Nuk është e lehtë të strukturohet një ekonomi në kohë krize, por krizat kanë shërbyer shpesh si pikë kthese. Dobësitë e eksporteve janë shfaqur më qartë se kurrë në kohën kur dy kompani të mëdha në vend janë në kushte falimenti e lëndët e para janë nën kosto. Prodhues dhe ekonomistë sugjerojnë të mbështeten prodhimet “madhe in Albania” dhe të tërhiqen investimet në teknologji
Nga Albana Muçaj
Në rreth çerekshekulli, “fytyra” e eksporteve tona pak ka ndryshuar. Veshjet e këpucës që mbërrijnë në vendin tonë për t’u punuar e për t’u dërguar sërish në tregje (rieksporte) me gjithë luhatjet vijojnë të jenë lokomotiva e eksporteve tona. Nga një panoramë e ndërtuar në çdo pesëvjeçar të ekonomisë së tregut, vërehet se grupi i mallrave “veshje-këpucë” përbën fetën më të madhe të tortës së eksporteve. Nga 41% në 1995-n, shkoi në 64% pesë vite më vonë, për t’u ulur sërish më tej, e për të humbur vendin e parë në periudhën 2012-2014, por pesha e tyre u rikthye më e rëndësishmja sërish në 2015 dhe muajt e parë të 2016.
E nëse këto janë rieksporte me vlerë të ulët të shtuar, grupi i dytë më i rëndësishëm i mallrave është ai i burimeve të energjisë, dhe vetë energjisë elektrike. Këto eksporte kanë ecur sipas konjukturës ndërkombëtare të çmimeve e tekave të motit. Kur ka pasur reshje e përmbytje, feta e eksporteve të energjisë është zgjeruar, për t’u tkurrur një vit më vonë falë thatësirës. E nëse eksportet tona tregojnë se janë burim i rastësive natyrore kombinuar me krahun e lirë të punës (shpesh edhe në kushte informale) pak hapësirë u lihet politikave orientuese drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. Produktet që tregojnë shkallën e industrializimit tonë janë minimale, me peshë eksporti 1-2%.
Dobësia e eksporteveka bërë që pavarësisht ritmeve të rritjes, të mbeten larg importit. Pesha e tyre në raport me importin është dyfishuar në më shumë se 20 vite, por struktura e varfër ka bërë që me eksporte të mos mbulojmë as 50% të vlerës së importeve. Edhe pse eksportet shënuan një trend rritës deri në vitin 2014, deficiti tregtar vijoi të thellohet duke iu afruar rekordeve të shënuara në vitet 2008-2009.
Përveçse eksportojmë “rieksporte”, varfëria e eksporteve tona duket edhe te lëndët e para, pak të përpunuar e me vlerë të ulët të shtuar. Shqetësim që ekonomistët e kanë vënë shpesh në dukje. Faktet konkrete u dukën së fundi, kur çmimi i naftës dhe metaleve ra, duke bërë që eksportet tona të pësojnë rënie reale pas shumë vitesh rritje. Varësia e lartë nga tronditja e çmimeve në tregun ndërkombëtar ka ringjallur sërish shqetësimin, se ku duhet të orientohen eksportet tona. A duhet të vazhdojmë sërish me qepjen e veshjeve dhe këpucëve përkundrejt 160 eurove në muaj?! Duhet të vijojnë të eksportojmë krom e bakër të papërpunuar sapo të rritet sërish çmimi?! Pra do të vijojmë të jemi të varfër falë dembelizmit të mendjes për të prodhuar diçka me më vlerë?!
Pyetjes se ku duhen orientuar eksportet, u përgjigjen në sinkron ekonomistë e tregtarë: drejt mallrave me vlerë të shtuar, prodhime bujqësore “made in Albania” të thjeshta por me një marketing të mirë, e nga ana tjetër, zhvillimi i industrisë, teknologjisë. Ekonomistët mendojnë se qeveria duhet t’i orientojë eksportet drejt shërbimeve me vlerë të shtuara në industritë më të mira. Por, meqë duhen investitorë të huaj për ta bërë këtë, sugjerojnë që qeveria të punojë seriozisht në ngritjen e zonave të lira ekonomike. Prodhuesit janë më pragmatistë, duke kërkuar mbështetje, për të rritur direkt eksportet.
Bujqësia, streha ku ende duhet punuar
Vitin e kaluar, eksportet e prodhimeve bujqësore u rritën më shumë se 40%. Por në tërësi, sipas shifrave zyrtare, bujqësia pësoi rënien më të fortë, duke shënuar ulje për pesë tremujorë radhazi.
