Si po ecën tregu financiar jobankar, pra ana tjetër e depozitave ku ruhen kursimet. Mjafton besimi dhe informacioni i saktë, për të pasur një të ardhme të sigurt
Para katër vitesh, Ministria e Financave, në bashkëpunim me institucionet financiare të huaja (në rolin e konsulentit) miratuan disa ligje, që në thelb përmbanin disa rregulla për funksionimin e një sektori, pak të njohur për individin. Bëhet fjalë për fondet e kapitalit, të krijuara nga të ardhurat dhe kursimet e gjithkujt, jo vetëm të atyre që merren me biznes, por edhe të individëve të thjeshtë, me të ardhura të qëndrueshme. Mjafton të informohesh qartë, të besosh tek agjenti yt, të jesh i azhurnuar me ecurinë e tregut.
Pas disa vitesh nga miratimi i ligjeve dhe krijimit të disa shoqërive që menaxhojnë fondet e kapitalit, shihet një tendencë në rritje e besimit tek individët për të qenë të pranishëm në këtë treg të ri. Në fillim, skepticizmi nuk mungoi, por së fundmi po shikohen “radhë ta gjata” drejt fitimeve të sigurta.
Mjafton të shikojmë pjesëmarrjen e individëve në ankandet e Bankës së Shqipërisë për shitjen e bonove të thesarit. Qeveria kërkon hua nga bankat, në shuma të caktuara, duke njoftuar paraprakisht dhe ftesa u drejtohet edhe individëve, të cilët duhet të kenë një shumë që nis nga 300 mijë lekë. Rezultati? Sipas shifrave më të fundit zyrtare të Ministrisë së Financave (deri në muajin shtator 2012) pesha e individëve në stokun e borxhit të brendshëm (në lek) është 15.66 për qind. Krahasuar me muajin dhjetor 2011, kemi rritje, pasi pesha në këtë periudhë ishte 12.9 për qind.
Megjithatë, tregu financiar nuk do të thotë vetëm banka, pra depozita, me interesat e të cilave mund të përfitojmë të ardhura të sigurta brenda një kohe të caktuar, apo më saktë bonot e qeverisë, ku interesin e merr menjëherë. Me fondet e kapitalit, nuk investohet vetëm në bonot e qeverisë, por edhe jashtë vendit tonë, madje luhet edhe me tregun valutor.
Aktorët e tregut Aktualisht kemi katër subjekte që operojnë në tregun financiar, që nuk janë banka. Një është “Raiffeisen Invest”, që merret drejtpërdrejt me fondet e investimeve. Kjo shoqëri ka 14,063 klientë (të dhënat e fundit deri në shkurt 2013) dhe një total asetesh prej 154,761,656 euro.
Në treg kemi edhe shoqëritë që menaxhojnë pensionet private, të cilat janë tre, të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ato janë “Raiffeisen Invest”, “Sicred” dhe “Sigal Life”. Numri i klientëve të anëtarësuar në fondet e pensionit vullnetar për të gjithë industrinë, është 7,065, krahasuar me 6,295, pra një rritje prej 12 përqindësh nga një vit më parë (shifrat e shtatorit 2012). Nga këta, 3,262 janë femra dhe 3,803 janë meshkuj. Totali i investimeve në fondet e pensionit për të gjithë industrinë është 228,644,119 lekë, krahasuar me 149,911,094 lekë të një viti më parë, ose 52.52 për qind rritje, gjithsesi duke pasur një peshë të papërfillshme në tregun financiare në total dhe duke qenë shumë më i pazhvilluar në krahasim edhe me shtetet e tjera të rajonit.
Fusha ku këto shoqëri të pensioneve private investojnë janë bonot e thesarit, pra i japin borxh qeverisë, aktivitet me risk pothuajse zero. Në rast se do të funksiononte Bursa e Tiranës, tregu do të ishte më i zhvilluar dhe këto fonde nuk do të limitoheshin vetëm në ankandet e bonove, por edhe në tregun e kapitaleve, pra të shitblerjes së aksioneve të kompanive private, siç ndodh normalisht në vende e zhvilluara prej dhjetëra vitesh.
Flet Resmi Hibraj, administrator i “Raiffeisen Invest”
Fondet e investimit po rriten,mungesa e Bursës, handikap
Çfarë mendoni për rëndësinë e tregut financiar në vendin tonë?
