Rritja e mprehtë gjatë natës në vlerën e frangës zvicerane përkundrejt euros dhe kuna kroate kanë alarmuar mijëra kroatë me kredi në këtë monedhë
‘Kërcimi’ i papritur në vlerën e frangës zvicerane në raport me euron ka shkaktuar një goditje për Kroacinë, duke sjellë lajme të këqija për kroatët që zotërojnë kredi në monedhën zvicerane.
Gjatë një dite, franga u rrit me 15.8% në raport me kuna.
Kuna është e lidhur me euron, ndaj së cilës banka kombëtare kroate, HNB, përpiqet ta mbajë kunën të fiksuar.
Normalisht, kuna ngrihet butë gjatë sezonit të verës, kur sasi të mëdha të euros hynë në tregun kroat.
Banka kombëtare zvicerane, SNB, justifikoi eliminimin e lidhjes ndaj euros – arsyeja për rritje – duke thënë se ‘kishte për qëllim parandalimin e dëmeve serioze për ekonominë zvicerane, e cila ishte e lidhur me rënien e euros’, dhe që në këtë mënyrë, po humbiste vlerë në lidhje ndaj dollarit amerikan.
Euro ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, teksa fashitet besimi për rimëkëmbjen eventuale të Eurozonës. Rënia në vlerën e rublës ruse, lidhur me sanksionet dhe çmimet në rënie të naftës, ka nxitur milionerët dhe kompanitë ruse të ‘injektojnë’ sasi të mëdha të parave të tyre në bankat zvicerane, duke krijuar të tjera presione mbi frangën.
Në Kroaci, rritja e frangës është shumë problematike për njerëzit që kanë kredi, pagesat e të cilëve janë të lidhura me frangën.
Rritja e fundit e papritur në frangë në lidhje me kunën ka ndodhur në fund të 2008-s dhe në fillim të 2009-s, me fillimin e recesionit. Në vitin 2011, franga u stabilizua, pasi norma e këmbimit u lidh me euron.
Në atë kohë, madje u shtuan kroatët që zotëronin kredi në franga zvicerane, teksa normat mujore të interesit ishin më të ulëta se ato të lidhura me euron. Kur normat mujore të shlyerjes u rritën së tepërmi, kishte nga ata njerëz që humbën makina dhe madje edhe shtëpi.
Franak, një OJQ e themeluar në atë periudhë për të ndihmuar kroatët me kredi në franga, vlerëson se rreth 60,000 kredi kroate mbeten të fiksuara ndaj frangës, e cila potencialisht mund të ndikojë përgjithësisht mes 200,000 dhe 300,000 njerëz në Kroaci.
Sipas bankës qendrore kroate, HNB, vlera e të gjitha kredive të fiksuara ndaj frangës në Kroaci është rreth 3.1 miliardë euro, nga të cilat 2.7 miliardë janë kredi private të strehimit. Kreditë hipotekore në franga përfaqësojnë 36.5% të të gjitha kredive të strehimit.
Franak i ka këshilluar njerëzit ta paguajnë menjëherë normën e tyre mujore për janarin, pasi bankat edhe për pak kohë po përdorin normën më të ulët të së djeshmes.
Franak ka kërkuar edhe një takim me ministrin e Financave, Boris Lalovac, dhe presidentin e sapozgjedhur Kolinda Grabar Kitaroviç.
Nevojitet një veprim i menjëhershëm për të parandaluar një tjetër katastrofë financiare si ajo e pak viteve më parë, tha organizata.