Remitancat vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, por ato kryesisht përdoren për financimin e konsumit të brendshëm, e jo për investime. Njohës të çështjeve ekonomike thonë se qeveria e ardhshme duhet të krijojë politika të përshtatshme për investimin e tyre në biznese, që do të krijonin vende të reja të punës në Kosovë.
Drejtori i Institutit Kosovar për Menaxhim, Ilir Rexhepi, thotë se dërgesat duhet të orientohen më shumë nga investimet.
Sa i përket pjesës për investime, ato do të jepnin më shumë efekt në Kosovë, por që realisht, fatkeqësisht deri sot nuk ka pasur asnjë iniciativë, qoftë nga institucionet, qoftë nga asociacionet e bizneseve të ndryshme, të cilat do të rezultonin me ndonjë konkretizim të këtyre investimeve në Kosovë”, thotë Rexhepi.
Vlera e remitancave vazhdon të jetë e lartë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, vlera e tyre ka arritur në 130.8 milionë euro, apo 3 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për lirimin nga tatimi prej 3 deri në 7 vjet për investimet e reja, varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i të punësuarve. Ky vendim sipas Rexhepit është i mirë, por ai thekson se duhet të krijohen lehtësira për të gjitha kategoritë e bizneseve.
Në caktimin e kushteve do duhej të ishte marrë parasysh mundësia për krijim të bizneseve të vogla e të mesme, e jo për biznese të mëdha në mënyrë të domosdoshme, sepse kjo e limiton mundësinë e njerëzve që kanë dëshirë, kanë shkathtësi, kanë kapacitet për të investuar, por në anën tjetër nuk mund të përfitojnë sepse kuotat janë kryesisht për biznese të mëdha”, thekson ai.
Rexhepi rekomandon që qeveria e ardhshme të krijojë kushte më të mira, që mërgimtarët tanë të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.