Reformat do të hapin rrugën për investitorët

04/10/2016 12:52 PM 0 komente

Intervistë me Grupin Çalik

I rëndësishëm është suksesi në zbatimin e reformave. Reformat do të hapin rrugën për ardhjen e më shumë investitorëve. Kohët e fundit, hapat pozitivë të ndërmarrë nga qeveria në drejtim të përmirësimit të klimës së investimeve kanë sjellë buzëqeshjen në fytyrat e investitorëve të huaj

Grupi Çalik, një ndër grupet më të mëdha në vend, që zotëron kompanitë ALBtelecom dhe BKT, vlerëson hapat e ndërmarrë nga qeveria për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Në një intervistë për ‘Monitor’, që u përgatit në kuadër të numrit special për renditjen e 200 kompanive më të mëdha, por që nuk arriti të botohej për arsye teknike, Grupi Çalik thekson se i rëndësishëm është suksesi në zbatimin e reformave. Reformat do të hapin rrugën për ardhjen e më shumë investitorëve

Si e shihni ecurinë e grupit tuaj në vitin 2015?
Me strukturën tonë të fortë financiare dhe burimet njerëzore kompetente, ne si Çalik Holding kemi vënë në zbatim projekte të veçanta, duke e lënë pas me sukses vitin 2015, edhe pse në ndikimin e trazirave globale.
Me anë të investimeve tona në të gjitha vendet ku operojmë, mundësitë e punësimit dhe duke i shtuar vlerë ekonomive të këtyre shteteve, përmes produkteve dhe shërbimeve tona, mundohemi që t’u ofrojmë përfitime komuniteteve vendase me anë të perspektivës së vazhdueshme dhe projekteve tona të përgjegjësisë sociale. Në këtë periudhë ku likuiditeti global është zvogëluar dhe perceptimi i riskut në krahasim me vitet e kaluara ka rënë, kemi shënuar rritje në të gjitha fushat ku ne operojmë.
Kompanitë e Çalik Holding në Shqipëri kanë kryer veprimtari të suksesshme gjatë vitit 2015. Banka më e madhe dhe më fitimprurëse në Shqipëri, Banka Kombëtare Tregtare, në 90-vjetorin e themelimit të saj ka shtuar në rrjetin e shërbimeve edhe degën e 90. Në vitin 201, për të tretën herë radhazi, ka fituar të gjitha çmimet që jepen në Shqipëri për bankën më të mirë. Asetet e BKT-së, si banka më e vjetër e Shqipërisë në fund të vitit 2015, arritën në 2.5 miliardë euro dhe rritja vjetore u realizua në vlerën 10.5%. Totali i depozitave të bankës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u rrit me 277 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 2.04 miliardë euro. Në këtë mënyrë, ajo konsolidoi pozicionin e saj udhëheqës në treguesit kryesorë si: asete, depozita të kredive dhe kapital. BKT, me strukturën e saj të fortë të kapitalit dhe me përvojën e saj në sektorin bankar, u vlerësua në tetor nga ana e JCR Eurasia Rating për përputhshmërinë me Kodin Shqiptar të Qeverisjes së Korporatave me AAA, ndërsa perspektiva e saj u konfirmua si “e qëndrueshme”.
Kompania jonë ALBtelecom, që ofron shërbim në fushën e telekomunikacionit në Shqipëri, në vitin 2015, në kuadër të partneritetit që vazhdon me SAP, përfundoi me sukses projekte të mëdha teknologjike e transformuese, centralizoi sistemet, hodhi suksesshëm në treg produkte dhe shërbime të cilësisë më të lartë, me në fokus kryesor klientin. ALBtelecom, duke iu përafruar ndryshimeve globale me profesionalizëm, ruan rolin e saj kryesues në këtë sektor në Shqipëri. Në mars të vitit 2015, me marrjen e licencës 4G/LTE, i ofroi klientëve teknologjinë 4G dhe rriti më tepër cilësinë e shërbimit. ALBtelecom me infrastrukturën e fuqishme, cilësinë e të dhënave dhe investimet e vazhdueshme qëndron gjithmonë një hap përpara konkurrentëve dhe me licencën 4G, synon të udhëheqë sektorin në këtë fushë.
