Vazhdon përralla, Leicester City në çerekfinalet e Champions

15/03/2017 11:11 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
leicestercity

Leicester vazhdon rrugëtimin e jashtëzakonshëm duke u kualifikuar për në 8 më të mirët e Europës. Pavarësisht largimit të Claudio Ranieri-t, Leicester-i është “Hirushja” e këtij sezoni në Champions League. Vështirësitë e shumta në këtë sezon në kampionat, nuk e ndalën ëndrrën e kampionëve në fuqi të Anglisë dhe i vetmi që e pësoi ishte tekniku italian. Trajneri i përkohshëm (ish-ndihmës trajner), Craig Shakespeare, u konfirmua para disa ditësh deri në fund të këtij sezoni futbollistik nga drejtuesit e klubit.

Me marrjen e drejtimit prej tij, skuadra ka arritur t’i fitojë të tria ndeshjet e deritanishme, duke mundur fillimisht Liverpulin dhe Hull City-n në Premier League, ndërsa mbrëmë fituan me rezultatin e pastër 2-0 duke nxjerrë jashtë kompeticionit më të rëndësishëm për Klube, spanjollët e Seviljes.

Pikërisht lojtarët kryesorë të skuadrës, të cilët mendohet se ishin iniciatorët e largimit të Ranieri-t, mbrëmë e dërguan skuadrën në çerekfinale. Golat e shënuar nga kapiteni Wes Morgan (i pari gol i shënuar nga një futbollist nga Xhamajka në Champions) dhe mesfushori Marc Albrighton ndihmuan Leicester-in të përmbysë humbjen minimale në Sevilje.

Por protagonisti kryesor mbetet portieri Kasper Schmeichel, i cili ashtu si në ndeshjen e parë u shndërrua në hero duke pritur sërish një 11-metërsh në të 80’, që mund ta çonte ndeshjen në kohën shtesë.

leicesterSevilja, pas pësimit të golit të dytë, humbi qetësinë dhe mesfushori francez, Samir Nasri mori kartonin e dytë të verdhë duke e lënë skuadrën nga Andaluzia me 10 lojtarë. Gjithashtu pak minuta më pas edhe trajneri Jorge Sampaoli u detyrua ta lërë pankinën përpara kohe, pas protestave ndaj arbitrit italian Orsato.

Në pjesëmarrjen e saj të parë në UEFA Champions League, Leicester City arrin një sukses të jashtëzakonshëm duke qenë një prej tetë skuadrave më të mira në Europë. Një sukses ky aq historik, sa dhe ekonomik për “Dhelprat”, që tanimë ëndërrojnë triumfin në Europë pas mrekullisë së vitit të shkuar në Premier League.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz