Ndërsa ekonomia europiane dhe ajo rajonale po i rikthehen rritjes, Shqipëria pritet të vazhdojë të ecë me hapa të ngadaltë edhe në afatin e mesëm. Parashikimet jo optimiste në kuadrin afatmesëm 2014-2017 tregojnë se nuk pritet ndonjë përmirësim i dukshëm, sidomos në rendimentin e mbledhjes së të ardhurave, pavarësisht rritjes së barrës së taksave…
Nga Ornela Liperi
Për vite me radhë, financat kanë parashikuar në buxhetet e tyre afatmesme, që të ardhurat në buxhet, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të kalojnë nivelin e 27% të PBB-së. Objektiv që nuk është arritur ndonjëherë dhe gjithnjë është rishikuar në reduktim, edhe pse ai është më i ulëti në rajon (mesatarja e vendeve të rajonit është rreth 30-35% të PBB-së), duke reflektuar informalitetin e lartë në vend.
Viti më i mirë deri tani, sipas të dhënave historike të Ministrisë së Financave është 2010-a, me të hyra në buxhet prej 26.6% të PBB-së dhe vetëm në 2017-n pritet të tejkalohet ky nivel, duke arritur në 27.1% të PBB-së.
Ministria e Financave sapo ka botuar kuadrin makroekonomik e fiskal për periudhën 2014-2017, publikimi i parë afatgjatë i qeverisë së re, ku vendosen objektiva konkretë sasiorë se ku pritet të shkojë ekonomia për katër vitet e ardhshme.
Pas një rritjeje minimale të pritshme prej 0.7% këtë vit (që është rishikuar disa herë në ulje nga 1.2% që prisnin të majtët kur erdhën në pushtet), ekonomia pritet të fillojë të rimëkëmbet gradualisht, për t’u zgjeruar me 2.1% në 2014-n, për të rimarrë ritmet në 4.5% në 2017-n. Ky nivel rritjeje në afatin e mesëm është gjithsesi më i lartë se parashikimet e institucioneve ndërkombëtare (Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore), të cilat presin që mesatarisht në afatin e mesëm ekonomia e vogël e Shqipërisë të shtrihet me një mesatare vjetore prej rreth 2%.
Papunësia, pasi u rishikua me anketën e forcave të punës dhe vlerësohet të ketë arritur në një nivel rekord prej 16.9% në 2013-n, pritet të zbresë gradualisht, për të arritur në 12.1% në 2017-n.
Të ardhurat, rritje e ngadalë
Të ardhurat në buxhet pritet të rriten gradualisht nga 24% e PBB-së në 2013 (niveli më i ulët i dekadës së fundit) në 25.7% në 2014 për t’u ngjitur deri në 27.1% të PBB-së në 2017-n.
“Barra” te TVSH, por do mblidhet më pak se në 2008-2009
TVSH do të vazhdojë të jetë kontribuuesi kryesor i të ardhurave në buxhet. Sipas pritshmërive të Ministrisë së Financave, pasi kanë zbritur në 8% të PBB-së në 2013-n, do të rriten gradualisht për të arritur në 9% të PBB-së në 2017-n.
Gjithsesi, ato në afatin e mesëm nuk pritet që të arrijnë në nivelet e 2008-s dhe 2009-s, kur ishin përkatësisht 9.6% dhe 9.3% e PBB-së.
Në 2013-n, të ardhurat nga TVSH ranë ndjeshëm, duke ndikuar negativisht të gjithë performancën e të hyrave buxhetore dhe duke reflektuar tkurrjen e qarkullimit në ekonomi për shkak të krizës ekonomike.
Të ardhurat nga tatimfitimi, njësoj si kur taksa ishte 10%
Në 2013-n, të ardhurat nga tatimfitimi reflektuan krizën ekonomike dhe tkurrjen e aktiviteteve të bizneseve, duke zbritur në nivelin më të ulët historik të viteve të fundit, për të arritur në vetëm 1.1% të PBB-së, nga 1.3% që ishte ky rezultat në 2012-n.