Ritmet e rritjes së sektorit kanë nisur të ngadalësohen qysh në vitin 2013, por në fund të vitit të kaluar, bujqësia pësoi një rënie sistematike, duke rënë me 1.9%. Ndaj, kontributi negativ i bujqësisë në rritjen ekonomike për tremujorin e fundit të 2015-s ka qenë 0.37%.
Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave. Pas shkëlqimit në dukje të rritjes së eksporteve në 2015-n, totali i prodhimit bujqësor ra me 0.93% më 2015-s, sipas të dhënave të INSTAT.
Në tremujorin e katërt forca e punës në bujqësi u tkurr me -3.1%, ndikuar nga emigracioni masiv i vitit të kaluar.
Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE-së, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.
Kjo ecuri tregon se vendi ndodhet ende në inercinë e trashëgimisë së para viteve‘90, pa mundur të modernizojë dhe të përshtatë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut. Ndërsa nuk kemi zhvilluar industrinë, puna e bërë me bujqësinë këto vite ka qenë minimaliste. Fermerët vijojnë të vuajnë plagën e vitit 1991, kur toka bujqësore u nda për frymë. Anemia e saj vijoi edhe nga financimet e ulëta publike dhe politikat fragmentare të zhvillimit. E gjithë kjo bërë që bujqësia jonë të mos marrë një “fytyrë” të vërtetë për atë çfarë, ku dhe si mund të eksportojë më mirë, ose të paktën të furnizojë në masë të madhe tregun e brendshëm. Bujqësia është shembulli tipik i sektorit, që edhe pse rritet në një krah, dobësohet në krahun tjetër. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
2016, rikthehet lulëzimi i tekstileve
Kriza ku janë përfshirë disa kompani të mëdha në vend dhe ulja e çmimeve të naftës e mineraleve bëri që rëndësinë ta marrin sërish tekstilet. Shpresa po kthehet tek industria që po lufton mes botës së modernizuar me çmime të ulëta dhe krahut të lirë punëtor. Kjo strukturë eksportesh duket shqetësuese për vitin 2016.
Të dhënat e para flasin për një ulje prej 5% të eksporteve me bazë vjetore në dy muajt e parë të vitit.
Efektin kryesor në këtë rënie e kanë shënuar “mineralet, lëndët djegëse dhe energjia”, por dhe grupet e tjera, me përjashtim të tekstile e këpucë dhe produkteve ushqimore.
Eksportet e tekstile e këpucëve janë grupi që po shënon ecurinë më të mirë në këto muaj të parë të vitit. Ky grup u rrit me 20%, duke përmirësuar ndjeshëm ecurinë në raport me vitin e kaluar. Industria me material porositësi është kthyer sërish në sektorin më të rëndësishëm të eksporteve shqiptare, me 51% të totalit, një rritje e ndjeshme në raport me vitin e kaluar, kur zinin 36%.
“Fasoni”, fytyra e Shqipërisë në botë
Një studim i fundit që paraqet trendet botërore për eksportet tregon hartën se çfarë eksporton secili shtet. Harta, e krijuar nga Banka amerikane e Merrill Lynch, me të dhënat e CIA World Factbook, tregon sipas ngjyrave tregtinë e jashtme kudo në botë.
Mes tregjeve eksportuese të naftës kryesojnë shtete të Azisë dhe Afrikës.
Raporti tregon se edhe shtetet që eksportojnë metalet dhe mineralet e çmuara luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë globale. Mes pak shteteve të tilla, dominon India.
Ndërsa vendet europiane, fokusin e tyre e kanë të drejtuar drejt makinerisë dhe transportit. Elektronika dominon në Kinë dhe SHBA, ndërsa ushqimi, pijet dhe tekstili dominon më tepër në pjesën tjetër të shteteve.
Harta e tregon Shqipërinë me ngjyrë të verdhë, eksporti kryesor i së cilës është grupi i tekstileve dhe këpucëve. Greqia mbahet për ushqim dhe pije, vendet e tjera të rajonit, kryesisht për metale dhe minerale.
Raporti citon se ka një ngadalësim të ndjeshëm të tregtisë së jashtme që nga kriza ekonomike e vitit 2008. Por edhe në sfidat botërore të bëra publike në Forumin Ekonomik Botëror tregohet se tregtia globale efektive dhe një sistem investimesh janë çelësi për nxitjen e rritjes ekonomike dhe përballjes me sfidat globale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.