Pak ditë pas publikimit të rishikimit të projektit nga Banka Botërore, ku vlerësonte se ecuria për hartimin e strategjisë për zhvillimin e statistikave ishte “relativisht e pakënaqshme” është shpallur edhe fituesi që do të zbatojë këtë nismë. Në një dokument të bërë publik, mësohet se do të jenë gjermanët ata që do të hartojnë strategjinë disavjeçare të statistikave, si dhe planin e veprimit për të.
Me një financim rreth 120 mijë euro, Gopa Consultants, një kompani gjermane, do të zbatojë gjatë katër muajve hartimin e strategjisë së zhvillimit të statistikave të vendit tonë për periudhën 2019-2030. Ky është një projekt që po mbështetet nga Banka Botërore, nëpërmjet një marrëveshjeje që u bë efektive në prill të vitit 2018 por që hasi një sërë vonesash që u vunë në pah edhe në rishikimin e fundit të Bankës.
Strategjia pritet që të përfundojë brenda 4 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës. Kjo e fundit u nënshkrua më 11 shkurt 2018.
Banka Botërore, në dokumentin e saj të fundit, nënvizonte se marrëveshja e grantit u bë aktive në dhjetor 2018, me një vonesë të konsiderueshme krahasuar me planin fillestar të saj. Objektivat e projektit pritet që të arrihen deri në fund të korrikut 2019.
Objekti i këtij granti është mbështetja e Institutit të Statistikave në Shqipëri për: përgatitjen e një strategjie afatgjatë kombëtare për zhvillimin e statistikave 2019-2030, përgatitjen e planeve kryesore afatmesme të veprimit, si dhe zhvillimin e aktiviteteve që kanë në fokus ndërtimin e kapaciteteve të stafit të INSTAT për të mbështetur dhe për të zbatuar këto plane veprimi.
Në total projekti parashikohet që të ketë katër komponentë, ku në të parin është përcaktuar hartimi i pjesës së dokumentit, në të dytin një rishikim i diskutimeve për këtë dokument, si dhe mënyra sesi do të zbatohet, në të tretin janë menduar trajnime, ndërsa në të katërtin mbështetja e zbatimit të projektit.
Granti fillestar që Banka Botërore vuri në dispozicion të këtij projekti llogaritet në rreth 130 mijë dollarë, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël prej rreth 15 mijë dollarësh do të përballohej nga grantmarrësi, në këtë rast shteti shqiptar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.