Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-mars 2017 u dominua në masën 57.15% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 42.85% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Sipas të dhënave të AMF-së sa i përket numrit të transaksioneve, 94.76% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-mars 2017 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 58.19% dhe 30.93% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, për këtë periudhë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 100% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Dy grupet e transaksioneve B dhe C
Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-mars 2017, ka pasur një ulje prej 413 milionë lekë ose 19.44% krahasuar me periudhën janar-mars 2016. Gjithashtu dhe numri i transaksioneve është ulur në masën 46.37%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-mars 2017 ka pasur ulje prej 291 milionë lekë ose 35.88% dhe gjithashtu, një ulje në numrin e transaksioneve në masën 19.05%, krahasuar me periudhën janar-mars 2016
Vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 704 milionë lekë, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.