Bankierët vërejnë se biznesi ka pak interes për kredi, sidomos për investime të mëdha. Por sipërmarrësit fajësojnë bankat për “ngurtësi” dhe burokraci të mëdha…
Nga Laura Çela
Kredia për ekonominë po njeh rënie të shpejtë në muajt e fundit dhe shifrat më të fundit zyrtare, të muajit gusht, konfirmojnë ritmet më të shpejta rënëse të dekadës. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë kredia për ekonominë zbriti me 1.3% me bazë vjetore.
Pothuajse asnjë sektor nuk ka arritur të rrisë stokun e huasë muajt e fundit, sipas të dhënave më të detajuara që janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë, duke nënkuptuar që bankat janë përqendruar në mbledhjen e kredive të dhëna tashmë dhe i kanë kushtuar shumë pak vëmendje financimit të ekonomisë.
Sipas bankierëve, janë pikërisht bizneset ato që kërkojnë më pak kredi për investime dhe kanë ende interes të pakët në ndërmarrjen e investimeve të mëdha.
“Në përgjithësi, bizneset kanë marrë më pak kredi për të financuar kapitalin qarkullues dhe pasuritë e paluajtshme, por nga ana tjetër kanë vazhduar të marrin kredi për blerjen e pajisjeve. Nevojat afatshkurtra për financim janë plotësuar me overdraft dhe linja kredie afatshkurtra. Bizneset vazhdojnë që të jenë të përqendruara në menaxhimin afatshkurtër të bizneseve të tyre, duke vazhduar të jenë të tërhequr në ndërmarrjen e projekteve dhe planeve për zhvillim afatgjatë”, thotë Adela Leka, anëtare e Drejtorisë Ekzekutive në “ProcreditBank Albania”.
Rënia e kredisë për biznesin konfirmohet nga të gjithë bankierët e intervistuar nga revista “Monitor”. Sipas tyre, bankat kanë interes dhe kanë kushte të njëjta në dhënien e kredive, por është biznesi ai që ende nuk po merr iniciativën e investimeve.
Ndryshe e mendon biznesi…
Bardhi Sejdarasi, Drejtor i Përgjithshëm i organizatës së biznesit, “BiznesAlbania”, thotë se bankat vijojnë të jenë shumë të ngurta dhe i “lodhin” sipërmarrësit me kushtet e burokracitë e shumta.
“Duke qenë se bankat, gjatë viteve të fundit, kanë shfaqur ngurtësi dhe mosbashkëpunim me biznesin, tashmë sipërmarrjes do t’i duhet ende kohë që të rikthehet tek to.
Bankat kanë kërkuar dhe kërkojnë ende shumë dokumentacion në marrjen e një kredie dhe kishte shumë burokraci. Kjo e ka stepur dhe do të vazhdojë ta stepë biznesin”, thotë z. Sejdarasi.
Sipas “BiznesAlbania”, tani që zgjedhjet e përgjithshme përfunduan dhe qeveria e re ka nisur punën, edhe biznesi është më i qetë për të ndërmarrë investime të reja. Por sërish për sipërmarrësit, ende nga bankat, me gjithë dëshirën e mirë që mund të kenë për të bashkëpunuar me biznesin, nuk po vihet re ndonjë ndryshim në sjelljen e tyre.
“Vijojnë të jenë shumë strikte, sidomos te pjesa e kolateralit, ku kriteret janë shumë të forta. Ne kemi raportime nga sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm, që nga peshkimi, ndërtimi, shërbimet etj., dhe në të gjitha evidentohet burokraci e tepërt bankare. Kjo sigurisht përkthehet në kosto më të larta, megjithëse interesat e kredive në pamje të parë mund të jenë edhe të ulëta”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i “BiznesAlbania”.
Biznesi:Bankat aspak bashkëpunuese
Kreu i Konfindustria Shqiptare, Hajredin Fratari shkon edhe më tej në ‘gjykimin’ e tij për bankat në vend.
“Bankat janë duke e çuar në falimentim biznesin vendas. Ato e kanë futur Shqipërinë në zonën e riskut dhe prandaj japin kredi me interesa të larta. Është paradoksale sesi në një kohë krize, kur biznesi po vuan për likuiditete, bankat vijojnë të regjistrojnë fitime të larta”, thotë z.Fratari.
Sipas tij, bankat vendase ngaqë po investojnë në bono thesari, ku interesat kanë qenë të larta dhe vijojnë të mbeten interesante, duken të painteresuara të japin kredi për biznesin.
“Kreditë në Shqipëri është janë shumë të shtrenjta, gati i marrin shpirtin biznesit. Është paradoksale sesi interesat e depozitave janë të ulëta ndërkohë që kreditë arrijnë interesa deri në 10%”, shton Fratari.
