Autoriteti i Konkurrencës, pasi ka shqyrtuar kërkesën e ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, ka vendosur ta rrëzojë këtë kërkesë, pasi e ka gjetur të pabazuar në ligj.
Në relacionin e tij, Autoriteti i Konkurrencës sqaron dhe arsyet e këtij vendimi.
Më datë 25.06.2014, pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar një kërkesë nga ndërmarrja “ Rapiscan Systems ICN” me atë të të cilës kjo ndërmarrje kërkon revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”
Autoriteti i Konkurrencës e ka nisur procedurën e vlerësimit ex-post të kontratës koncensionare në zbatim të nenit 2, pika 1, germa c) dhe nenit 69, pika 1 germa b) të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar).
Autoriteti i Konkurrencës sqaron në relacionin e tij se ka detyrimin ligjor të vlerësojë shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës edhe në tregjet në të cilat janë dhënë të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose produkte të caktuara, duke dhënë edhe mendime dhe rekomandime në lidhje me këto të drejta. Ky vlerësim realizohet edhe për zbatimin e Politikës Kombëtare të Konkurrencës për liberalizimin e tregjeve, detyrim që rrjedh edhe nga proçeset e integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas Konkurrencës, rRevokimi i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës mund të bëhet vetëm nëse plotësohet njëri nga kriteret e parashikuara në nenin 46 të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Sipas këtij neni, Komisioni mund të revokojë ose të ndryshojë vendimet e veta, duke vendosur kushte a detyrime, ose të rifillojë procedurën kur:
a) njëri ose disa nga faktet që kanë shërbyer si bazë për dhënien e vendimit kanë ndryshuar;
b) palët shkelin një ose disa detyrime, të parashikuara në vendim;
c) vendimi është bazuar në të dhënat jo të sakta ose është marrë nëpërmjet mashtrimit.
Nga vlerësimi i kërkesës së ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “ Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit” dhe i argumenteve të dhëna nga kjo ndërmarrje, konstatohet se nuk ndodhemi para kushteve të sipërcituara. Pra, në kuptim të nenit 46 të Ligjit 9121, datë 28.09.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, kërkesa e ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në këtë nen.
Si rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së ndërmarrjes “Rapiscan Systems ICN” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 319, datë 13.06.2014 “ Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, si të pabazuar në ligj dhe prova.
Autoriteti ka lënë në fuqi vendimin nr. 319, datë 13.06.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”
Në këtë vendim, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandonte Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, rishikimin e kontrates koncensionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. http://www.monitor.al/konkurrenca-rekomandon-rishikimin-e-kontrates-per-skanimin-e-konteniereve/
Ky vendim erdhi, pasi nga shqyrtimi i dokumentacionit rezultoi se Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave gjatë procedurës për dhënien e koncensionit sipas procedurës së ndjekur nuk ka respektuar detyrimin e nenit 2/1c dhe 69/1/b të ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” pasi nuk kanë zbatuar detyrimin për të marrë vlerësimin e Autoritetit për këtë akt që (germa b) ka vendosur të drejta ekskluzive për ndërmarrjen Rapiscan për produktin e skanimit të kontenierëve dhe automjeteve të tjera.