Rumania miratoi blerjen e shumicës së aksioneve të KMG International nga Kompania Energjetike Kineze, ku me anë të kësaj lëvizjeje ajo do të marrë kontrollin e kompanisë rumune të energjisë Rompetrol Rafinare.
Kompania, KMG International me qendër në Kazakistan zotëron 48.1% të Rompetrol Rafinare, ndërsa shteti rumun zotëron 44.7%. Pjesën e mbetur e kanë aksionerë të tjerë.
Rompetrol zotëron rafinerinë më të madhe të naftës në Rumani dhe rrjetin e dytë më të madh të shpërndarjes së karburanteve.
“Përfundimi i transaksionit do të krijojë një bazë solide për zgjerimin e mëtejshëm të aktiviteteve tona në Europën Lindore dhe Perëndimore.
Ndërmarrja e përbashkët do të jetë në gjendje të përfitojë nga potenciali energjetik i Kazakistanit dhe burimeve financiare të Kinës për të zgjeruar aktivitetet e saj në të gjithë zonën e projektit global “One Belt – One Road”, u shpreh Zhanat Tussupbekov, CEO-ja i KMG International në një intervistë për shtyp. “Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet projekteve në Rumani, si vendi ku gjenden asetet kryesore të Grupit KMGI”, shtoi ai.
Vitin e kaluar, Kompania Energjetike Kineze, CEFC, njoftoi se dëshironte të blinte 51% të KMG International kundrejt vlerës 680 milionë dollarë amerikanë, si pjesë e projektit ambicioz të Kinës “One Belt – One Road”. Propozuar në vitin 2013, për të nxitur lidhjet në rritje midis Azisë, Europës dhe Afrikës, projekti pritet të sjellë miliarda dollarë në investimet në infrastrukturë. Shumë ambicioz, edhe pse me mangësi.
Analistët thonë se mund të jetë në interesin ekonomik të Rumanisë që të jetë pjesë e nxitjes së investimeve të Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore. Rumania shpreson të bëhet qendër shpërndarëse rajonale dhe çdo investim kinez mund ta ndihmojë në këtë drejtim. Për fat të keq, Bukureshti dështoi të ishte partneri i besueshëm politik dhe tregtar për Kinën, tha gazetarja Sabina Fati.
Rumania është e etur për investime, por edhe pse ajo ka bërë përmirësime të konsiderueshme në ekonomi gjatë viteve të fundit, të paktë kanë qenë investitorët që kanë shfaqur interes në projektet rumune të energjisë apo infrastrukturës, edhe nëse ato janë të lira dhe kanë perspektiva të mira.
Në nëntor të vitit 2013, Bukureshti mirëpriti një forum të madh tregtar mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Në atë kohë, Rumania deklaroi interesin e saj për tërheqjen e investimeve kineze në një projekt për të shtuar dy reaktorë në centralin e vetëm bërthamor të vendit, si dhe në termocentralet e reja termike dhe hidroelektrike.
Por asnjë nga marrëveshjet e sipërpërmendura nuk është përmbyllur deri më tani.
Qeverisja e udhëhequr nga socialdemokratët shpreson ta vendosë Bukureshtin në qendër të nxitjes europiane të Pekinit.
“Ne besojmë fort që do ta kthejmë miqësinë tonë në rezultate praktike, si dhe për të prezantuar një vitalitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe”, tha kreu i socialdemokratëve, Viorel Dragnea, në fillim të këtij muaji, pas një takimi me zyrtarët kinezë. “Ne nuk jemi si qeveritë e mëparshme që nuk arritën t’i mbajnë premtimet e tyre”, përfundoi ai.