Monedha amerikane ka arritur sot në tregun vendas jo vetëm në nivelin më të lartë të këtij viti, por edhe rekordin në 11 vjet, që nga viti 2003.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 114.2 lekë, me një rritje të fortë prej 0.46 lekë në krahasim me një vit më parë. Hera e fundit që monedha e gjelbër është kuotuar në këto nivele në tregun vendas ka qenë në shtator 2003. Pas 20 shtatorit të atij viti, sipas arkivës së kursit të mbajtur nga Banka e Shqipërisë, kur ishte rreth 115 lekë, dollari nuk është asnjëherë në këto nivele.
Edhe euro ka mbetur e fortë në tregun e brendshëm. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbëhej sot me 140.22 lekë, vetëm 0.03 lekë më pak se një ditë më parë.
Tregu vendas duket se ka reflektuar ndryshimet në burst ndërkombëtare. Treguesi i dollarit ishte 0.1 për qind larg nganiveli më i lartë në pesë vjetë si pasojë e spekulimeve se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit vitin e ardhshëm pas heqjes dorë nga premtimi për ti mbajtur ato të ulëta për një ‘kohë të konsiderueshme’. Monedha amerikane u tregtua në 1.2336 dollarë për euro.
Aktorët e tregut pohojnë se në tregun e brendshëm vazhdon tendenca ku forcimi i dollarit në bursa transmetohet vetëm përmes rritjes së tij në tregun e brendshëm, ndërkohë që euro nuk bie, si rrjedhojë e kërkesës së lartë për monedhën e përbashkët nga tregtarët që bëjnë blerjet për festat e fundvitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.