Çfarë pritet pas vendimit për gazsjellësin TAP, cilat janë vlerat e shtuara për ekonominë dhe konsumatorët. Çfarë parashikohet, ku kalon, siguria energjetike dhe roli i Shqipërisë…
Projektit iu dëgjua emri për herë të parë në vitin 2003, kur vendi qeverisej nga socialistët, ndaj dhe këta pretendojnë “pjesë” nga suksesi, kurse miratimi final u bë më 28 qershor, kur në pushtet janë demokratët. Se cili ka lobuar më fort, këtë do ta tregojë historia, por pak rëndësi ka.
E vërteta e madhe është se Shqipëria, për herë të parë në histori, madje pa e ekzagjeruar, edhe kur u futëm në NATO, do të jetë më shumë se kurrë pjesë serioze e tregut europian, jo vetëm në atë energjetik. Emri i vendit tonë do të lakohet fort në muajt e ardhshëm, vlerësohet se miliardat (gaz dhe para) do të vërshojnë në territorin shqiptar, shumë kompani do të vijnë të investojnë, pasi titulli që do të na përfaqësojë, pjesë e gazsjellësit TAP, na jep më shumë siguri.
Pa humbur shumë kohë mund të themi se do të investohen të paktën 1 miliard euro, ku gati gjysma e kësaj vlere do të kontribuojë direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Jo vetëm kaq, për në vitet e mëtejshme, pra pasi të nisë transportimi i gazit, Shqipëria do të përfitojë nga tarifat, nga ku vlerësohet shifra prej të paktën 1 miliard eurosh të tjera për një dekadë të tërë, duke nisur nga 2019-a e më tej.
Të mos harrojmë që investimi i TAP do të tërheqë të tjera kompani. Aktualisht në vend, gjiganti SHELL është duke shpuar pusin e naftës në Shpirag të Beratit dhe është afër suksesit. Këto dhe të tjera lajme fantastike për vendin na japin besimin për një të ardhme të sigurt. Nuk është thjesht çështje parash, por edhe mirëqenie në shërbimet ndaj konsumatorit. Furnizimi me gaz, sidomos i llojit që vjen direkt nga Kaspiku nxjerr një kosto të paktën 30 për qind më të ulët se energjia elektrike që përdoret sot për ngrohje apo gatim.
Njoftimi i fitores
Pa shumë eufori, mund të themi se pas realizimit me standarde të zgjedhjeve parlamentare, lajmi për miratimin final të TAP-it vjen si një dhuratë për popullin shqiptar.
Vendimi se projekti ishte shpallur fitues karshi rivalit “Nabucco” u mësua tri ditë para datës zyrtare. Të parët e morën vesh grekët, qeveria e tyre, dhe një ditë më pas, të enjten, përfaqësues të shtetit të Azerbajxhanit dhe të shoqërisë shtetërore azere “Socar” njoftuan kryeministrin shqiptar. Për Sali Berishën ishte një ngrohje e madhe, pas humbjes në zgjedhje, por siç e cilëson ai, “e rëndësishme është që fitoi Shqipëria”.
Përzgjedhja e TAP nga SDC konfirmon se ai është projekti i gazsjellësit që ofron më shumë avantazhe ekonomike dhe teknike për transportin e gazit të Shah Deniz në Europë. Mbështetja e mëparshme dhe e vazhdueshme e Komisionit Europian dhe e qeverive të vendeve të ndryshme përforcojnë rëndësinë e TAP lidhur me axhendën e energjisë europiane.
Projekti në tërësi kushton rreth 35 miliardë euro, ku afro 1 miliard do të investohen në Shqipëri. Përzgjedhja e TAP-it, ndaj “Nabucco”-s lidhet me shumë faktorë, por më kryesori ishte kostoja ekonomike, eficienca, pasi rivalët kushtonin të paktën 500 milionë euro më shumë.
Mbi gazsjellësin Trans Adriatik (TAP)
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në tregjet më tërheqëse të Europës. Me një gjatësi përafërsisht prej 870 kilometrash, TAP do të ndërlidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit greko-turk në Kipi, do të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe Detin Adriatik duke dalë përsëri në tokë në Jug të Italisë. Korridori i TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, etj. Dalja e TAP-it në Itali, tregu i tretë për nga madhësia në Europë, siguron shumë mundësi të mëtejshme për transportimin e gazit natyror nga rajoni Kaspik në disa nga tregjet më të mëdha europiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.
Duke qenë i projektuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 mmk në vit, TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit, i cili do të përforcojë sigurinë e energjisë së Europës duke siguruar një burim të ri gazi.
Aksionerët e TAP-it janë “Axpo” e Zvicrës (42.5%), “Statoil” i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON i Gjermanisë (15%). Anëtarët e Konsorciumit të Shah Deniz, BP, SOCAR dhe “Total” kanë opsionin t’i bashkohen TAP. Nëse ky opsion zbatohet plotësisht, ai u siguron atyre një pronësi prej 50% në TAP. Në vijim të përzgjedhjes së TAP si korridori i transportit drejt Europës, pritet që ky opsion të zbatohet. Aktualisht BP, SOCAR dhe “Total” japin kontributin e tyre në financimin e zhvillimit të TAP.
