I gjithë arsenali është përqendruar te punësimi, më pas te bujqësia dhe taksat, pakkush flet për shëndetësinë apo uljen e borxhit.
Jo 160, por sa? 200? As 200, por 250. As 250, por 300 mijë….janë “shifrat” në vite të fushatave elektorale për punësimin. Pika e dobët e shoqërisë shqiptare, papunësia, e konfirmuar së fundmi edhe nga sondazhet, po menaxhohet nga politika për interesat e zgjedhjeve që do të mbahen këtë javë, më datë 23 qershor.
Punësimi është kryefjala e fushatës, duke përmendur forcat e punës që do të gjenerohen, por pak janë përmendur sektorët se ku. Pas punësimit vjen bujqësia, “armata” e 50 përqindëshit që jeton në fshat që merr rëndësi një herë në katër vjet kur ka zgjedhje. Premtimet për këtë sektor kanë qenë të shumta, aq sa kryeministri ka vendosur si prioritet, pas ndërtimit të rrugëve, “vaditjen – ujitjen”.
Debati për taksat nisi më herët se dy çështjet e para dhe u duk se palët ishin lodhur së premtuari, por herë pas here, diskutimi e “sheshtë-progresive”, rikthen betejën për votat e biznesit, që në numër nuk janë pak.
Partia Demokratike synon të marrë mandatin e tretë 2013-2017, duke përdorur modelin e ndërtimit të rrugëve dhe subvencionimit të fermerit, kurse Partia Socialiste, pas tetë vitesh në opozitë, manovron me rritjen e çmimeve dhe uljen e taksave.
Të dyja forcat politike pak kanë folur për sektorin e shëndetësisë, duke u marrë vetëm me pagat e mjekëve dhe infermierëve, kurse ulja e borxhit është pjesa e sikletshme, për të cilën, edhe duan dhe nuk duan të flasin, apo komentojnë. Natyrisht, ulja e borxhit u kushtëzon shumë premtime, si rritja e shpenzimeve për investime dhe ulja e taksave.
Përpara me PD-në!
Mazhoranca në katër vitet e fundit të qeverisjes deklaron se arriti të punësonte 200 mijë vetë, ndërsa për katër vitet e ardhshme, do të përmbushë angazhimin për të punësuar rreth 250 mijë. Diskutimi qëndron për të dyja kohët: e shkuara mbetet e paqartë, pasi INSTAT-i thotë se të punësuarit u rritën me rreth 60 mijë (përfshi bujqësinë), kurse e ardhmja lidhet me sektorët dhe çfarë stimuli do të ofrohen.
Berisha thotë se të paktën 100 mijë vende punë do të krijohen në bujqësi, falë rishikimit dhe uljes së disa taksave, por edhe shtimit të subvencioneve.
Duke pasur parasysh dy projektet energjetike, HEC-in e Devollit dhe Gazsjellësin TAP, mazhoranca llogarit një shtim të forcës punëtore me të paktën 30 mijë vetë.
Te bujqësia, fondi do të pesëfishohet brenda katër viteve të ardhshme, thuhet në një tjetër pikë të programit.
Çështja e shumëdiskutuar është ajo e taksave, padyshim e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Prej muajit mars, kryeministri ndërmori disa vendime për të ulur barrën fiskale, si përjashtimi i tatimit 10 për qind për pagat bruto deri në 30 mijë lekë, përgjysmimi i taksës për mjetet e transportit, heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve (për vlerat e investimeve 50 milionë lekë), si dhe disa ndërhyrje për lëndët e para në bujqësi, blegtori, peshkim, etj.
Bashkë me ndërmarrjen e amnistisë fiskale, pra shtyrjen e afatit, apo të legalizimit të pronave, rivlerësimin me çmimin e tregut duke paguar 1 për qind dhe jo 10 për qind, e të tjera masa, si p.sh. përjashtimi nga taksat për emigrantët, kush investon në mal apo kush punëson të rinj, janë disa mekanizma të cilat i japin shpresë kryeministrit dhe demokratëve për një mandat të tretë.
Për shkak se disa vendime i ka marrë sakaq, PD nuk ka se çfarë të shtojë në programin qeverisës të katër viteve të ardhshme.
