Me qëllim përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, Këshilli i Ministrave kanë dërguar në Kuvend një pr.ligj mbi auditimin dhe mbikëqyrjen e profesionit të kontabilistëve.
Sipas këtij pr.ligj, i cili pritet të shqyrtohet pranë komisoneve në javët në vijim, ndryshimet e parashikuara do të bëjnë të mundur rritjen e cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, duke përmirësuar procesin e certifikimit, mbikëqyrjes së cilësisë dhe forcimin e qartësimin e shkeljeve dhe masave disiplinore.
Ndryshimi kryesor i këtij pr.ligji ka të bëjë me rishikimin e statusit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, nëpërmjet krijimit të një strukture mbështetëse teknike, synohet të rritet pavarësia dhe të forcohet roli mbikëqyrës i Bordit ndaj profesionit.
Ligji gjithashtu rregullon auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të audituesit ligjor, të shoqërive të auditimit, të kontabilistit të miratuar, si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit.
KM argumenton se ndryshimi i këtij ligji vjen edhe si nevojë për disa problematika të hasura gjatë zbatimit të ligjit aktual, si p.sh:
• Mbikëqyrje e dobët e profesionit;
• Dublikimi i strukturave me rol mbikëqyrës të profesionit;
• Përdorim i një terminologjie jo në përputhje të plotë me direktivën dhe, shpesh, jo të qartë;
• Masa të paqarta disiplinore, duke rezultuar në një aplikim joefektiv të tyre;
• Role të paqarta të organeve përgjegjëse të profesionit
Ndërsa janë parashikuar edhe masat ndëshkimore në rast të parregullsive të konstatuara nga Bordi i Mbikëqyrjes, si më poshtë:
– Gjoba nga 50 000 -150 000 lekë, merret në rastet kur audituesi ligjor ka bërë kërkesë për çregjistrim, me arsyen e fillimit të një veprimtarie të re, dhe e ka nisur veprimtarinë e re, që u sjell dëm interesave etike e morale të profesionit, përpara marrjes së vendimit nga Komiteti i Regjistrimit.
– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast se, në përfundim të procesit të kontrollit të cilësisë, rezulton që puna audituese nuk është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe me kërkesat e këtij ligji e akteve nënligjore.
– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rastin e mosdhënies së informacionit apo dokumentacionit të kërkuar nga autoritetet përgjegjëse, në kuadër të procesit të kontrollit të cilësisë.
– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast të mosndjekjes së rregullave dhe procedurave të auditimit, si rrjedhojë e një opinioni të mangët ose të gabuar për pasqyrat financiare subjekt auditimi.
– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rast se nuk respektohen kërkesat e parashikuara nga neni 34, i këtij ligji, për mbrojtjen e konfidencialitetit.
– Gjoba, në masën 50 000 – 100 000 lekë, merret në rastin kur informacionet vjetore statutore, të paraqitura pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë, përmbajnë informacion të pavërtetë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.