Në parashikimin e tyre, financat presin që të hyrat nga taksa mbi korporatat të rriten ndjeshëm vitin e ardhshëm, në 1.6% të PBB-së për të qëndruar pothuajse në këto nivele në afatin e mesëm. Parashikimi optimist lidhet me rritjen e nivelit të tatimfitimit nga 10 në 15%, për bizneset e mëdha, që ka hyrë tashmë në fuqi nga 1 janari 2014.
Por, pavarësisht zgjerimit, ky zë në buxhet pritet të sjellë në raport me prodhimin e përgjithshëm po aq të ardhura sa në periudhën 2008-2009, kur niveli i tatimfitimit ishte 10%.
Të hyrat nga tatimi mbi korporatat mbeten gjithsesi shumë poshtë nivelit prej 2.5% të PBB-së që ishin në 2006-n, përpara se të hynte në fuqi taksa e sheshtë, që e zbriti këtë tatim nga 25% në 10%.
Akciza, të ardhurat do të rriten ndjeshëm
Me rritjen e ndjeshme të akcizave, në linjë me vendet e tjera europiane, edhe të hyrat nga ky zë në buxhet pritet që të shtohen ndjeshëm.
Sipas parashikimeve të financave, nga 2.8% e PBB-së që vlerësohet të kenë arritur në 2013-n (me tkurrje me bazë vjetore, si reflektimin e rënies së qarkullimit të mallrave në ekonomi), ky zë pritet të kërcejë në 3.4% të PBB-së në 2014-n, për të arritur në gati 4% në 2017-n, niveli më i lartë i pritshëm historik.
Në paketën e fundit fiskale, u rritën akcizat për një sërë produktesh, si nafta, kafeja, birra, ndërkohë që për herë të parë u vendos dhe akciza për pijet energjike.
Tatimi mbi pagën, pa shumë ndryshime
Taksat që bizneset dhe individët pritet të paguajnë mbi të ardhurat e tyre personale pritet që të mbeten pa shumë ndryshime, pak a shumë në nivelin e 2-2.2% të PBB-së.
Paketa e re fiskale, në fillim të 2014-s ktheu sërish taksën progresive, fillimisht për të ardhurat nga paga, ndërsa pritet që në vitet në vijim, ai të shtrihet dhe mbi lloje të tjera fitimesh.
Të ardhurat në buxhet nga ky zë u rritën ndjeshëm, nga 1% e PBB-së në 2006-n, në 2.2% të PBB-së në 2008-n, pas vendosjes së taksës së sheshtë prej 10%, e cila solli automatikisht shtim të tatimit për të gjithë ata që kishin paga të ulëta.
Sigurimet, të ardhurat që i mungojnë buxhetit
Nëse ka një zë në buxhet, ku financat kanë hapësirë për të rritur të ardhurat, është ai i të ardhurave nga sigurimet shoqërore, teksa ai është 4-5 pikë përqindjeje më i ulët se i vendeve të tjera në rajon, duke qenë mesatarisht në rreth 4% të PBB-së, nga 9-10% që e kanë shtetet fqinjë me ne. Ky nivel i ulët reflekton informalitetin e madh në tregun e punës, në dy drejtime: së pari, pagat deklarohen shumë më të ulëta sesa janë realisht dhe së dyti, numri i atyre që punojnë në të zezë është shumë i lartë.
Por, në programin afatmesëm të qeverisë, pritshmëritë për të hyrat nga ky zë nuk janë aspak ambicioze. Ato mbeten në nivelin e 3.8-3.9% të PBB-së, duke mos shënuar aspak rritje në afatin e mesëm.
