Serbia, e cila krenohet sepse shpikësi Nikola Tesla është prej këtij vendi, po përpiqet së fundmi që të shfrytëzojë teknologjinë e informacionit për të dalë nga stanjacioni ekonomik pas luftërave ballkanike të viteve 1990, shkruan Reuters. Edhe pse Serbia është një lojtar thuajse i parëndësishëm në botë, apo madje edhe në Europën Perëndimore, ajo tani po gjeneron 10% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto nga teknologjia e informacionit.
Sipas ministrit të Financave, Sinisa Mali, vlera e eksporteve të teknologjisë deri më tani ka arritur në 1 miliard euro (1.2 miliardë dollarë), nga rreth 900 milionë euro që ishte në vitin 2017, duke e vendosur atë ndër tre sektorët kryesorë të eksportit krahas makinave dhe bujqësisë.
Kompanitë serbe po prodhojnë softuerë për industri të ndryshme, duke filluar nga bujqësia e deri në mjekësi, si dhe makinat me vetëdrejtim, aplikacione të reja lojërash online, etj.
Ato janë duke drejtuar edhe call center dhe qendrat e shërbimit ndaj klientëve. Por ky është një prej tregjeve me konkurrencën më të madhe për momentin, prandaj Serbia duhet të punojë shumë për t’i krijuar vetes një vend të sigurt në këtë treg. Por nën drejtimin e vendit nga Kryeministrja 42-vjeçare, Ana Brnabic, situata në Serbi duket se po ecën në drejtimin e duhur. Ajo po i kushton rëndësi të veçantë nxitjes së sipërmarrjes dhe po mbështet gjithnjë e më shumë startup-et e reja, njëkohësisht duke i bërë thirrje edhe shumëkombësheve të vijnë dhe të investojnë në Serbi.
Si pjesë e strategjisë, Serbia po tërheq investitorët e huaj me statusin e pagës së ulët, si dhe me subvencione deri në 10,000 euro për çdo punonjës. “Teknologjia e informacionit dhe axhenda dixhitale, janë e ardhmja e ekonomisë”, tha për Reuters, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
“Sektori i Teknologjisë së Informacionit i Serbisë është produkt i vetë inteligjencës sonë … ne duhet të vazhdojmë të trajnojmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur për të punuar në këtë sektor”, shtoi ai. Disa prej kompanive kryesore, duke përfshirë Microsoft, IBM dhe Intel, kanë krijuar qendrat e zhvillimit në Serbi, duke ofruar punë për vendasit kundrejt një pagese që është rreth tre herë më e lartë se paga mesatare mujore e Serbisë prej 420 eurosh, por shumë më e ulët nëse do ta krahasonim me atë të vendeve të Bashkimit Europian.
Google po mbështet startup-et e Serbisë, duke lidhur programin Google Developers Launchpad, i projektuar për të ndihmuar komunitetet zhvilluese dhe startup-et që të rriten, me kompaninë teknologjike, Start, me qendër në Beograd.
Por, në një email dërguar nga, PricewaterhouseCoopers, thuhej se shteti duhet të bënte të pamundurën për të ndaluar largimin e të rinjve dhe të nxisë inovacionin, përmirësimin e strukturës rregullatore, aftësitë dixhitale dhe të ndryshojë sistemin e vjetër arsimor. Qindra mijë të rinj të arsimuar janë larguar nga Serbia që nga viti 2000, menjëherë pas rrëzimit të bujshëm të Sllobodan Millosheviçit.
Eksodi vazhdon edhe në ditët e sotme, vetëm se me një normë mesatare prej rreth 30,000 banorësh gjatë viteve të fundit, ndërkohë që në 2015, nga vendi u larguan rreth 60,000 persona, të cilët shkuan kryesisht në vendet e BE-së.
Të rinjtë në Serbi nuk janë të punësuar vetëm në call center apo në qendrat e shërbimit ndaj klientit, por janë të përfshirë edhe në sektorë më të sofistikuar. Startup Nordeus është një zhvillues i financuar nga vetë Beogradi i lojës “Top Eleven Football Manager” që po kryeson klasifikimet ndër shumë të tjerë. Strawberry Energy, është një tjetër startup që ofron Wi-Fi dhe qendra informacioni në zonat publike.
Sipas faqes së saj të internetit www.senergy.rs, produktet e saj tashmë janë të pranishme në 17 vende dhe ndër klientët kryesorë përmendim, Canary Wharf të Londrës, Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Orange dhe Ford. Sipas Bankës Qendrore, Ekonomia e Serbisë pritet të rritet 4% këtë vit, nga 2% ishte në vitin 2017.
Eksportet neto të të gjitha shërbimeve nga vendi kandidat për Bashkimin Europian u rritën me një normë vjetore prej 23.2% në gjysmën e parë të vitit 2018, të nxitur nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe shërbimeve të biznesit. “Teknologjia e Informacionit brenda vendit, nëpërmjet lidhjeve indirekte me industrinë, mund të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e vendit”, tha Sasha Djogoviç, ekonomist në Institutin e Kërkimit të Tregut, në Beograd.
Sipas një analize të publikuar këtë vit nga Komisioni i Qeverisë për Mbrojtjen e Konkurrencës, në sektorin e teknologjisë së Serbisë në vitin 2017 u regjistruan mbi 2.000 kompani, nga 700 në 2006, së bashku edhe me një dyfishim të të ardhurave në 1.5 miliardë euro.
Megjithëse PwC pret që sektori i teknologjisë së Serbisë të vazhdojë të rritet me më shumë se 20% në vit, zgjerimi po pengohet nga mungesa e njerëzve të kualifikuar, sidomos e inxhinierëve, nëse ky vend vërtet dëshiron që të avancojë në këtë fushë.
Për të zgjidhur këtë problem, qeveria do të investojë rreth 65 milionë euro për qendrat e shkencës dhe teknologjisë dhe planifikon të investojë 70 milionë euro në blerjen e kompjuterëve të rinj dhe të përmirësojë lidhjet e internetit në shkolla, të dhëna të bëra publike nga zyra e shtypit e Kryeministrisë.
Miguel Morgado, i cili mbikëqyr kreditimin e Ballkanit Perëndimor në Bankën Europiane të Investimeve, tha se huadhënësi deri tani kishte siguruar 200 milionë euro, për të nxitur investimet në Serbi. “Ne po punojmë për një investim të ri potencial që duhet të përmirësojë aksesin e internetit në shkolla, duke filluar nga ato elementare, duke e bërë më modern dhe më kreativ sistemin arsimor, tha z. Morgado për Reuters.
Vitin e kaluar, qeveria serbe shpalli se ka nevojë për studentë të diplomuar në teknologjinë e informacionit dhe ka investuar edhe rreth 70 milionë euro në infrastrukturën teknike të nevojshme për të ndihmuar starup-et.
Z. Tesla, një serb i lindur në Kroaci, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1884, u kthye në burim frymëzimi për krijuesin e makinave elektrike me vetëdrejtim Tesla, të Silicon Valley. Në nder të Nikola Tesla, Serbia i vuri emrin e tij aeroportit të Beogradit dhe imazhin e tij e stampoi në të gjitha monedhat me prerje 100 dinarë.