“Prioriteti i një lideri? Ndërtimi i besimit dhe kultivimi i talenteve”

05/11/2018 5:58 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Todd Davis, Chief People Officer dhe zëvendëspresident në FranklinCovey, një emër i spikatur në SHBA, në fushën e këshillimit dhe trajnimit të biznesit, ishte një ndër folësit e edicionit të World Economic Forum, që u zhvillua në Milano më 30 tetor.

Libri i tij, «Get Better: 15 Proven Practices to Build Effective Relationships at Work» pritet të dalë së shpejti.

Në këtë event që organizohet çdo vit, i cili krahason eksponentë të shquar të ekonomisë dhe inovacionit në nivel ndërkombëtar, Davis dha kontributin prej më shumë se 30 vjet përvojë në fushën e burimeve njerëzore dhe në executive recruiting.

Përpara zhvillimit të këtij eventi, Il Sole 24 Ore zhvilloi një intervistë me Todd Davis në lidhje me marrëdhëniet ndërpersonale si një element kyç në kompanitë 3.0, instrumentet e nevojshme për ndërtimin e besimit në marrëdhëniet me punonjësit dhe elementet e nevojshme për forcimin e frymës së grupit…

Nëse marrëdhëniet ndërpersonale janë një element kyç për kompanitë e reja, në ç’mënyrë po transformohet ky aspekt në jetën e kompanive?

Marrëdhëniet efektive janë një element i rëndësishëm për arritjen e gjithë objektivave për të cilat punon një organizatë. Me rritjen e numrit të punonjësve që punojnë në distancë, nëpër gjithë botën, megjithatë, ndërtimi i marrëdhënieve mund të bëhet gjithnjë e më i vështirë. Ndërtimi dhe kultivimi i marrëdhënieve të forta kërkon kohë, por është një investim që, nëse bëhet, do të shpërbleheni.

Çfarë duhet bërë për të stabilizuar këto marrëdhënie?

Me punonjës që punojnë në distancë duhet t’i kujtojmë vetes që t’u komunikojmë informacione të ndryshme dhe të shpeshta në kohë. Unë, për shembull, bëj pjesë në ekipe të ndryshme pune që punojnë në distancë, dhe organizojmë takime të përjavshme, ku të gjithë mblidhemi nëpërmjet programeve si Zoom dhe Skype. Në këtë mënyrë mund të shikojmë njëri-tjetrin. Duket diçka e vogël, por në të vërtetë bën ndryshim në marrëdhëniet tona.

Si ia del një drejtues i lartë të ndërthurë emocionet personale dhe nevojat e kompanisë për të krijuar marrëdhënie besimi me punonjësit?

Ndërtimi i besimit është gjëja më e rëndësishme në marrëdhënien me tjerët dhe sigurisht në marrëdhënien e një drejtuesi me ekipin e tij. Ju duhet ta bëni gjithnjë këtë, duke i kujtuar vetes atë që ne e quajmë “paradigma e gjithë personit” – d.m.th ta shihni bashkëpunëtorin tuaj më shumë se thjesht një person që punon në skuadrën tuaj, ta shihni personin në tërësi, më saktësisht, duke u kujtuar, se edhe ai është i biri apo bija e dikujt. Ndoshta është bashkëshorti ose partneri i dikujt. Prind, i afërm i dikujt. Kur e mendojmë një person në këtë mënyrë, ne priremi të tregojmë më shumë konsideratë dhe respekt për njëri-tjetrin. Kam zbuluar dhe eksperimentuar që kjo qasje ndihmon në kontrollimin e emocioneve dhe shkëmbimin e bisedave në mënyrë më produktive.

Forcimi i frymës në ekip, a ekzistojnë metoda të mira për tu ndjekur dhe praktika që duhet ti shmangim?

Kompanitë dhe liderët duhet të kujtojnë gjithnjë që njerëzit e talentuar duan të bëjnë ndryshimin, duan të kontribuojnë në realizimin e diçkaje me kuptim. Duan të bëhen njerëz që kanë vlerë. Në vend të përqendroheni vetëm tek ajo që duhet të bëjnë për ju, është e rëndësishme të zbuloni se çfarë i motivon, çfarë sfidash dhe mundësish mund të rrisin nivelin e tyre të përfshirjes, pyetini vazhdimisht ata se si të zgjidhin një problem. Kjo është mënyra për t’u treguar atyre vlerësimin tuaj.

Koncepti i leadership-it po ndryshon, flitet për kompani të hapur. Në mendimin tuaj a ka një recetë të përsosur për zhvillimin e përgjegjësive të individëve duke ruajtur kontrollin e punëve të tyre?

Kam kuptuar se, nëse punëson njerëzit e duhur, ata që kanë ndërgjegje dhe kompetencën për të bërë atë punë, është shumë më mirë t’u japësh atyre sa më shumë liri veprimi, në vend që të përpiqeni t’i kontrolloni nga afër. Edhe nëse jeni lider, pra jeni përgjegjësi për rezultatin final, është thelbësore të kujtoni që ekzistojnë shumë mënyra për të arritur këtë rezultat. Është më e këshillueshme t’i lini njerëzit e talentuar të bëjnë më të mirën, duke kontrolluar herë pas herë punën e tyre bashkë me ta. Por mos i mbikëqyrni në mënyrë të tepruar, vetëm në rastin për të kuptuar se për çfarë kanë nevojë dhe se çfarë rruge duhet të ndjekin.

 

Burimi: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of