Presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, erdhi të mërkurën në Turqi si e ftuar e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Në kuadër të kontakteve zyrtare të saj në Turqi, presidentja mysafire u takua në Stamboll fillimisht me ndihmëspresidentin Fuat Oktay.
Oktay dhe Preca realizuan një takim kokë më kokë përpara mbledhjes së Këshillit të Biznesit Turqi-Maltë.
Takimi u zhvillua pa praninë e mediave dhe zgjati rreth 40 minuta.
Më pas, Preca mori pjesë dhe mbajti një fjalim në mbledhjen e Këshillit të Biznesin Turqi-Maltë.
Duke shpjeguar se vizita e saj në Turqi synon të marrë në shqyrtim hapat që duhet bërë për zhvillimin e ndërsjellë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, kryetarja e shtetit ishullor tha se marrëdhëniet reciproke dhe sektori privat mund të zhvillohet akoma më shumë falë mbledhjeve dhe bisedimeve bilaterale.
“Ne s’duam vetëm që prezantohemi dhe njihemi, por njëherësh të bëhemi partnerë dhe miq. Duhet ta bëjmë këtë për interesat e popujve tanë dhe rajonit tonë”, shtoi ajo.
Preca nënvizoi rëndësinë e sektorit turistik dhe sidomos atë të turizmit arsimor duke kërkuar që në Maltë të shkojnë më shumë nxënës/studentë turq për të mësuar gjuhën angleze.
Ajo pati edhe një thirrje për sektorin privat turk. “Ejani dhe vlerësoni shanset që ofron Malta”, u shpreh ajo.
“Qeveria jonë do të vazhdojë mbështetjen e negociatave Turqi-Bashkimi Evropian. Malta mbështet politikat e zgjerimit të BE-së. Këto përpjekje janë shumë të çmuara për një Evropë të qëndrueshme, paqësore dhe të begatë”, përfundoi presidentja malteze.
Kjo është vizita zyrtare e parë në nivel presidencial nga Malta në Turqi.
* TRT Turkey News Portal