Dita Botërore e Postave festohet çdo vit më 9 Tetor, në përvjetorin e themelimit të Bashkimit Postar Universal (UPU), në vitin 1874 në kryeqytetin zviceran, Bernë. Ajo ishte shpallur Dita Botërore e Postave nga Kongresi i UPU, mbajtur në Tokio, Japoni, në vitin 1969.
Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se avancimet e teknologjisë kanë sjellë shumë ndryshime në fushën e shërbimeve postare.
“Është fatkeqësi që ende nuk jemi pjesë e Unionit Postar Universal. Janë dy kritere që Kosova mund të jetë pjesë e kësaj organizate: Të jetë pjesë e OKB-së dhe të votohet nga 2 të tretat e anëtarëve të Unionit Postar Universal”, tha ai në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Sipas tij, mosanëtarësimi i Postës së Kosovës në Unionin Postar Universal, i krijon shumë probleme Postës së Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se punëtorët e Postës së Kosovës sot do të marrin pagat e muajit shtator.
Ai tha se Posta e Kosovës ka dalë me produkte të reja dhe ka zvogëluar shpenzimet. “Po shikojmë mundësitë që Posta e Kosovës të bëhet e qëndrueshme”, deklaroi ai.
Qëllimi i Ditës Botërore të Postave është për të krijuar vetëdijen e rolit të sektorit postar te njerëzit dhe në jetën e bizneseve të përditshme, si dhe kontributin e saj për zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve.
Festimi nxit vendet anëtare për të ndërmarrë aktivitete dhe programe që synojnë krijimin e një vetëdije më të gjerë për rolin e postës, si dhe aktivitete në mesin e publikut dhe mediave në një shkallë kombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.