Tregu financiar në vendin tonë ka njohur zhvillim të dukshëm në dekadën e fundit, në raport me të kaluarën, megjithatë duhet pranuar që kjo rritje ka ndodhur mbi një bazë të ulët, që do të thotë që jemi ende në fazat e hershme dhe mbetet shumë punë për t’u bërë. Në stadin aktual, tregu financiar ka fytyrën e tregut bankar, duke qenë se kontrollohet pothuajse në masë të madhe nga bankat dhe pesha e aktorëve të tjerë financiarë është e ulët. Bankat kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e tregut financiar në vend, por roli i tyre ka kufizimet e veta, dhe eventualisht lind si domosdoshmëri pjesëmarrja e institucioneve financiare jobankare, të cilat mund t’i ofrojnë investitorit shqiptar produkte financiare të ndryshme nga produktet tradicionale bankare shumë të thjeshta, si depozitat me afat, apo llogaritë e kursimit. Dëshiroj të evidentoj rëndësinë e madhe që zhvillimi i tregut financiar ka për zhvillimin ekonomik të vendit. Ka një lidhje pothuajse simbiotike mes tyre, dhe nuk është aspak rastësi që vendet me ekonomi më të zhvilluar janë pikërisht ato me tregje financiare më të zhvilluara. Një treg i brendshëm financiar i zhvilluar kontribuon në rritjen ekonomike të vendit, përmes mekanizmave shtesë të lëvizjes së kapitalit, përkthimit të inovacionit në produktivitet dhe mirorganizimit të ekonomisë. Nga ana tjetër, një ekonomi e fortë stimulon rritjen e tregut financiar, sepse i jep këtij një impetus përmes shtimit të pasurisë dhe kapitalit.
Ju përmendët rëndësinë e institucioneve financiare jobankare. Çfarë roli kanë më konkretisht?
Ka një larmi institucionesh financiare jobankare, por po fokusohem tek ato që kanë një profil aktiviteti të lidhur me tregun e kapitalit, sepse ato janë praktikisht më të interesuara për zhvillimin e tregut financiar dhe njëherësh më të afta për të kontribuar në këtë zhvillim. Një kategori e rëndësishme përbëhet nga shoqëritë e mikrokreditimit, të cilat në vitet e fundit kanë njohur rritje të dukshme. Misioni i tyre është të plotësojnë hapësirën e pashfrytëzuar nga bankat duke e segmentuar në këtë mënyrë tregun e kredidhënies përmes mundësive shtesë që i ofrohen konsumatorit shqiptar për të marrë kredi në shërbim të objektivave financiare respektive. Një kategori tjetër edhe më e rëndësishme se e para, por me fokus krejtësisht të ndryshëm përbëhet nga Shoqëritë e Administrimit të Aseteve Financiare të cilat menaxhojnë Fondet e Investimit, që nuk janë gjë tjetër veçse sipërmarrje investimesh kolektive me ofertë publike. Ky lloj i institucioneve financiare jobankare është një risi për vendin tonë, sepse aktualisht operon vetëm një e tillë. Por në tregjet ndërkombëtare financiare, fondet e investimit janë aktorë kryesorë, të cilët menaxhojnë në rang global mbi 24 trilionë USD. Kjo shifër e jashtëzakonshme dëshmon potencën e këtyre institucioneve dhe rëndësinë e tyre për ekonominë botërore. Prandaj nuk kam asnjë dyshim që edhe rëndësia e këtyre institucioneve në vendin tonë shumë shpejt do të arrijë dimensione që sot nuk mund të imagjinohen.
Si po ecën “Raiffeisen Invest”, fondet e investimit që ajo menaxhon, kur tashmë po mbush një vit aktivitet?
Kjo shoqëri menaxhon fonde investimi që janë një grupim asetesh monetare përmes ofertës publike të shitjes së kuotave të fondit, asete të cilat më pas investohen në tregun financiar të brendshëm apo të huaj. Investimi i aseteve të fondit bëhet në mënyrë transparente sipas politikës së investimit të shoqërisë dhe dokumentit të quajtur “Prospekt”, i cili i jep investitorit të gjithë informacionin e nevojshëm për të bërë vlerësimet e duhura mbi strategjinë dhe objektivat e fondit, rreziqet dhe mundësitë për të fituar, tarifat e fondit, etj. Objektivi i politikës sonë të investimit është maksimizimi i fitimit për investitorin nga investimi në instrumente financiare në tregun e brendshëm apo të huaj, në përputhje me shkallën e caktuar të rrezikut që investitori merr përsipër me hyrjen në fond. Vlen të përmend vetëm nivelin e aseteve nën menaxhim, të cilët kanë tejkaluar shifrën e ekuivalentit të rreth 150 milionë eurove për ta ilustruar këtë sukses. Aktualisht ne menaxhojmë tre fonde: një fond pensioni vullnetar dhe dy fonde investimesh. Nga pikëpamja e menaxhimit të portofolit të investimeve, kemi bërë një punë shumë të mirë duke realizuar një kthim të lartë, çka shpjegon dhe rritjen e fondeve.
Ku dalloni me bankat?