Në Konfindustria Shqiptare ka pasur edhe raste të kompanive, sidomos ato të infrastrukturës, të cilat në kushtet kur kishin fituar tendera për ndërtimin e rrugëve dhe nuk kishin marrë asnjë pagesë nga qeveria, u drejtuan nga bankat për të marrë hua për të financuar aktivitetin. Ato u refuzuan dhe u detyruan të merrnin hua me ‘fajde’ ku interesat janë shumë të larta dhe kostot si pasojë rriten në mënyrë të ndjeshme.
‘Mund të konfirmoj se dy biznese kanë humbur pasuri të tyre, që i kishin vënë si kolateral për fajden e marrë, sepse interesat për t’u paguar ishin shumë të larta. Prandaj, sipas nesh, gjëja e parë që duhet të bëjë qeveria është pagesa e borxhit që i kanë kompanive private, që siç është konfirmuar edhe nga kryeministri arrin në 400 milionë dollarë. Kjo gjë, që është premtuar tashmë prej z.Edi Rama, do të sjellë një frymëmarrje të madhe”, thotë kreu i Konfindustria Shqiptare.
INTERVISTA/Flet Fatih Karli, Drejtor i Bankingut Individual në Bankën Kombëtare Tregtare
“Rënie në kreditë për tregtinë dhe bar/restorantet”
Muajt e fundit, kreditimi bankar ka shënuar tendencë rënëse. Sa shqetësuese është kjo për ekonominë?
Nëse bëjmë një shpjegim teorik, kërkesa e ulët e investimeve mund të ndikojë në normën e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe mund të ketë disa efekte negative në krijimin e vendeve të reja të punës.
Por kjo varet nga fakti nëse kërkesa e ulët e investimeve është e përkohshme ose e përhershme. Për një kërkesë të ulët duhet të konsiderohet si normale, për shkak të periudhës së tranzicionit. Por rënia e kredisë së re nuk është aq e mprehtë, disa luhatje janë të zakonshme në sektorin bankar. Shifrat e muajit korrik ishin të larta në krahasim me shkurtin dhe marsin.
Ku ka më tepër rënie, tek individët apo bizneset? Pse?
Nëse ne shikojmë në të dhënat e statistikave të reja të disbursimit të kredisë, ne mund të kuptojmë se ulja buron kryesisht nga kreditë e biznesit, ka pasur rritje të lehtë te kreditë e retail. Tregtia dhe bar/restorantet ishin sektorët më të fjetur në drejtim të kërkesës për investime të reja. Por, nëse bëjmë një krahasim me muajt e mëparshëm, ngadalësimi nuk është i konsiderueshëm. Megjithatë, pas muajit korrik, prirja rënëse e kërkesës për investime ka qenë e vazhdueshme.
Nuk ka kërkesë për kreditim apo ju keni refuzuar më shumë kërkesa?
Nuk ka diferencime në politikën tonë të kreditimit, parametri kryesor është i lidhur me kërkesën.
Si parashikoni të jenë muajt në vazhdim?
Ne jemi optimistë dhe objektivat tona janë shumë sfiduese. BKT ka përgatitur oferta shumë interesante për tregun dhe ne shpresojmë se ato do të jenë të pëlqyera. Ne mendojmë njëherësh për plotësimin e nevojave dhe produkteve për klientët tanë.
Si mendoni se mund të nxitet më shumë kreditimi?
Nga këndvështrimi i konsumatorit, perceptimi për një të ardhme më pak të rrezikshme, stabilitet financiar, një mjedis i qartë ligjor dhe fiskal, projekte investimesh etj., mund të ndryshojnë sjelljen e konsumatorëve për kursime, në depozita dhe bono thesari, në investime të tjera.
Nga këndvështrimi i institucionit financiar, përveç përmirësimeve të lartpërmendura, një përmirësim i raportit të kredive të këqija, një mjedis më i mirë ligjor, mund të kontribuojë në lëvrimin e kapitaleve për investime të reja dhe më cilësore.
INTERVISTA/ Flet Adela Leka, anëtare e Drejtorisë Ekzekutive në “Procredit Bank”
“Bizneset, jo investime në projekte afatgjatë”
Muajt e fundit, kreditimi bankar ka shënuar tendencë rënëse. Sa shqetësuese është kjo për ekonominë?
Gjatë vitit 2013, ritmi i rritjes së portofolit të kredisë ka qenë anemik, duke regjistruar në pjesën më të madhe të muajve norma negative rritjeje. Në muajin maj 2013, volumi i kredisë aktive është në nivele të ngjashme me volumin e kredisë në fund të vitit 2012. Frenimi i rritjes së portofolit të kredisë është një sinjal i fortë që tregon se aktiviteti ekonomik i bizneseve dhe individëve nuk është duke u rritur. Në vazhdim, ky ngadalësim i rritjes përkthehet në një efekt zinxhir zhvillimesh, të cilat ndikojnë në të gjitha fushat e ekonomisë.
