Arsimi i lartë në vendet e Ballkanit është një mundësi që mund ta shfrytëzojnë më së shumti ata që kanë të ardhura të larta, teksa në Shqipëri të varfrit e kanë gati të pamundur të vijojnë arsimin e lartë sipas të dhënave nga World Inequality Database on Education, përpunuar nga fondacioni gjerman, Friedrich Ebert në raportin “Pabarazia në Europën Juglindore”.
Të dhënat tregojnë se 59% e atyre që ndjekin arsimin e lartë në Shqipëri janë nga shtresat e pasura të vendit, ndërsa vetëm 1 për qind nga shtresat e varfra kanë akses në arsimin e lartë, qoftë publik apo privat.
Me këtë përqindje Shqipëria është vendi që jep më pak mundësi për arsimin e të varfërve në raport me rajonin. Në Bosnjë, ndër studentët në universitet 8% janë nga shtresat e varfra, Kroaci 11% e studentëve vijnë nga shtresat e varfra, në Maqedoni 4% dhe në Serbi 10%.
Duke lexuar këto të dhëna Fondacioni gjerman, Friedrich Ebert, analizon se mungesa e qasjes në arsim cilësor përbën një kërcënim serioz për barazinë në rajon.
Njerëzit me arsim të ulët janë më të rrezikuar për të rënë në varfëri, ashtu si edhe prindërit e tyre.
Përfundimi i niveleve më të larta të arsimit krijon një perspektivë më të mirë për individët në tregun e punës e për pasojë, në të ardhurat e tyre.
Punonjësit e arsimuar kanë tendencë të kenë një nivel më të lartë të ardhurat dhe janë më pak të rrezikuar të përballen me varfërinë.
Arsimi fillor dhe i mesëm në rajon është kryesisht i lirë, ndërsa arsimi i lartë në pjesën më të madhe të rasteve sigurohet nga institucionet publike të arsimit të lartë, pa pagesë ose me pagesë të ulët. Shumica dërrmuese e studentëve ndjekin universitetet publike.
Niveli i shkollimit bëhet shkak për rritjen e pabarazisë. Personat me nivele më të larta arsimimi kanë tendencë të jetojnë në zona urbane ose vijnë nga familje më të pasura.
Në krahasim me popullsinë e përgjithshme, nivelet e arritjeve arsimore janë më të ulëta për romët, gjë që ndikon në perspektivat e punësimit të tyre.
Gjithashtu personat me aftësi të kufizuara shpesh përballen me një rrezik përjashtimi nga arsimi.
Për më tepër, cilësia e dobët e arsimit në rajon mund të çojë në përjashtimin social të të rinjve.
Si pasojë të rinjtë mund të jenë në një pozitë të pafavorshme në krahasim me grupet e tjera të popullsisë, siç e pasqyron edhe tregu i punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.