Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti kanë arritur t’i mbledhin rreth 946 milionë euro. Të dy institucionet që e mbushin arkën e shtetit i kanë kaluar parashikimet e mbledhjes së të hyrave.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci ka bërë me dije se të hyrat doganore për periudhën janar-tetor gjatë këtij viti janë 684.3 milionë euro, apo 2 për qind më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetme. “Të hyrat doganore në pikat kufitare kanë pasur një trend të rritjes progresive në krahasim me vitin e kaluar, por nuk ka qenë shumë e lartë”, është shprehur Stavileci, për Epoka e re. ATK-ja, ndërkaq, në periudhën janar-tetor 2013 ka realizuar të hyra në vlerë prej 261.7 milionë euro. Blerta Nikqi, zyrtare për komunikim në ATK, ka bërë me dije se krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit të kaluar, të hyrat e ATK-së në këtë periudhë janë më të mëdha për 25.9 milionë euro apo për 11 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.