Ku ka më tepër rënie, tek individët apo bizneset? Pse?
Pjesa kryesore e portofolit të kredisë, mbi 70% e portofolit, përbëhet nga kredia e dhënë bizneseve, të cilët konsiderohen edhe motori i zhvillimit të vendit. Gjatë vitit 2013 krahasuar me muajin dhjetor 2012, kredia dhënë bizneseve ka rënë me rreth 0.4% sipas shifrave të paraqitura nga Banka Qendrore, ndërsa kredia për individë ka pasur rritje me rreth 0.3%. Në përgjithësi, trendi i zhvillimit të portofolit të kredisë përcaktohet nga ecuria e kredisë dhënë bizneseve, kjo e lidhur drejtpërdrejt me peshën e madhe që kredia për bizneset zë në totalin e portofolit të kredisë.
Nëse shihen zhvillimet sipas sektorëve të ekonomisë, rënia kryesore e portofolit të kredisë së bizneseve ka qenë e lidhur me uljen e volumit të kredisë me rreth 14 milionë euro për sektorin e tregtisë dhe me rreth 15 milionë euro për sektorin e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që sektorë si hoteleria dhe industria nxjerrëse kanë shënuar rritje në volumet përkatëse të kredisë. Në përgjithësi bizneset kanë marrë më pak kredi për të financuar kapitalin qarkullues dhe pasuritë e paluajtshme, por nga ana tjetër, kanë vazhduar të marrin kredi për blerjen e pajisjeve. Nevojat afatshkurtra për financim janë plotësuar me overdraft dhe linja kredie afatshkurtra.
Këto zhvillime konfirmojnë se bizneset vazhdojnë që të jenë të përqendruara në menaxhimin afatshkurtër të bizneseve të tyre, duke vazhduar të jenë të tërhequr në ndërmarrjen e projekteve dhe planeve për zhvillim afatgjatë.
Nuk ka kërkesë për kreditim apo ju keni refuzuar më shumë kërkesa?
Kërkesat totale për kreditim kanë ardhur në ulje gjatë dy viteve të fundit. Kjo nisur nga investimet e munguara afatgjata, të cilat planifikohen të kryhen nga bizneset si dhe nga individët. Kërkesat për kapitale qarkulluese janë në rritje dhe kryesisht disbursimet në këtë kategori kanë qenë të larta.
Pavarësisht situatës, ne kemi qenë aktivë në financimin e bizneseve të vogla e të mesme. Gjatë këtij viti, ne kemi disbursuar rreth 2,400 kredi biznesi në një volum rreth 51.5 milionë euro.
Refuzimet për kreditim kanë qenë të bazuara në analizën financiare që i është kryer klientëve, kryesisht lidhur me kapacitetet e munguara të pagesës si dhe nga mungesat në kolateral. Banka ProCredit ka vazhduar të nxisë kreditimin si çdo vit, duke mbështetur plotësisht bizneset dhe individët, jo vetëm nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të duhura bankare, por edhe nëpërmjet këshillimit financiar të përgjegjshëm dhe transparent.
Si mendoni do të jenë muajt në vazhdim? Si mendoni se mund të nxitet më shumë kreditimi?
Ndryshimet në dinamikën e zhvillimit të ekonomisë kanë ndikuar edhe në nevojat për financim të bizneseve dhe të individëve. Biznesi ka vazhduar të jetë i orientuar drejt nevojave për likuiditet. Vështirësitë e hasura gjatë kësaj periudhe kanë qenë një tregues i mirë për sistemin bankar mbi strategjitë e suksesshme që duhen ndjekur, të cilat çojnë në një rritje të qëndrueshme dhe të shëndetshme të portofolit të kredisë.
Që kreditimi të nxitet më tepër duhet që biznesi të fillojë të investojë. Tani është momenti më i përshtatshëm për financime afatgjata, të cilat do t’i japin suport më të madh zhvillimit të biznesit.
Për të plotësuar këtë nevojë dhe për të nxitur iniciativat investuese, Banka ProCredit ofron mundësinë e limitit financiar për klientët e biznesit. Ky limit financiar u jep mundësinë klientëve të biznesit të bëjnë plane afatgjata investimi, duke pasur në këtë mënyrë sigurinë e përdorimit të kredisë në kohën që i duhet.
Gjithashtu, çmimet e ofruara për këto investime do të jenë mjaft të favorshme për të suportuar zhvillimin e këtyre bizneseve. Përvoja jonë 18-vjeçare dhe njohja e klientëve tanë na jep mundësinë që ne t’u përgjigjemi kërkesave të biznesit brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe për të përmbushur sa më mirë nevojat e tyre.
Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe konsolidimin e marrëdhënies me bizneset, për identifikimin dhe menaxhimin e problematikave të ndryshme me të cilat ata përballen dhe që ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë financiare të sipërmarrjeve. Ky bashkëpunim dhe konsolidim i marrëdhënies, i bazuar në besimin reciprok, do të japë gjithashtu zgjidhje optimale për tejkalimin e kësaj situate.
INTERVISTA/ Flet Enkeleda Hasho, Drejtore e Kreditit në “Union Bank”
“Individët, më shumë kërkesë për kredi”
Muajt e fundit, kreditimi bankar ka shënuar tendencë rënëse. Sa shqetësuese është kjo për ekonominë?
Mund të jetë edhe pak e pritshme, pasi sezoni veror mund të ketë dhe trendin sezonal me kërkesë edhe më të ulët të krahasuar me periudhat e mëparshme ose vijuese. Por, nuk përjashtohet që përtej trendit apo mundësive sezonale të ketë përsëri tkurrje të kërkesës për kredi nga klientët, sikurse dhe mundësia që një pjesë e bankave qëndrojnë më të tërhequra në drejtim të ofertës për kredi.
Por, duhet të kuptohet që në kredidhënie, kanë ndikim të lartë edhe zhvillimet në ekonomi, sikurse dhe ato politike. Nëse nuk ka një rritje të ekonomisë, nuk mund dhe nuk duhet të ketë rritje të lartë të kreditimit. Ka një korrelacion midis tyre dhe kur ka rënie ekonomike, pritet të ketë rënie edhe në kërkesën për kredi, për më tepër kur përveç rënies ekonomike, periudha ka qenë e ndikuar dhe nga zhvillimet shumë aktive në politikë, që japin ndikimin e tyre në tkurrjen e kërkesës.
Pra, rënia e kredisë në nivel sektori, në terma afatshkurtër mund të duket shqetësuese, por nuk është e pashpjegueshme, e papritur dhe e parikuperueshme.
Ku ka më tepër rënie, tek individët apo bizneset? Pse?
Më tepër mund të vihet re rënia në sektorin e biznesit, jo vetëm për faktin që ka një kërkesë më të ulët, por dhe sepse efekti i amortizimit të kredive, pra ripagimit direkt apo nëpërmjet rikuperimeve është më i lartë.
Pra, le të themi teknikisht është një portofol që bie shumë më shpejt, nëse nuk ka prurje të re, pra shtesë kredie në një nivel që të mbulojë dhe këto rënie rutinore. Meqenëse rritja, pra shtesa e kredisë së re nuk ka qenë e lartë, ky amortizim ka mbuluar çdo shtesë kredie të re dhe sektori rezulton në balancë neto me rënie. Ndërkohë, sektori i individëve duket se po gjallërohet, por impakti nga ky sektor, që është e dhënë pozitive, nuk arrin të ekuilibrojë luhatjen e lartë nga krahu i biznesit.
Nuk ka kërkesë për kreditim apo ju keni refuzuar më shumë kërkesa?
Ne jemi të hapur për kreditimin, absolutisht nuk refuzojmë për efekte parametrash apo gjykimeve të përgjithshme orientuese, përveçse në rastet kur aplikuesi nuk përmbush elementët kualifikues, standarde që kërkon produkti kreditor. Sigurisht, mundohemi të kemi kujdesin e duhur ndaj trajtimit të rastit dhe risqeve/faktorëve të brendshëm apo të jashtëm që e shoqërojnë, por “Union Bank” vazhdon të ofrojë kredi si për individët, ashtu dhe për biznesin.
Si i prisni muajt në vazhdim?
Më të mirë. Jemi dhe duhet të jemi optimistë që do të ketë përmirësim, por sigurisht jemi të vetëdijshëm që përmirësimet dhe rritja do të vijë graduale, sikurse dhe faktorët makroekonomikë do të kenë përmirësimet e tyre graduale. Gjithashtu, edhe politikat e drejtuara nga Banka e Shqipërisë, si ato monetare apo edhe ato më konkretë në lidhje me procesin e kredisë, do të vazhdojnë të japin impaktin e duhur pozitiv.
Si mendoni se mund të nxitet më shumë kreditimi?
Nxitja do të vinte natyrale dhe e nxitur nga impakti i disa faktorëve, që mund të iniciohen nga vetë sektori bankar: duke ofruar kushte tërheqëse për kreditë, duke marketuar, si dhe duke forcuar besimin konsumator, sikurse dhe faktorëve të jashtëm: rritja apo zhvillimet pozitive në ekonomi, në politikë etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.