Çështja e borxhit mbetet “thembra e Akilit”. Qeveria nuk e përmend në asnjë nga spotet, sikurse nuk kemi ndonjë angazhim, nëse do të ulet apo jo, por thjesht ka pasur deklarata për ta mbajtur afër 60 përqindëshit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kryeministri e bazon fushatën te punësimi, duke rritur prodhimin dhe më pas eksportet, si mjet për të zhvilluar vendin, por nga ana tjetër duke ftuar investitorët e huaj ta shikojnë me përparësi Shqipërinë.
Rilind me PS-në!
Ulje taksash për 95 për qind të shqiptarëve! Kjo parullë ka shoqëruar në dy muajt e fundit fushatën e socialistëve. Bazuar mbi heqjen e taksës së vogël për biznesin dhe vendosjen e taksës progresive, duke ulur shkallën për pagat mesatare, etj., lideri i opozitës, Edi Rama, beson se shqiptarët do ta votojnë.
Ashtu si demokratët, edhe socialistët kanë plane në programin e tyre sa i takon punësimit. 300 mijë vende pune, ku 150 mijë do të gjenerohen nga sektori i bujqësisë dhe blegtorisë. Duke i ndarë në zëra, e majta deklaron se, 40 mijë vende të reja pune dhe 12 mijë vende pune shoqëruese do të hapen në industrinë prodhuese nëpërmjet financimit shtetëror të 120 milionë dollarëve, buxhet ky i programuar për katër vitet e ardhshme, si dhe 15 mijë vende të reja pune përmes zhvillimit të industrive që lidhen me detin dhe atyre mbështetëse.
Do të heqim taksën e korrupsionit! Një tjetër moto e opozitës, kur vjen diskutimi se si do të menaxhohen financat me uljen e një pjese të mirë të taksave. Heqja e TVSH-së për të gjitha makineritë dhe pajisjet, pa dallim, heqja e TVSH-së për lëndët e para në bujqësi dhe blegtori, apo përjashtimi nga tatimi prej 10 përqindësh për pagat bruto deri në 30 mijë lekë. Gjithashtu premtohet heqje e akcizës për karburantin e fermerit, ulja e TVSH-së në 6 për qind për faturat e energjisë elektrike, etj., etj.
Lidhur me taksën progresive, Rama ka deklaruar se nuk ka ende një politikë të qartë se si do të jenë shkallët për të ardhurat e biznesit, dhe se do ta vendosë këtë pasi të konsultohet me grupet e interesit. Megjithatë, diçka ka artikuluar për dividentin e kompanive, shkallën tatimore në rritje, të cilën e ka vendosur se do ta zbatojë pasi të vijë në pushtet.
Për uljen e borxhit publik, të majtët thonë se do ta kenë nën kontroll duke shpenzuar me eficiencë në ata sektorë të dobishëm, por nuk thonë konkretisht se sa.
Shëndetësia, përveç vlerësimit të rolit të mjekut të infermierëve, PS-ja zotohet se do të ofrojë shërbim falas shëndetësor, duke nënkuptuar heqjen e kontributeve të detyrueshme për sigurimet.
Për pronat deklaron se do t’i japë zgjidhje shumë shpejt, së pari duke pasur nën kontroll agjencinë e legalizimeve, si dhe krijimin e autoritetit për menaxhimin e bregdetit.
Faturat
300 milionë euro
Mendohet të jetë fatura përkatëse e uljes së taksave nga premtimet dhe angazhimet e forcave politike, në një kohë kur vendi po përballet me krizën e likuiditetit
400 milionë euro
Vlerësohet se do t’i kushtojë forcës politike që do të jetë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, për realizimin e hapjeve të 250-300 mijë vendeve të punës
E majta
- 300 mijë vende pune
- Taksë progresive për pagat
- Heqjen e taksës 1.5% të biznesit të vogël
- Heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe lëndëve të para në bujqësi dhe blegtori
- 10% TVSH për turizmin
- 6% TVSH për faturat e energjisë
- Heqjen e akcizës për karburantin
- Uljen e borxhit publik
E djathta
- 250 mijë vende pune
- Heqjen e tatimit 10% për pagat bruto 30 mijë lekë
- Heqjen e TVSH për import të makinerive dhe pajisjeve
- Subvencionim 5 herë më shumë për fermerin
- 3 vjet pa taksën e kontributeve kush punëson për 6 vjet të rinjtë
- 8 vjet pa taksa për emigrantët dhe kush investon në turizëm
- Përgjysmimin e taksës për emigrantët
- Mbajtjen nën kontroll të borxhit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.