjyqësore; ndikon aftësinë e juristëve me anë të aftësisë së përdorimit të analizës ekonomike, si mekanizëm në konceptimin e çështjeve ligjore. Adaptimi varfërisht i ligjeve ekonomike në ekonominë e vendit në më shumë se dy dekada (që nga viti 1991), ka bërë të mundur që konflikti i pritshmërive që duhej të bashkëpunonin të ishte i vështirë me qëllim që mosmarrëveshjet të mos i kishin konsumuar burimet. Në të kundërtën, në qoftë se ligjet ekonomike do të adaptoheshin mirë, njerëzit do të bashkëpunonin me njëri–tjetrin, do të harmonizonin pritshmëritë e tyre dhe do t’i përdornin burimet në mënyrën më të mirë dhe më krijuese. Pra, në qoftë se institucionet publike nuk do të ishin defektoze dhe kushtet politike të paqëndrueshme, organizimet/përgatitjet kontraktore private nuk do të bëheshin me më shumë risk dhe nuk do ta ndikonin negativisht investimin privat (sikundër vihet re me gjendjen aktuale të kreditimit të ekonomisë). Përfundimisht, duke iu dhënë qytetarëve siguri dhe përfshirje më të mëdha në të ardhmen e vendit të tyre, do të zvogëlohej rreziku afatgjatë nga lëvizjet shoqërore që do të kundërshtonin legjitimitetin dhe do të kërkonin rrëzimin e qeverive; si përgjigje kundrejt zvogëlimit të këtij rreziku afatgjatë, do të nxiteshin horizonte me kohë më të gjatë për llogaritjet e investimeve në sektorin privat, përcaktues i rëndësishëm ky për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit. Shpesh, në këto dekada të fundit, janë vënë re marrëdhënie kontraktore të ndërlikuara ndërmjet kursimtarëve, prodhuesve, investitorëve dhe konsumatorëve (gjendja aktuale e ekonomisë), marrëdhënie këto që kanë nevojë për një sistem praktikash që rrisin menaxhimin e riskut; shkenca mikroekonomike lidhet me vendimmarrjen e individëve dhe grupeve të vogla, të tillë si familjet, firmat dhe agjencitë qeveritare; pra, merret me studimin e mënyrës se si caktohen burimet e pamjaftueshme për qëllime konkurruese. Në thelb të mikroekonomisë qëndron teoria e kërkesës dhe zgjedhjes së konsumatorit, që përshkruan se si e bën zgjedhjen një konsumator tipik (i shtrënguar nga të ardhurat e kufizuara) midis shumë mallrave dhe shërbimeve që i ofrohen për zgjedhje; zgjedhjet që bëjnë organizatat e biznesit, zhvillimi i modelit që ndihmon të shihet se si vendos firma çfarë mallrash dhe/ose shërbimesh të prodhojë, sasia dhe çmimi me të cilin do ta shesë produktin e vet; si ndërveprojnë konsumatorët dhe firmat, si bashkërendohen vendimet e firmave dhe konsumatorëve dhe kur veprimet e palëve janë të qëndrueshme tregu është në ekuilibër; konsumatorët maksimizojnë kënaqësinë; firmat fitimin; politikanët votën; shteti të ardhurat; bamirësitë, mirëqenien shoqërore. Disa shembuj të analizës ekonomike do të ishin: tatimi mbi karburantin dëmton blerësit e tij, por ndihmon shoferët për të pasur rrugë të shtruara dhe që nga koha që shoferët dhe blerësit e karburantit janë zakonisht të njëjtët njerëz, një analizë normative mund të sugjerojë se do të përfitojnë të gjithë, një lloj rezultati përfundimtar ky, ku të gjithëve niveli i jetesës u bëhet më i mirë nga një ndryshim dhe, relativisht, një gjë e tillë është e padiskutueshme. Analiza kosto/përfitim peshon fitimet dhe humbjet për individë të ndryshëm dhe sugjeron kryerjen e ndryshimeve që sigurojnë përfitime më të mëdha se sa dëmi.
Tatimi për pasurinë, i përdorur për të ndërtuar një park vendor, krijon një përfitim për ata që e përdorin parkun, por dëmton ata që zotërojnë pronësinë (megjithëse me rritjen e vlerave të pasurisë, madje edhe jo përdoruesit kanë disa përfitime). Analiza kosto/përfitim peshon kostot kundrejt përfitimeve dhe në rastin e parkut, kostot janë të kthyera në lek, për arsye se kostot e tatimpaguesve janë pikërisht shuma e tatimit dhe, në kontrast me këtë të fundit, përfitimet janë shuma që përdoruesit e parkut do të ishin të gatshëm të paguajnë për të përdorur parkun në qoftë se parku do të ishte me pagesë. Në parim, parku siguron përfitime më të mëdha se sa kostot në qoftë se përfitimet për përdoruesit i kapërcejnë humbjet për tatimpaguesit, por megjithatë, parku përfshin gjithashtu transferta nga një grup në tjetrin. Analiza e mirëqenies përfshin analizën kosto/përfitim që merr në konsideratë jo vetëm fitimet dhe humbjet e përgjithshme, por gjithashtu peshimin e këtyre fitimeve dhe humbjeve nga efektet e tyre mbi qëllime të tjera shoqërore. Supozojmë se tatimi mbi të ardhurat personale përdoret për të subvencionuar veprimtaritë kulturoro – artistike, që mund të sigurojnë më shumë vlerë se sa kosto, por pjesa më e madhe e tatimit paguhet nga njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërkohë që ata që ndjekin veprimtaritë kulturoro–artistike janë të pasurit.
Në këtë mënyrë, subvencioni i veprimtarive kulturoro–artistike përfaqëson një transfertë nga njerëzit me të ardhura relativisht të ulëta te njerëzit e pasur, gjë që nuk është e qëndrueshme me qëllimet e shoqërisë për barazi; në kontrast me këtë, eliminimi i TVSH–së mbi bazën e mallrave bazë ushqimore si qumështi dhe buka zakonisht ka një përfitim relativisht më të madh për të varfrit, që shpenzojnë një përqindje më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim në krahasim me të pasurit. Në këtë mënyrë, skema të tilla mund të konsiderohen jo kaq shumë për efektet e tyre të përgjithshme, por për efektet e tyre rishpërndarëse. Ligji si një mjet për të nxitur eficencën ekonomike, në kontekstin e analizës ekonomike pretendon se praktikat ligjore karakterizohen më mirë si mjete për inkurajimin në mënyrë ekonomike të marrëdhënieve eficente shoqërore dhe, për ta kuptuar këtë pretendim, është e rëndësishme të shqyrtohen koncepte bazë të përdorura në modelet e arsyetimit ekonomik: (i) qeniet njerëzore janë maksimizues të arsyeshëm të kënaqësive të tyre individuale dhe, në këmbim për këtë, i përgjigjen nxitësve; (ii) maksimizuesi i arsyeshëm i kënaqësisë personale korrigjon mjetet për qëllimet në mënyrën më eficente të mundshme dhe është e rëndësishme të vërtetojë se ekonomia nuk kufizohet tek analiza e çështjeve monetare, për arsye se ka gjithashtu kënaqësi monetare dhe jo monetare; (iii) çdo kënaqësi potenciale ndërlikohet në llogaritjen e kënaqësive ekonomike dhe, prandaj, mund të investigohet sipas arsyeshmërisë ekonomike dhe mënyrës se si veprojnë të tjerët, si dhe sipas një balance kosto/përfitim dhe, normalisht, ajo çfarë synohet nëpërmjet arsyetimit ekonomik është përmirësimi i eficencës. Shmangia e situatave që të çojnë në dështimin e tregut tregon se një nga shembujt e dështimit të tregut është ekzistenca e monopoleve: një situatë ku një palë është në gjendje të nxjerrë më shumë fitim nga një mall se sa mund të lejojë një treg i shëndetshëm. Në këtë kohë që po diskutohet në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë, ndoshta, do të zgjohet kureshtja e juristëve për të vlerësuar, ndër të tjera, edhe këtë disiplinë që formon ekonomistët dhe juristët në një pjesë aq shumë të populluar të globit; në Republikën e Shqipërisë vetëm në New York University Tiranë është përfshirë kjo disiplinë në programin e formimit të studentëve me dije bashkëkohore.
Kasem Seferi – ekonomist
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.