E PERDITESUAR/ Duke filluar nga data 1 gusht, rreth 606 mijë qytetarë do të përfitojnë pension më të lartë. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, e cila vendosi të rrisë me 2%, që në vitin e saj të parë, pensionet e plota, të pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe familjare, pensionet për vjetërsi shërbimi, si në qytet ashtu edhe në fshat.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se, në të njëjtën masë, rriten edhe pensionet suplementare për ushtarakët, policinë e shtetit, punonjësve të gardës, shërbimit informativ të shtetit, policisë së burgjeve, zjarrfikësit dhe shërbimit të kontrollit të brendshëm, të punonjësve me tituj shkencorë, si edhe trajtimet e veçanta financiare të pilotëve, ish-detarëve, të ish punonjësvë të industrisë ushtarake, trajtimet e veçanta financiare të ish-minatorëve.
“Ndonëse rritja e indeksit të çmimeve të konsumit, siç është deklaruar këto ditë nga INSTAT-i, ka qenë në masën 1.6%, Qeveria vendosi që pensionet të rriten në masën 2%, pra më shumë se sa inflacioni. Në këtë mënyrë, nuk do të kemi vetëm indeksim, pra rritje nominale të pensioneve, por edhe rritje reale të pensioneve”, tha ai në konferencën e sotme për shtyp. Nga rritja e pensioneve përfitojnë rreth 606 mijë qytetarë, nga të cilët 427 mijë janë pensionistë të qytetit, 150 mijë janë të fshatit, dhe 29 mijë janë përfitime të tjera për kategoritë e sipër-përmendura.
Nga ana tjetër, ministri Veliaj nënvizoi se javën e ardhshme, në komisionet parlamentare do të diskutohet reforma e pensioneve dhe kjo rritje që bëhet sot është në kohezion me këtë reformë. Sipas tij, është deklaruar vazhdimisht se reforma do të ruajë të drejtat e fituara dhe në varësi të hapësirës financiare, do të ketë vazhdimisht indeksim dhe rritje të pensioneve ekzistuese. Duke bërë një prezantim të ndryshimeve që sjell reforma e pensioneve, z. Veliaj deklaroi se ajo është reforma e rritjes reale të pensioneve.
“Vlen të theksohet se efektet e reformës kanë filluar të ndihen që tani, pasi heqja e pensionit tavan dhe lidhja e kontributeve me benefitet ka bërë që të rritet interesi i të punësuarve për të qenë pjesë e skemës e për të deklaruar pagën e tyre reale. Këtë e vërtetojnë, jo vetëm dëshmitë e partnerëve socialë, por edhe shifrat e Drejtorisë së Tatimeve. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, numri i të siguruarve në sektorin privat ka qenë 43,879 persona më shumë sesa tremujori i parë i vitit të kaluar”, shtoi ai.
Sipas tij, një nga parimet kryesore të reformës është vendosja e drejtësisë sociale dhe bazohet mbi postulatin “haka tek i zoti”, duke i dhënë fund praktikës së deritanishme ku pensioni maksimal arrihej me pagën 380 mijë lek e çdo qindarkë e kontribuar mbi këtë pagë nuk reflektohej në pension. “Ne kemi menduar edhe për kategoritë më vulnerabël e në nevojë, që janë ata qytetarë që rrezikojnë të mos përfitojnë fare pension, dhe kemi vendosur pensionin social për këtë kategori. Vitin që vjen këtë pension do ta përfitojnë rreth 5 mijë vetë”, u shpreh ministri Veliaj.
Gjithashtu, MMSR-ja ka intensifikuar punën edhe për pensionet e emigrantëve dhe përveç marrëveshjes me Belgjikën, e cila u ratifikua këtë vit nga Kuvendi, ka përfunduar marrëveshjet me Kanadanë, Hungarinë, Rumaninë dhe Luksemburgun. Ndërkohë, po zhvillohen negociata me Maqedoninë, Çekinë, ndërsa parashikohet që Brenda vitit të ardhshëm të përfundojnë edhe marrëveshjet me shtete të tjera si Austria, Gjermania, Spanja etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.