Amazon dhe firmat e tjera duan që njerëzit të shkëmbejnë pak privatësi dhe siguri në këmbim të lehtësive që ofrojnë blerjet online
Pas qëndrimit të tij në shtëpi gjatë një pasditeje, në pritje të një seti dezinfektuesish tualeti me ulje, i cili kurrë nuk erdhi, Valentin Romanov, një menaxher i IT në Stokholm, instaloi një sistem të veçantë në hyrjen e apartamentit ë tij. Kur askush nuk është në shtëpi, shpërndarësit e hapin derën dhe fusin pakot brenda. Katër muaj më vonë, Romanov i dyfishoi shpenzimet e tij për blerje të ndryshme në internet dhe gjithashtu shprehet se nuk mund ta imagjinojë jetën pa pakot që i arrijnë në shtëpi, shkruan The Economist.
Situata e mësipërme, është idealja jo vetëm për kompanitë e shpërndarjes por edhe për shitësit online, përfshirë edhe Amazonin, që po krijojnë partneritete me prodhuesit e këtyre sistemeve të veçanta të hapjes dhe mbylljes së apartamenteve, gjë kjo e cila po ndikon fuqishëm në kapërcimin e një pengesë të madhe për tregtinë online.
Dërgesat konvencionale dështojnë aq shpesh sa që një pako dërgohet në një shtëpi mesatarisht 1.5 herë në rajonin nordik, thotë Kenneth Verlage, kreu i zhvillimit të biznesit në PostNord, një prej gjigantëve logjistikë që vepron në Danimarkë, Finlandë, Norvegji dhe Suedi.
Kjo është një mënyrë joefikase tejet e shtrenjtë, thotë më tej Z. Verlage, e cila është përkeqësuar shumë nga fakti që marrësve shpeshherë i është dashur të presin për një dërgesë të dështuar, e cila nuk i ka shkuar kurrë në destinacion. Disa korrierë i lënë pakot në prag të dyerve të hyrjes, por një gjë e tillë shndërrohet në burim vjedhjesh.
Nga 1.000 amerikanë të anketuar këtë vit nga Shorr, një firmë paketimi, gati një e treta e tyre kanë qenë viktima të “vjedhjeve në prag të shtëpisë”, siç dihet kjo.
Ndërsa dy të pestat e të anketuarve i shmangin blerjet e caktuara online vetëm nga frika se mos i ndodhte një gjë e tillë.
Një numër firmash tani operojnë në shitjen e sistemeve wireless të bllokimit të shtëpive, të cilat mund të hapen nga një staf i caktuar korrierës me anë të një kodi të caktuar apo të një aplikacioni smartphone, gjithmonë pasi pronari i shtëpisë ka lëshuar një autorizim të përkohshëm para se të largohet nga shtëpia.
Dërgesat filmohen me një kamerë të brendshme sigurie e cila është e lidhur me sistemin e bllokimit të shtëpisë.
Më pas videot e shkurtra të regjistruara i dërgohen kompanive përkatëse dhe sipas këndvështrimit të Z. Romanov ato përfundojnë suksesshëm, edhe pse në një mënyrë komike, ku çdo korrier pasi është larguar, sigurohet që dera e shtëpisë është mbyllur.
Në nëntor të këtij viti, Amazon filloi ofrimin e shërbimit të dërgesës së pakove brenda në shtëpi në 37 qytete amerikane.
Një çmim mestar i sistemit të veçantë të bllokimit (të kyçjes) së apartamentit së bashku me kamerën e instaluar kushton 199 dollarë, Por ashtu siç veprojnë edhe firmat e tjera, edhe Amazon e ka shumë të kufizuar numrin e përdoruesve.
Drejtuesi i August Home, një prodhues në San Franciscos për sistemet e veçanta të hapjes dhe mbylljes së shtëpive, thotë se tashmë qindra mijëra korrierë, shëtitësit e qenve, pastrues dhe mysafirë të Airbnb, përdorin aplikacionin e tij, për të hyrë në shtëpitë e të tjerëve pa çelës.
Ofertat po rriten dita ditës.
Në 2018, kompania, August Home, do të jetë e pranishme me sistemet e saj edhe në Australi dhe Britani, ndërsa PostNord do të fillojë shpërndarjen e këtyre sistemeve të veçanta edhe në katër vende të tjera nordike. Kompania Walmart dhe Sears e kanë provuar atë. Pesë firma logjistike dhe dy zinxhirë të supermarketeve suedeze po fillojnë të përdorin sistemet e veçanta të mbylljes dhe të hapjes së shtëpisë nga Glue, një firmë me seli në Stokholm, për dërgesat në shtëpi.
Por padyshim që ekzistojnë edh skeptikët, të cilët shprehen se këto përpjekje nuk do të shkojnë shumë larg sepse shumë konsumatorë do të kenë frikë për vjedhjet e mundshme që mund të ndodhin.
Rhino Security Labs, një kompani kompjuterike e sistemeve të sigurisë me bazë në Seattle, pretendon se ka hakëruar dhe mbyllur videon në një prej kamerave dhe sistemeve të veçanta të bllokimit të shtëpive të Amazon.
Gjithashtu, dërgesat brenda në shtëpi nuk përputhen me alarmet e hajdutëve. Po sikur macja apo qeni juaj në momentin që lihet dërgesa të dalin jashtë shtëpie?
Edhe pse këto konsiderohen disa prej pyetje më të vështira, kompanitë e tregtisë elektronike shprehen se i janë përgjigjur edhe pyetjeve më të vështira se kjo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.