Ministria e Bujqësisë ka bërë gati një sistem të dhënash me tokat në pronësi të shtetit që i jepen privatëve për tu zhvilluar nëpërmjet qiramarrjes.
Gjithsej janë 16371 hektarë të shpërndara në të gjithë vendin në 7563 parcela. Shumica e këtyre parcelave janë shumë më pak se një hektarë dhe tokat janë shpërndarë në të gjithë territorin. http://www.bujqesia.gov.al/qiradhenia-e-tokave-bujqesore/
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë shumica e tyre janë toke arë dhe pemëtore.
Toka e shtetit jepet me qira kundrejt një afati 30 vite kur përdoret për pemëtore dhe bimë arash dhe 99 vite kur përdoret për ullishte sipas një udhëzimi që qeveria lëshoi më herët gjatë gushtit të këtij viti.
Vlera vjetore e dhënies me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit shkon nga 5000 deri 22,000 lekë për hektarë në vit.
Por përcaktimi i vlerës së qirasë për çdo tokë bujqësore shtetërore, objekt i kërkesës për qiramarrje, për të cilën do të shpallet procedura konkurruese, përcaktohet nga struktura përgjegjëse.
Të ardhurat financiare, që sigurohen nga dhënia me qira e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, arkëtohen për llogari të buxhetit të shtetit. Qiramarrësi e kryen paraprakisht pagesën e vlerës vjetore të qirasë, brenda tremujorit të parë të vitit përkatës, për të cilin paguhet qiraja
Dhënia me qira e tokave bujqësore në pronësi të shtetit realizohet nëpërmjet procedurës së ankandit. Subjektet e përcaktuara kërkojnë për të marrë me qira tokë bujqësore shtetërore, paraqesin kërkesën pranë strukturës përgjegjëse të qiradhënësit që është Ministria e Bujqësisë.
Qimarrësi duhet të të paraqesë një përshkrim të përgjithshëm të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet mbi tokën, objekt kërkese, për qiramarrje, në të cilën të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit, të shprehura në vlerë, që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve.
Gjithashtu qiramarrësi duhet të zotërojë dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Jam i interesoar per tre ektar tok brenda rredhit te tiranes te jet e pershtatshme per vreshtari