Si rrjedhojë e filozofisë së shërbimit dhe punës së kualifikuar që i shton vlerë imazhit të ALBtelecom, në vitin 2015 numri i abonentëve është rritur, duke arritur në 665 mijë abonentë. Kompania, e cila ka adoptuar standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë në punë zotëron certifikatat: ISO 27001 (sistemi i menaxhimit të të dhënave të sigurisë) dhe ISO 9001 (sistemi i menaxhimit të cilësisë).
Ne kemi shënuar rritje dhe zhvillim të rëndësishëm në rajonet ku jemi të angazhuar dhe në fusha të tjera në të cilat operojmë. Bashkëpunimi 20-vjeçar i Çalik Enerji me kompaninë Mitsubishi Corporation u shndërrua në partneritet. Përveç rritjes së fortë në këtë sektor, Çalik Enerji në listën e vitit 2015 “Kompanitë Ndërkombëtare Kontraktuese ENR”, të përgatitur në përputhje me të dhënat e vitit 2014, u rendit e 89-a, ndërsa në kategorinë e termocentraleve të karburantit fosil, kompania u rendit në vend të 6.
Kompania jonë, Gap Construction, e cila vazhdon me sukses projektet e Portit Detar Ndërkombëtar Turkmenbashi dhe fabrika e plehut të bimëve Garaboğaz në vitin 2015 kanë përfunduar me sukses projektin e Qendrës Shkencore, e cila hedh dritë mbi aplikimet kirurgjikale stimuluese dhe robotike, të prodhuara me teknologji të zhvilluar.
Çalik Denim, një kompani tjetër e Çalik Holding, në vitin 2015 arriti shifrat më të larta të shitjes në 10 vitet e fundit, me shitjen e 34 milionë tonelata metrike tekstil. Kompania, me një investim prej 23.8 milionë dollarësh amerikanë në fushën e thurjes, ngjyrosjes, tjerrjes dhe trajtimit të tekstilit, ka shtuar shumë konsumatorë të rinj në Perëndim dhe Lindjen e Largët. Rritja është e vazhdueshme edhe në kompanitë Çalik Cotton dhe Lydia Madencilik.
Krahas BKT-së, e cila operon në sektorin financiar në Shqipëri, Çalik Holding operon në këtë sektor në Turqi, përmes kompanisë së shquar Aktif Bank, e cila vazhdon strategjinë bankare mbi të cilën është themeluar jo përmes degëve, por përmes kanaleve alternative të shpërndarjes, duke shtuar sinergjinë mes filialeve të veta dhe duke përqendruar rritjen në fushat ku është më e fortë.
Çalik Holding, që nga fillimi i vitit 2015 e në vazhdim, ka bërë shumë hapa në drejtim të implementimit të projektit të kalimit nëpërmjet parimit udhëheqës të 3 elementeve (Vlera, Transformim, Solidaritet) nga Grup Operacional në Grup Strategjik. Duke përfunduar transformimin strategjik dhe strukturor të kompanive tona, me këtë projekt kemi planifikuar të njëjtën perspektivë qeverisjeje korporative, për të përmbushur punën në mënyrë sa më efikase.
Në këtë kontekst, duke rishikuar proceset e përbashkëta të biznesit jemi ristrukturuar. Përveç kësaj, ne kemi krijuar “Sistemin e Menaxhimit të Performancës Strategjike”. Në vitin 2016 do të vazhdojmë të bëjmë diferencën me qasjen tonë drejt shërbimit me standarde ndërkombëtare dhe të drejtojmë në sektorët ku operojmë nëpërmjet vendimeve largpamëse dhe njohurive solide nga e kaluara jonë. Natyrisht, e gjithë kjo në sajë të kontributeve të vlefshme të kolegëve tanë të kualifikuar.

