Pesë operatorët më të mëdhenj të tregut të sigurimeve kanë deklaruar rritje të të ardhurave prej 3.3% në vitin 2017, nga 7.4% vitin e mëparshëm dhe larg zgjerimit dyshifror në 2015-n. Pozitive ishte performanca e fitimeve, që u rritën me 22% për 5 kompanitë së bashku (shih tabelën).
Shoqëria më e madhe e sigurimeve është Sigal Uniqa Group Austria, me 4 miliardë lekë të ardhura dhe rënie të lehtë vjetore prej 1%.
I dyti më i madh në 2017-n ishte Sigma Interalbanian Vienna Insurance, me rritje 6% në 2.7 miliardë lekë.
Eurosig SHA kishte të ardhura prej 2.3 miliardë lekë.
Intersig Vienna Insurance Group është operatori i katërt më i madh, me një qarkullim vjetor prej 2 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 3%.
Alb-Siguracion ka shënuar për të dytin vit radhazi rritje të shpejtë të të ardhurave, me 12%, në gati 2 miliardë lekë.
Të renditur sipas grupeve, Vienna Insurance Group, e cila zotëron dy shoqëri sigurimesh, Sigma Interalbanian dhe Intersig, është më e madhe, me të ardhura në total prej 4.5 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor 5%.
Eurosig bleu në mes të vitit 2016 shoqërinë shtetërore të sigurimeve INSIG. Në 2017, qarkullimi vjetor i kombinuar i Eurosig dhe Insig ishte 3.4 miliardë lekë, duke e renditur të tretin, nëse merren në konsideratë grupet. (shiko tabelën: Renditja e kompanive të sigurimeve, sipas grupeve).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.