Norma mesatare e ponderuar e kredisë së re mujore në lekë (për të gjitha afatet e maturimit) ka shënuar një rënie të ndjeshem gjatë muajit tetor, për të arritur në 9.1%, duke reflektuar pas më shumë se një viti politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Gjithsesi, ka qenë reduktimi i yield-it të letrave me vlerë të qeverisë, që shërbëjnë si normë referencë për caktimin e çmimit të kredisë, ajo që ka ndikuar në këtë tendencë rënëse. Pasi qëndruan të pandryshuara që nga fillimi i vitit (në rreth 7.35), yield-et e bonove të thesarit kanë shënuar rënie të ndjeshme duke filluar nga gushti, duke zbritur me rreth 1 pikë përqindjeje gjatë periudhës gusht-tetor.
Norma mesatare e ponderuar e kredisë së re mujore në euro (për të gjitha afatet e maturimit) ishte rreth 7.38% në tetor, duke shënuar një rritje të lehtë, sidomos në krahasim me muajin gusht, kur u shënuar niveli më i ulët i normave të huasë në monedhën e përbashkët për gjithë vitin e fundit. Gjithsesi, në raport me një vit më parë, interesat e kredive në euro kanë shënuar një rënie të lehtë me rreth gjysmë pikë përqindjeje.
Norma mesatare e depozitave 12 mujore në lekë arriti në 5.24% në muajin tetor, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me muajin shtator, kur nga depozitimi i parave për një vit mund të merrje 5.19% interes. Në krahasim me një vit më parë, interesat e depozitave në lekë kanë shënuar një rënie të lehtë, duke ndjekur politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur disa herë normën bazë të interesit gjatë vitit të fundit, duke e çuar aktualisht në 4%. Në tetor të një viti më parë, nga depozitimi i lekëve në bankë për 12 muaj mund të fitoje mesatarisht një interes prej 5.89%.
Statistikat e bankës qendrore tregojnë se norma mesatare e ponderuar e depozitave 12 mujore në euro arriti në tetor në 3%, duke shënuar një rritje të lehtë, në krahasim me nivelin e 2.96% në shtator. Përgjatë gjithë vitit të fundit, interesat e depozitave 12 mujore në euro janë luhatur në intervalin e 2.9-3.3%. Ato kanë mbetur relativisht të larta, pavarësisht se Banka Qendrore Europiane e ka ulur normën bazë të euros në nivele të ulëta historike, prej 0.75%, teksa bankat në Shqipëri përpiqen të grumbullojnë sa më shumë kursime në monedhën e përbashkët.
Norma mesatare e ponderuar e depozitave të reja 12 mujore në dollarë, në muajin tetor arriti në 2.59% në tetor 2012, me një rënie të lehtë në raport me një muaj më parë, kur ajo rezultoi 2.34%. Në krahasim me një vit më parë, interesat e depozitave në dollarë kanë shënuar një rritje të lehtë. Monedha amerikane vitet e fundit nuk ka qenë shumë e preferuar për kursimtarët shqiptarë, që e kanë zhvendosur preferencën e tyre tek euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.