Ashtu si bankat kërkojnë maksimizimin e depozitave të klientëve me qëllim përdorimin e fondeve për kreditim, ose investime në bono dhe obligacione thesari, etj., ashtu edhe institucionet financiare jo-banka punojnë për rritjen e sasisë së fondeve që klientët investojnë në fondet tona, të cilat më pas ne i investojmë në tregjet financiare. Dallimet mes aktivitetit tonë dhe atyre të bankave janë të shumta, por dëshiroj të fokusohem në dy prej tyre. Ne kemi një fokus të specializuar dhe njëdimensional: investimin e aseteve të klientëve tanë në instrumente financiare në tregun vendas dhe të huaj, me qëllim maksimizimin e fitimit për klientët tanë. Bankat, nga ana tjetër, janë të përfshira në shumë shërbime dhe produkte bankare si kredi, karta krediti, llogari rrjedhëse e depozita me afat, etj. Së dyti, ka dallim të dukshëm nga këndvështrimi i produkteve të investimit që ne ofrojmë krahasuar me bankat. Bankat aktualisht ofrojnë depozitat me afat si një produkt bankar me potencial fitimi tërheqës për klientët, kurse institucionet jo-banka, ofrojnë mundësi investimi përtej produkteve bankare, në formën e fondeve të investimit në lekë ose euro, dhe këto fonde investojnë në instrumente financiarë të larmishëm, të cilët tregtohen jo vetëm në vendin tonë, por edhe në bursat kryesore europiane, si p.sh. bono dhe obligacione të qeverive të ndryshme, kompanive të ndryshme të suksesshme, kuota të fondeve të tjera të investimit, etj.
Si mund të gjallërohet më tej tregu financiar në vend? Kujtoj se Bursa e Tiranës po mbush 20 vjet dhe ende nuk funksionon.
Zhvillimi i këtij tregu është një proces afatgjatë dhe jo i lehtë, sepse kërkon koordinim të reformave të ndërmarra në aspektin legjislativ e rregullativ, me investime serioze të institucioneve financiare që synojnë të jenë aktorët kryesorë të këtij tregu. Mendoj që është bërë një punë shumë e mirë nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si institucioni përgjegjës për institucionet financiare jobankare dhe tregun respektiv. Autoriteti e ka plotësuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe mbikëqyrës për aktivitetin e kompanive të investimit si “Raiffeisen Invest”, duke i hapur kështu rrugën zgjerimit të tregut. Natyrisht, përmirësimi dhe përqasja e legjislacionit, në sinkron me zhvillimet e vazhdueshme të tregjeve ndërkombëtare është një sfidë konstante. Mendoj që ka ardhur koha që në mënyrë graduale e të mirëmonitoruar, licencat për fondet e investimit t’u jepen edhe kompanive të tjera, përveç bankave, ashtu si veprohet dhe në vende të tjera.
Por fatkeqësisht, kuadri ligjor, i vetëm, nuk mjafton. Zhvillimi i tregut financiar në vend është vështirë të kuptohet pa një bursë funksionale, ku të shiten dhe të blihen publikisht si nga biznese dhe nga individë, instrumente financiarë lehtësisht të tregtueshëm. Vetëm kështu do të arrihet lëvizja e shpejtë dhe e lirë e kapitalit, duke iu përgjigjur në kohë reale dinamikës së zhvillimeve ekonomike në vend. Përpjekja e fundit serioze për të operuar në Bursën e Tiranës i përket mesit të viteve ‘90, dhe u bë nga Banka e Shqipërisë. Kanë kaluar pothuajse dy dekada, dhe mendoj që shanset për sukses do të jenë shumë më të larta nëse Ministria e Financave, e cila e ka nën administrim Bursën e Tiranës do të përpiqej seriozisht për të gjetur një formulë privatizimi për këtë bursë.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm do të ishte shtimi i numrit të emetuesve të instrumenteve financiare. Pra nuk ka arsye pse të jetë vetëm qeveria emetuese e bonove dhe obligacioneve, në rolin e huamarrësit. Bashkia e Tiranës, apo bashki të tjera të mëdha me aftësi ripaguese, mund të nxjerrin instrumente huamarrje në treg për të siguruar financim për projektet e tyre me kosto të arsyeshme. E njëjta gjë vlen dhe për bizneset e mëdha shqiptare, të cilat, në kushtet aktuale të kreditimit të kufizuar nga bankat mund të eksplorojnë mundësi të reja huamarrje, direkt nga publiku. Natyrisht mbetet për t’u parë interesi i publikut për këto lloj instrumentesh, dhe ky interes do të ishte dhe një tregues i perceptimit të investitorit për rrezikun që bashkitë dhe kompanitë vendase paraqesin.
Këto ide nuk janë ezauruese dhe do të nevojitet shumë më tepër se kaq për të rritur dhe për të sofistikuar tregun financiar shqiptar në nivele domethënëse të paktën në rajon, por mendoj që do të përbënin një pikënisje e përshtatshme.
Nuk kam asnjë dyshim që rëndësia e institucioneve financiare jo-banka në vendin tonë shumë shpejt do të arrijë dimensione që sot nuk mund të imagjinohen
Bursa
Zhvillimi i tregut financiar në vend është vështirë të kuptohet pa një bursë funksionale, ku të shiten dhe të blihen publikisht si nga biznese dhe nga individë, instrumente financiarë lehtësisht të tregtueshëm
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.