Procedurat e hetimit paraprak në tregun e transportit detar janë shtyrë deri në 14 Nëntor 2014. Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar të hënën se ka bërë një ndryshim në vendimin nr. 316, datë 23.05.2014 ”Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve” duke shtyrë afatin.
Sipas Autoritetit, informacioni i kërkuar me anë të shkresave të mësipërme nga ana e ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet në tregun përkatës, si dhe nga ana e agjencive detare nuk është dërguar fare ose nuk ka qenë i plotë. Për këtë arsye, nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, me anë të shkresave nr. 277/1 port., datë 19.08.2014, ju është kërkuar përsëri ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në këtë treg dhe agjencive detare, që të dërgojnë të gjithë informacionin e kërkuar pranë Autoritetit të Konkurrencës brenda datës 08.09.2014.
Në përgjigje të shkresës së mësipërme, nga ana e ndërmarrjeve Duni Port Agency sh.p.k me anë të shkresës nr. 277/2 prot., datë 08.09.2014, Adria Ferries sh.p.k me anë të shkresës nr. 277/3 prot., datë 08.09.2014 dhe Ionian Island sh.p.k me anë të shkresës nr. 277/4 prot., datë 08.09.2014, për shkak të periudhës së ngarkuar të punës dhe fluksit të udhëtarëve, është kërkuar shtyrja e afatit të dorëzimit të të dhënave të kërkuara deri në 30 Shtator 2014.
Komisioni i Konkurrencës çmon se sigurimi i një informacioni të plotë dhe të detajuar, për të parë më mirë sjelljen e ndërmarrjeve në treg dhe për të siguruar një vendimmarrje objektive, është i domosdoshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.