Për dy muajt e parë të vitit 2017 tregu i sigurimeve të Jo-Jetës shënoi rritje të primeve të shkruara bruto me rreth 26% ose rreth 2.2 miliardë lekë. Zgjerimi ka ardhur kryesisht për shkak të sigurimit të detyrueshëm i cili u rrit me rreth 22% ose rreth 1.4 miliardë lekë.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për periudhën janar – shkurt 2017, TPL-ja pati rritje me rreth 26.2% të volumit të primeve të shkruara bruto. Nga ana tjetër kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 23.20% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016.
Gjatë periudhës janar- shkurt 2017, tarifat TPL patën luhatje, por që zyrtarisht nuk u reflektua. Sigurimi i detyrueshëm në fund të muajit shkurt zuri rreth 65% të totalit të këtij segmenti tregu. Sipas të dhënave të AMF-së vihet re se gjatë kësaj periudhe pati rritje të ndjeshme të sigurimit të aksidenteve, e cila për periudhën janar – shkurt 2017 zuri rreth 6.3% nga rreth 3% zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo i dedikohet edhe shtimit të sigurimit që janë bërë për shkak të ndërtimit të gazsjellësit TAP.
Sipas të dhënave të AMF-së pothuajse të gjitha shoqëritë e sigurimeve (përjashtim vetëm dy) patën rritje dyshifrore të primeve. Rritje patën edhe dëmet e paguara me rreth 55% ose në rreth 787 milionë lekë.
Sa i përket ecurisë së shoqërive që operojnë në këtë treg, sipas të dhënave të AMF-së vihet re se Sigal Uniqa Group Austria gjatë periudhës janar – shkurt 2017 pati rënie të zotërimeve në 28.1% nga rreth 29.3% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa Eurosig shënoi rritje në rreth 17% të zotërimit nga rreth 16% që zinte një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.