Cilat janë planet e investimit dhe zgjerimit në të ardhmen?
Me shpirtin sipërmarrës dhe dinamizmin që kemi, duke i shtuar vizionit tonë, sektorit ku ne veprojmë, projekte që janë të ndjeshme ndaj mjedisit dhe që kanë në qendër njeriun, ne do t’i shërbejmë një të ardhmeje të qëndrueshme për Turqinë dhe botën. Në vitin 2016, kryesisht qëllimi ynë është që të vazhdojmë rritjen tonë organike dhe fitimprurëse në fushat e specializuara.
Ne si Grup po bëjmë përpjekje për të qenë një nga kompanitë e së ardhmes, si dhe kemi plane për 10 vitet në vazhdim për të ecur drejt parimit tonë “Vlera, Transformim, Solidaritet”.
Në fillim të këtij viti, në seminarin që patëm me menaxherët tanë, ne caktuam vizionin, misionin dhe vlerat tona të reja të kompanisë. Në njëfarë mënyre, bazuar në të kaluarën 35-vjeçare dhe në vlerat tona që na bëjnë këta që jemi, ne përcaktuam vlerat e reja, të përbashkëta që do të na shoqërojnë në të ardhmen. Vizioni ynë, për të cilin ne besojmë se do të hedhë dritë mbi të ardhmen e sipërmarrjes sonë, është:
“Me ekipet tona që marrin fuqi nga fryma jonë sipërmarrëse e fokusuar në inovacion, në vitin e 44-t (në 2025) të rritemi 4 herë në katër kontinentet, në çdo fushë ku ne veprojmë, duke shtuar vlera për çdo njeri”.
Misioni ynë, që kemi përcaktuar me idenë e përmirësimit të cilësisë së jetës së njerëzve është: “Të kontribuojmë në rritjen e mirëqenies, duke prodhuar zgjidhje që shtojnë vlera për jetën e njerëzve në të gjitha vendet ku ne veprojmë me aftësitë dhe energjitë tona”. Ne do të vazhdojmë të mbajmë suksesin tonë me të gjithë fuqinë, duke mbajtur lart parimet tona të biznesit dhe vlerat e korporatave, të cilat janë burimi i qëndrimit dinjitoz dhe besueshmërisë së markës Çalik.
Grupi Çalik e ka nisur aktivitetin në vitin 1981 në industrinë e tekstilit dhe tashmë është bërë një konglomerat me rreth 28,000 punonjës, që operon në 17 vende, në 6 sektorë.
Që nga dita që është themeluar e deri më tani, Çalik Holding ka qenë një kompani që me vendimet strategjike të investimeve shton vlera në ekonomi dhe është në rritje të vazhdueshme.
Me investimet tona në Shqipëri, ne do të vazhdojmë të shtojmë vlera për shoqërinë dhe ekonominë ku ushtrojmë aktivitetin.
Në çdo lloj shërbimi që BKT ka ofruar për klientët gjatë vitit 2016, ajo do të fokusohet në projekte të transformimit të infrastrukturës që përfshin automatizimin e procesit, projekte këto që do të rrisin cilësinë, dhe do të ndjekë një strategji që do të rrisë pozitivisht eksperiencën e klientit si në përdorimin e kanaleve dixhitale ashtu dhe në përdorimin e degëve. Besimin që klientët kanë te ne, do të përpiqemi t’ua shpërblejmë me anë të shërbimit më të mirë dhe ofrimit të risive.
Ne i ndjekim nga afër zhvillimet e sektorit financiar; pa ulur cilësinë aktive, normat e të ardhurave dhe veçanërisht aktivitetet tona bankare, synojmë të vazhdojmë punën tonë duke zhvilluar fuqinë konkurruese.
Ndërsa ALBtelecom ka për qëllim të rrisë përdorimin e internetit mbi 45%; në fund të vitit 2016 planifikon të rritet në treg me 20% në tregun e telefonisë celulare, si dhe ka për qëllim të jetë një pionier i industrisë në fushën 4G në Shqipëri. Kjo kompani ndjek nga afër nevojat e klientëve dhe do të vazhdojë të investojë për të ofruar komunikimin më cilësor.
Në sajë të njohurive dhe përvojës që kemi në fushat ku ne veprojmë, veçanërisht në sektorin energjetik dhe të ndërtimit ku jemi të specializuar, dëshirojmë të vazhdojmë bashkëpunimin me partnerë të fuqishëm dhe projekte të reja, në çdo zonë gjeografike ku operojmë apo planifikojmë të kemi aktivitete të reja. Krahas kësaj, ne i japim shumë rëndësi aktivitetit të gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe ndjekim nga afër zhvillimet globale në këtë sektor.
Në raportin e OPEC-ut për 2015-n për “Gjendjen Botërore të Naftës”, parashikohet që kërkesa për energji të rritet me 47%, gjatë 25 viteve të ardhshme.
Ndërkohë që rëndësia e diversitetit të burimeve të energjisë në mbarë botën po rritet, roli i burimeve të ripërtëritshme të energjisë për të përmbushur kërkesat për energji është i pamohueshëm.
Në këtë kontekst, mund të themi se investimet për projektet e prodhimit të energjisë elektrike (hidroelektrike, energji të erës, diellit dhe qymyrit) do të vazhdojnë, si dhe do të bëhen në vende dhe kushte strategjike, duke ruajtur fuqinë konkurruese.
Në sektorin e tekstilit, ku ne kemi përvojën më të madhe, do të vazhdojmë të jemi të qëndrueshëm. Ne planifikojmë të vazhdojmë rritjen tonë përmes investimeve strategjike dhe zgjidhjeve të reja. Sektori i minierave, që është edhe më i riu në grupin tonë, është një prej sektorëve më strategjikë të portofolit tonë. Duke ndjekur nga afër çmimet e artikujve të përdorimit të gjerë, planifikojmë të vazhdojmë investimet tona në këtë sektor me zbulime të reja dhe partneritete të fuqishme.