Pronarët
Aksionerët e TAP-it janë “Axpo” e Zvicrës (42.5%), “Statoil” i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON i Gjermanisë (15%), por në marrëveshjen paraprake është vendosur që tri shoqëritë pronare të Shah Deniz II, PB, “Total” dhe SOCAR, mund të kenë deri në 50% të aksioneve të gazsjellësit
Çfarë parashikohet, ku kalon, siguria energjetike dhe roli i Shqipërisë
Detajet e investimit 40 miliardë dollarë
Projekti i gazsjellësit TAP është ndër më të mëdhenjtë në Europë, me një vlerë investimi prej afro 40 miliardë dollarësh, për të gjitha ndërhyrjet që do të realizohen, ku vetëm në Shqipëri parashikohet të arrijë në 1.4 miliardë dollarë.
Projekti nisi si aplikim për t’u miratuar nga qeveria e Azerbajxhanit, e cila posedon aksionet kryesore në konsorciumin e vendburimit të gazit në Shah Deniz II, në vitin 2011. Prej atëherë janë kryer me dhjetëra takime, shumë marrëveshje mes tre vendeve nga ku kalon tubacioni, Greqi, Shqipëri dhe Itali.
Fillimet e projektit nuk ishin të lehta për palën shqiptare, e cila nuk kishte përvojën e duhur, në fillim të viteve 2000. Nga sa mësohet, me aprovimin e Italisë dhe Greqisë, projekti TAP nuk parashikonte të përshkonte Shqipërinë, por lobimi i realizuar në këto vite dhe më pas kostot e vlerësuara nga aksionerët bënë të mundur ta përfshinin në hartën e gjurmës nga kalon tubacioni. Ky ishte hapi i parë i fitores, i suksesit, pasi më pas, në tre vitet e fundit do të nisnin ethet e garës me “Nabucco”-n, për të cilin ishin të interesuara shtete si Austria, Rumania dhe Bullgaria. Interesa në këtë projekt kishte edhe shteti gjerman, pasi shoqëria e saj RWE ishte pjesë e projektit për ndërtimin e linjave.
Drejtues të projektit “Nabucco West” pranojnë të thonë se azerët përzgjodhën TAP-in për shkak të leverdisë së çmimit të gazit në Itali, afro 5 për qind më e shtrenjtë. Në kompleks u analizuan shumë faktorë, duke nisur nga eficienca, siguria energjetike dhe nevojat për gaz që kanë vendet e interesuara dhe që preken nga projekti.
Megjithatë, tjetër pikë e fortë e TAP, që nënvizohet nga strukturat drejtuese, është fakti se gazsjellësi prej 867 kilometrash i TAP-it ofron rrugën më të shkurtër për në tregjet europiane, por edhe të zbatueshëm nga ana tregtare. Duke u lidhur direkt me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) dhe pastaj duke vazhduar më tej prej kufirit turk, TAP-i ndjek rrugën më të shkurtër të mundshme deri në tregun e dytë më të madh në Europën Kontinentale, në Itali.
Afro 210 kilometra tubacione do të shtrihen në tre qarqet e mëdha të vendit, duke nisur nga Korça, Berati dhe Fieri, ndërsa më tej, 60 kilometra do të shtrihen në det. Fieri do të jetë pika e degëzimit, si për daljen e gazit për nevojat e vendit, magazinimin (në Dumre), por edhe për të shtrirë linjat për shtetet e tjera të rajonit, Kroaci, Mali i Zi dhe Bosnjë, të cilat kanë firmosur një marrëveshje për t’u bërë pjesë e projektit (IAP-Ionian Adriatic Pipeline).
Të dhënat
867 km gjatësia e gjurmës
547 km përmes Greqisë
211 km përmes Shqipërisë
104 në detin Adriatik
5 km në Itali
1,800 metra, pika më e lartë që kalon TAP në malet shqiptare
810 metra niveli më i thellë në det
Punësimi
Sipas vlerësimeve paraprake mësohet se do të punësohen rreth 15 mijë vetë
Shkëlqim Bozdo
Avantazh te çmimet e gazit
Anëtari i bordit të komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Shkëlqim Bozdo, ka ndjekur nga afër procesin e miratimit të gazsjellësit TAP. Bozdo nuk e fsheh gëzimin, aq më tepër kur i ka kushtuar dy vjet jetë projektit më të rëndësishëm për shqiptarët. Duke u ndalur te përftimet, sa u takon investimeve dhe punësimit, Bozdo thotë se gazi, që do të futet në vendin tonë direkt nga Kaspiku do të vijë me çmim më të lirë, të paktën 30 për qind.
Sipas përllogaritjeve, nevojat e vendit tonë, përfshi edhe TEC-in e Vlorës janë për një sasi gazi të “prenotuar” në rreth 500 milionë metër kub, me vlerë mbi 150 milionë euro në vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.