INSTAT ka publikuar rezultatet paraprake të Regjistrimit të Njësive Ekonomike Bujqësore i cili u zhvillua në terren në muajin tetor 2012. Ky regjistrim është bërë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë si dhe qeverisë Suedeze nëpërmjet programit SIDA.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vend ka gjithsej 324 mijë njësi ekonomike bujqësore. Numri më i madh i tyre është në Fier, me 16% të totalit, i ndjekur nga Elbasani me 14% dhe Tirana me 13%.
Rreth 70% e njësive ekonomike bujqësore në total, i përkasin blegtorisë, sipas INSTAT. Fieri mbetet sërish rajoni me numrin më të madh të njësive ekonomike në fushën e blegtorisë, me rreth 37 mijë njësi.
Pothuajse të gjitha njësitë ekonomike bujqësore, sipas formës juridike, janë persona fizikë.
Sipas përkufizimit të INSTAT, Njësi Ekonomike Bujqësore është njësia tekniko ekonomike e vendosur nën një drejtim unik, e përbërë nga terreni, edhe pse në ngastra ( parcela ) jo të vazhdueshme, në të cilën realizohet prodhimi bujqësor, pyjor dhe blegtoral, drejtuar nga një drejtues, d.m.th. person fizik, (person i vetëm ose bashkime fshatare), “ente shteteror” apo “të tjerë”.
Do të konsiderohet njësi ekonomike bujqësore ajo njësi që plotëson kriteret e mëposhtme: · një njësi e vetme si teknike dhe ekonomike, që i referohet përdorimit të të njëjtave mjete prodhimi dhe mbarështrimit të kafshëve; · menaxhim i vetëm: sistemi i menaxhimit të fermës vendoset vetëm nga një person ose grup personash; · njësia është angazhuar me aktivitete bujqësore “për llogari të vet”, si aktivitet të vet parësor ose dytësor;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.