Si do ta vlerësonit mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri?
Prej një kohe të gjatë jemi duke bërë biznes në Shqipëri, fakt që ka rëndësi në aspektin ekonomik dhe tregtar në rajon. Si Çalik Holding, kemi krijuar marrëdhënie shumë serioze, me një mirëkuptim të ndërsjellë me qeverinë shqiptare dhe me gjithë institucionet shtetërore.
Shqipëria mbetet e preferuar nga investitorët e huaj, prej pozicionit gjeografik që ka, pasi është një portë për hyrjen në Europën Perëndimore. Ajo ka bërë hapa të rëndësishëm në vitet e fundit për të përmirësuar mjedisin e investimeve dhe vazhdon të bëjë përmirësime të vazhdueshme. Frytet e këtij përmirësimi do të vijnë duke u rritur me kohën.
Megjithatë, më i rëndësishëm është suksesi në zbatimin e reformave. Reformat do të hapin rrugën për ardhjen e më shumë investitorëve. Kohët e fundit, hapat pozitivë të ndërmarrë nga qeveria në drejtim të përmirësimit të klimës së investimeve, kanë sjellë buzëqeshjen në fytyrat e investitorëve të huaj.
Shqipëria ka një popullatë të re dhe një treg shumë dinamik, ndërkohë në sektorët e energjisë telekomunikacionit dhe turizmit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe është bërë progres.
Ne si grup kemi besuar në potencialin e investimit në Shqipërisë dhe konkretisht kemi investuar në dy sektorë që për ne kanë rëndësi. Investimet në sektorin bankar dhe telekomunikacion janë dëshmi e besimit që kemi në Shqipëri. Investitorët e huaj i japin rëndësi parësore mjedisit të investimit. Parametra të tillë si ata: ligjorë, financiarë, strukturat burokratike dhe paralel me to funksionimi i shëndoshë i stabilitetit ekonomik dhe politik janë jetike për vazhdimësinë e investimeve. Këto parametra janë kriteret kryesore që eliminojnë rrezikun e paqëndrueshmërisë. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në vitet e fundit për të përmirësuar mjedisin e investimeve dhe po ashtu vazhdon të bëjë përmirësime. Ndikimet pozitive të këtyre përmirësimeve do të sjellin rritjen e rëndësisë së Shqipërinë në rajon.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz