Turdiu: Ballkani me 1 milion vende të reja të punës deri më 2020-n

10/07/2017 9:20 AM 0 komente
gazmend turdiu

Nga viti 2010 deri në vitin 2015 në Ballkan janë krijuar 400 mijë vende të reja të punës. Objektivi deri në vitin 2020 është një milion. Zëvendëssekretari i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Gazmend Turdiu, beson se ky synim është i mundur

Prej vitit 2010 deri më sot Kosova ka pësuar një rënie drastike të investimeve të huaja prej 35 për qind apo 369 milionë euro. E sipas zëvendëssekretarit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal Gazmend Turdiut, i cili ka dhënë një intervistë për gazetën “Zëri” në Dubrovnik, ka shumë faktorë që ndikojnë në thithjen e investimeve të huaja.

Por mbi të gjitha, sipas tij, është stabiliteti politik dhe sistemi gjyqësor. Megjithatë ai ka nënvizuar faktin se trendi ekonomik viteve të fundit në Ballkan është pozitiv.

“Kam përshtypjen që vitet e para të zbatimit të strategjisë 2020 ishin vite të krizës. Të gjitha vendet e rajonit kishin shifra negative. Nuk kishte rritje ekonomike. Sot që po flasim, i gjithë rajoni është në shifra pozitive. Rritja është modeste, mirëpo të gjitha janë shifra pozitive”, ka thënë Turdiu.

Më tutje ai ka folur edhe për rëndësinë e relaksimit të marrëdhënieve në mes të shteteve të rajonit, të cilat ndihmojnë në bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.

Ndërkohë, ai ka ritheksuar se beson fuqishëm në arritjen e objektivit 2020 për një milion vende të reja të punës deri në Ballkan. “Nuk ka asnjë arsye që nëse në pesë vjetët e para kemi arritur 57 për qind të objektivit, kur gjendja ekonomike është e ndryshme sepse ka filluar rritja, me siguri rajoni do të arrijë në objektivin e 1 milion vendeve të reja të punës për vitin 2020”, ka thënë ai.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz