Në mungesë të të dhënave zyrtare dhe me një numër shumë të kufizuar kontratash të bëra publike, mediat dhe analistët gjatë dekadës së fundit kanë pasur vetëm mundësi për të spekuluar mbi sasinë e parave që shpenzohen për të bindur investitorët për të ardhur në Maqedoni
Brenda pak ditësh, populli maqedonas do të mësojë detaje të rëndësishme në lidhje me miliona euro që qeveria e mëparshme ka shpenzuar për të ndihmuar dhe për të subvencionuar investitorët e huaj, tha në një deklaratë për shtyp, qeveria e re socialdemokrate.
Populli duhet të mësojë shumën totale të shpenzuar për subvencione të tilla, listën e kontratave dhe se cilët ishin ata zyrtarë të administratës së mëparshme që i cilësuan ato si të klasifikuara.
Zëdhënësi i qeverisë, Mile Bosnjakovski, tha se ky ishte hapi i parë drejt sigurimit të transparencës së plotë mbi shpenzimet publike, pas ardhjes në pushtet.
“Investitorët e huaj do të qëndrojnë këtu dhe do të mbrohen”, i siguroi ai gazetarët gjatë konferencës për shtyp. “Deklasifikimi (i kontratave) është në interesin publik, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush ka marrë fonde publike dhe sa kanë qenë ato”, shtoi ai.
Ai tha se deklasifikimi i këtij informacioni, i cili ishte gjerësisht i padisponueshëm gjatë dhjetë viteve të qeverisë së mëparshme VMRO-DPMNE, ishte pjesë e planit të qeverisë së re “3-6-9”.
Kjo përfshin një listë të 70 reformave të shpejta të BE-së që duhet të përfundojnë deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Administrata e mëparshme i klasifikoi kontratat me investitorët e huaj, duke këmbëngulur se zbulimi i detajeve do të rrezikonte interesat e tyre private dhe mund të pengonte edhe ardhjen e investitorëve të tjerë. Në mungesë të të dhënave zyrtare dhe me një numër shumë të kufizuar kontratash të bëra publike, mediat dhe analistët gjatë dekadës së fundit kanë pasur vetëm mundësi për të spekuluar mbi sasinë e parave që shpenzohen për të
bindur investitorët për të ardhur në Maqedoni.
Nxitjet financiare varionin nga paratë që do të përdoreshin për fushata marketing, për subvencione për punësim, për ndërtimin e shesheve dhe fabrikave, për kostot operative dhe zbritjet ose përjashtimet nga taksat.
Sipas analizës së BIRN, të publikuar në shkurt të këtij viti, bazuar mbi një studim të buxheteve, gjatë dekadës së fundit, Maqedonia shpenzonte së paku 150 milionë euro për tërheqjen e investimeve të huaja, vlerë kjo e barabartë me më shumë se gjysmën e vlerës së investimeve që tërhoqi vendi.
Po sipas të njëjtës analizë u zbulua se shumica e parave u shpenzuan nga dy institucionet kryesore të krijuara për këtë qëllim, Agjencia për Investimet e Huaja dhe Promovimin e Eksporteve dhe Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Industrial Teknologjik.
Baza e të dhënave nga BIRN-i, “Investimet e huaja të zbuluara”, ka bërë publike një hendek të madh midis njoftimeve qeveritare mbi investimet dhe asaj që ka ndodhur në të vërtetë.
Sipas saj, që nga viti 2007 deri në vitin 2016, u deklarua se 43 investime do të ndodhnin vetëm në zonat e veçanta të zhvillimit industrial, me një vlerë totale prej 1.16 miliardë eurosh, nismë kjo sipas së cilës do të hapeshin edhe rreth 26.730 vende të reja pune.
Megjithatë, deri më tani, 13 fabrika janë hapur në këto zona, me një investim total me vlerë 231.5 milionë euro, duke punësuar vetëm 6.862 njerëz.