Pavarësisht një tendence për t’u ankuar, duket se pjesa më e madhe e njerëzve aktualisht janë të kënaqur me punën e tyre.
Sipas Edenred-Ipsos Barometer i cili mori në vëzhgim më shumë se 14 mijë persona në 15 vende në lidhje me mirëqenien në punë, mesatarisht 71% e të punësuarve raportuan se ndiheshin pozitivë rreth punës së tyre.
Por niveli i lumturisë në vendin e punës varion në mënyrë të konsiderueshme nga njëri vend në tjetrin; 88% e të punësuarve nga India të pyetur në këtë sondazh thanë se ata ndiheshin pozitivë rreth punës së tyre krahasuar me 44% të të punësuarve në Japoni.
Në vend të dytë të klasifikimit është Meksika, me 81%, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, Kili dhe Brazili në vend të tretë, me 77%.
Punonjësit në sondazh u pyetën për rreth 10 çështje që lidhen me punën e tyre, të ndara në 3 shtylla: mjedisi i punës, vlerësimi dhe emocioni.
Mesatarisht punonjësit janë më të kënaqur me çështje që lidhen me ambientin e punës, duke përfshirë pajisjet, balancën punë – jetë dhe të pasurit e një ideje se çfarë pritet prej tyre. Çështjet që lidhen me vlerësimin dhe emocionin kanë marrë më pak pikë.
India, Meksika, Brazili dhe Kili renditen të parat për çështjet që lidhen me mirëqenien në punë – më specifikisht për kënaqësinë emocionale. Ekspertët e lidhin këtë me kënaqësinë të shkuarit në punë në mëngjes, interesin në punë dhe besimin në të ardhmen profesionale.
Vendet me rezultate më të ekuilibruara në të tria kategoritë ishin Spanja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja, edhe pse kërkuesit panë se ambientet e punës në këto shtete karakterizoheshin nga një mungesë emocioni.
Belgjika, Franca dhe Gjermania gjithashtu kanë rezultate mjaft të balancuara. Megjithatë të punësuarit raportuan mungesë vlerësimi – për shembull nuk është treguar respekti i duhur nga nivelet më të larta drejtuese.
Në fund të klasifikimit është Japonia, ku të punësuarit raportuan nivele të ulëta të kënaqësisë në punë sesa mesatarja botërore. Megjithatë, kënaqësia për ambientin e tyre të punës është më e lartë, me punëmarrës që thonë se kanë një ide të qartë se çfarë pritej prej tyre.