Dyqind e gjashtëdhjetë milionë kopje të shitura. Janë këto shifrat mbresëlënëse në serinë e Pokemon, e cila që nga viti 1996 po thyen çdo rekord të shitjeve. Një sukses që nuk do t’ia dijë për skema, duke qenë se Pokemon Rubino Omega dhe Zaffiro Alpha, dy episode shtuar së fundi në dyqane 28 nëntorin e kaluar, gjatë tri ditëve të para të shitjes, kanë arritur 3 milionë kopje vetëm në SHBA dhe Japoni.
Sekreti i suksesit
Si është e mundur të kryesosh për gati njëzet vjet pa u përballur me një pengesë? Sipas Junichi Masuda dhe Shigeru Omori, prodhuesi dhe drejtori i Rubino Omega dhe Zaffiro Alpha, “sekreti është në gjetjen e një formule fituese dhe në ruajtjen e mirë të saj gjatë gjithë këtyre viteve, duke ndryshuar vetëm disa elemente marxhinale dhe duke e mbajtur të pandryshuar ‘zemrën pulsuese’ të përvojës së lojës”. Sistemi i rafinuar luftarak bazuar në letër/gërshërë/shkëmb, dizajni tërheqës i protagonistëve dhe dëshira për t’i koleksionuar të gjithë, që i ka dhënë jetë motos ‘Gotta catch’em all’, sot funksionon sikundër 20 vjet më parë.
“Kjo u mundëson të gjithë gjeneratave të tifozëve të jenë në gjendje të flasin, të kuptojnë dhe krahasojnë pavarësisht përvojës dhe seksit, sepse të gjithë elementet kryesore janë si gjithmonë të njëjtët”, – citon Masuda. Kjo i ka mundësuar komunitetit Pokemon të rritet, pa lënë askënd prapa. Çfarë ka ndryshuar është emri i protagonistëve, numri i Pokemon për të kapur, dhe aftësitë teknike të konsolëve, që i mundësuan serisë të zgjerohet në rrjet, por jo vetëm.
Kapini të gjithë, por në shoqëri
Pavarësisht shumë karakteristikave të reja që kanë të bëjnë me komunikimin nëpërmjet internetit, si për shembull aftësia për të shkëmbyer Pokemon dhe për t’i përballur kundërshtarët që vijnë nga gjithë planeti, vokacioni i vërtetë mbetet ai që nxit lojtarët të takohen realisht, për të organizuar turne dhe për të ndarë informacione të dorës së parë, pikërisht siç bëhej në fund të viteve ‘90 me dy Game Boy dhe një kabllo lidhës. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore që udhëhoqi “venën” kryesore të Pokemon për të mos u “ankoruar” në konsolët shtëpiakë të Nintendo, pavarësisht kërkesave të ngutshme. Kjo do të jetë edhe arsyeja pse nuk do të shohim shkurtimisht një version Amiibo, të monstrave kaq shumë tërheqës të xhepit.
Pula e vezës së artë
Çfarë janë Amiibo? Janë një seri figurinash, heronjtë më të famshëm të Nintendo që janë shfaqur në dyqane për Krishtlindje, për përdorim me një gamë të gjerë të softuerit për Wii U, si Mario Kart 8 dhe Super Smash Bros. Një ide që vë në gjumë Skylanders të Activision dhe që do të jetë e përkryer nëse aplikohet për Pikachu dhe bashkëpunëtorët e tij, por që përplaset me vizionin origjinal të serisë. “Lojërat e Pokemon bazohen në kërkimin dhe kapjen e aleatëve të rinj. Nëse këta do të na jepeshin automatikisht përmes Amiibo, do të humbisnim një nga ‘shtyllat’ e së gjithë përvojës”, pohojnë njëzëri Masuda e Omori.
719 motive potenciale
Ideja gjithsesi duhet të ketë ngacmuar edhe imagjinatën e tyre, duke qenë se janë nxituar të shtojnë se çdo gjë mbështetet “në gjetjen e çelësit për leximin e drejtë për t’i përdorur ato pa prishur alkiminë e krijuar gjatë viteve të fundit”. Presionet në këtë drejtim do të vijnë edhe nga “kulmi” i Nintendo, duke qenë se kombinimi mes Pokemon dhe Amiibo mund të transformohet në minierën proverbiale të arit, në gjendje të “bymejë” arkat e gjigantit japonez. Me Rubino Omega dhe Zaffiro Alpha, seria ka arritur kuotën prej 719 Pokemon të ndryshëm, që të shitur në 15 euro secili, mund të sigurojnë një të ardhme të ndritur për Mario dhe Pikachu pavarësisht suksesit të Wii U. Në 10 ditët e para janë shitur mbi 1 milion Amiibo dhe ka nga ata që po fërkojnë tashmë duart, duke menduar për të ardhmen.