Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë thonë se pa krijimin e kapaciteteve prodhuese nuk mund të arrihet zëvendësimi i produkteve të importuara me ato vendore.
Sipas tyre, autoritetet e Kosovës duhet të tregohen më të vëmendshëm karshi kësaj çështjeje.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimi doganor, thonë pronarët e bizneseve, po vazhdojnë t’i rëndojnë prodhuesit vendorë.
Aleanca Kosovare e Biznesit në Kosovë ka filluar javët e biznesit vendor, që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e produkteve vendore.
Agim Shahini, përfaqësues i bizneseve, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kritikon autoritetet e Kosovës për mungesë të një strategjie, e cila, sipas tij, do ta avanconte rritjen e prodhimtarisë në vend. “Kosovës i mungon një strategji për zhvillim ekonomik të përgjithshëm ku aty do të specifikohen fushat, të cilave duhet t’ iu jepej prioritet. Fushatat për konsumimin e produkteve vendore nuk duhet të jenë një muaj, por gjatë tërë vitit. Ne duhet t’i vetëdijësojmë konsumatorët që të përdorin produktet vendore”, thekson Shahini.
Me gjithë fushatat e ndryshme, produktet, të cilat prodhohen në Kosovë vazhdojnë të mos e kenë fituar ende besimin e plotë nga konsumatorët, pavarësisht faktit se shumica nga këto prodhime plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.
Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët, rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e rreth 2 miliardë eurove.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.