“Rrjeti absolut në Shqipëri”; “Vodafone është rrjeti më i shpejtë, 60 % më i lartë se operatorët e tjerë”. Këto shprehje që operatori celular Vodafone, më i madhi në treg, ka përdorur në reklamat e tij të fundit, kanë nxitur një konflikt mes tij dhe Telekom Albania. Kjo e fundit është ankuar pranë Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve se Vodafone ka prezantuar një fushatë publicitare për shërbimin e internetit që ofron, duke përdorur shprehje, me anë të të cilave përcaktohet superioriteti i këtij shërbimi.
Telecom Albania pretendon se publiciteti i Vodafone Albania sh.a, duke përdorur mesazhin “Rrjeti absolut në Shqipëri”, është një pohim çorientues, i pasaktë, e për këtë arsye transmetimi dhe shfaqja e saj për publikun përbën një praktikë të padrejte tregtare.
Komisioni, pohon se për një vlerësim të plotë i ka kërkuar Vodafone Albania, pasi e ka njoftuar për nisjen e procedurës administrative, që të paraqesë informacion apo të japë shpjegim në lidhje me ankesën e Telekom Albania.
Vodafone ka pohuar se publiciteti, duke përdorur frazën “Rrjeti absolut në Shqipëri”, nuk përben praktike orientuese, pasi kjo frazë është e bazuar në analizën e të dhënave të mbi 70,000 testeve të kryera në periudhën Janar-Qershor nga kompania Ookla, që zotëron Speedtest, për analizimin e të dhënave.
Pasi Komisioni i është drejtuar për vlerësimin e shpejtësisë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe ky i fundit ka pohuar se “shpejtësia e shërbimit të ofruar varet nga vendi, kushtet teknike të matjeve, përdoruesit e lidhur në kohen e matjeve, teknologjia e shërbimit, etj. Në disa zona të ndryshme të matura, rrjeti i Vodafone Albania rezulton me shpejtësi më lë lartë se rrjetet e operatoreve të tjerë, por në disa zona të tjera rezulton me shpejtësi më të ulët se operatorët e tjerë. Dhe si konkluzion reklama e “Vodafone është rrjeti më i shpejtë me të paktën 60 % më i shpejtë në të gjithë territorin e RSH nuk qëndron”, thotë AKEP.
Pas informacioneve të marra, Komisioni ka vlerësuar se praktika tregtare e Vodafone është e padrejtë. Komisioni gjatë zhvillimit të procedurës administrative konstatoi se të dhënat e publikuara në reklamën e Vodafone Albania, nuk përputheshin me të dhënat statistikore dhe analizën e matjeve të shpejtësisë për shërbim të internetit të ofruar nga operatorët e rrjeteve mobile të teknologjisë 2G/3G/4G të kryer nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare gjatë vitit 2017 dhe janar 2018 ( periudhë gjatë së cilës është transmetuar reklama). Komisioni gjykon se publiciteti përmban informacion të rremë dhe për rrjedhojë është e pavërtetë”.
Për rrjedhojë Komisioni i Mbrojtjes së Konkurrencës vendosi në fund të muajit shkurt që Vodafone Albania duhet të ndalojë transmetimin e publicitetit në të gjitha mjetet e komunikimit (televizion, internet, radio. shtyp i shkruar. etj.)