Marrëveshja kolektive u nënshkrua për herë të dytë ndërmjet qeverisë, bizneseve dhe sindikatave, në muajin mars të këtij viti.
Por, sërish po shtyhet zbatimi për mungesë të parave në buxhetin e vendit.
Në komisionin për buxhet dhe financa nuk janë përkrahur amendamentet për rritje pagash për 25% dhe për zbatim të marrëveshjes kolektive, për t’u futur në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, të paraqitura nga AAK-ja.
Pro ka votuar opozita e kundër pozita. Nëpërmjet telefonit, anëtarja e këtij komisioni Donika Kadaj-Bujupi tha për RTK, se arsyetimi i mospërkrahjes ishte mungesa e mjeteve financiare.
E mos-futja në buxhet e planit për zbatimin e marrëveshjes kolektive, po shkon në një linjë me kërkesat e Odës Ekonomike, e cila po kërkon që të shtyhet zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Por kundër shtyrjes është kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi. Ai kërkon që të fillojë së zbatuari marrëveshja nga 1 janari, ashtu siç e parashikon marrëveshja.
“Ne sigurisht nuk kemi kthim mbrapa te marrëveshja kolektive. I kemi bere me dije kryeministrit dhe ministrit, dhe ata duhet ti gjejnë mundësitë për të filluar implementimi. Na kanë premtuar se për këtë do të gjejmë zgjidhje, dhe implementimi I marrëveshjes kolektive do të filloj nga janari”, tha Arifaj, shkruan Zeri.
Marrëveshja kolektive ishte nënshkruar për herë të dytë ndërmjet qeverisë, përfaqësuesve të bizneseve dhe atyre të punëtorëve në muajin mars të këtij viti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.