Sipas raportit të Komisionit Europian, rritja e shpejtë ekonomike e Rumanisë mund të jetë e paqëndrueshme, ka mungesë të reformave strukturore dhe konsolidimit fiskal. Rritja e PBB-së prej 6.7% në vitin 2017 është nxitur kryesisht nga konsumi dhe nuk do të jetë e qëndrueshme në mungesë të reformave për të rritur potencialin e ekonomisë, thuhet më tej në raport.
Progresi i bërë në luftën kundër korrupsionit po vihet në rrezik, por ka edhe disa tregues të mirë rritjeje, siç është shkalla e papunësisë që në 2017 ra në 4.9%, duke shënuar njëkohësisht edhe nivelin më të ulët të 20 viteve të fundit.
Varfëria është rritur ndërkohë që pabarazia e të ardhurave mbetet e lartë. Nuk ka rezultate të dukshme në reformat e administratës publike dhe as në mjedisin e biznesit.
Reformat e vazhdueshme të drejtësisë rrezikojnë të dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të shkatërrojnë progresin që është arritur deri më tani, thuhej në raport./BIRN