Nëse do të mblidheshin të paktën me të njëjtin nivel me rajonin, buxhetit do t’i shtoheshin në vit edhe rreth 370 milionë euro, duke zbutur ndjeshëm skemën e deficitit të pensioneve, e cila sot është pothuajse e falimentuar dhe po detyron qeverinë që të marrë në konsideratë rritjen e moshës së pensionit te gratë në 65 vjeç nga 60 që është sot, dhe nga 65 në 66 vjeç për burrat, veprim ky që mund të ketë pasoja sociale.
Financat kanë si objektiv kryesor në afatin e mesëm që të ulin deficitin strukturor, i cili do të siguronte qëndrueshmërinë e borxhit publik në afatin e mesëm dhe të gjatë nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të minimizonte efektet negative tek rritja ekonomike.
Sipas programit ekonomik dhe fiskal 2014, objektivi kryesor operacional sasior i politikës fiskale është që deficiti fiskal të jetë përkatësisht sipas niveleve të mëposhtme për secilin vit:
– 6.7% e PBB-së në 2014
– 4.8% e PBB-së në 2015
– 3.4% e PBB-së në 2016
Ministria e Financave thekson se ky objektiv do të korrektohet në varësi të ciklit ekonomik, duke nënkuptuar që objektivi për deficitin fiskal do të zgjatet në rast se ekonomia performon poshtë parashikimit aktual dhe anasjelltas.
Financat theksojnë se brenda këtij niveli deficiti, për tre vitet e ardhshme do të përfshihet pagesa e plotë e detyrimeve të akumuluara që qeveria ka ndaj sektorit privat, i cili është një prioritet dhe një nga elementët kryesorë të politikës fiskale për periudhën afatmesme.
Investimet publike pritet që të mbahen në nivelin e 5% të PBB-së, që financat theksojnë se është optimal për të mbështetur një rritje të qëndrueshme dhe stabël.
Borxhi arrin në 70.5% të PBB-së në 2013-n
Borxhi publik vlerësohet të ketë arritur në 70.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të vitit 2013, sipas rishikimeve më të fundit të Ministrisë së Financave, botuar në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal 2015-2017. Ky është një vlerësim më i lartë se pritshmëria fillestare e shtatorit e qeverisë së re prej 68% të PBB-së, që përfshinte dhe llogaritjen e detyrimeve që qeveria ka ndaj biznesit. Në krahasim me 2012-n ka një kërcim me 8 pikë përqindje (nga 62%).
Arsyeja kryesore e shtimit të borxhit është vlerësimi i detyrimeve të qeverisë, me borxhin jashtë treguesve fiskalë që vlerësohet në 9.2% të PBB-së dhe atë të qeverisë së përgjithshme që rezulton 61.3%. Qeveria ka vlerësuar që detyrimi i papaguar ndaj bizneseve është 24.6 miliardë lekë vetëm për punët publike, dhe është angazhuar që në buxhetin 2014 të shlyejë 35 miliardë lekë detyrime për punën publike dhe TVSH-në e parimbursuar.
Borxhi do të vijojë rritjen dhe në 2014-n, për të shkuar në 72% të PBB-së dhe pas këtij viti parashikohet zbritja, përkatësisht në 71.7 dhe 69.2 në 2015 dhe 2016 për të arritur në 65% të PBB-së në 2017-n.
Shpenzimet për interesa do të vijojnë të jenë të larta në afatin e mesëm, duke reflektuar borxhin e lartë. Ato pritet të arrijnë në 3.7% të PBB-së, një nivel rekord.
Buxheti pritet të kalojë në suficit primar (deficit duke hequr shpenzimet për interesa, që do t’i mundësonte qeverisë të reduktonte më shpejt borxhin) vetëm në 2016-n. Në 2013-n, buxheti rezultoi me një deficit primar prej -2.9%, që pritet të rritet në -3.1% në 2014-n.
Parashikimi: Sektorët me rritjen më të lartë në 2014-2016; kryesojnë shërbimet
Ministria e Financave ka publikuar pritshmërinë për ecurinë e sektorëve kryesorë të ekonomisë për periudhën afatmesme 2014-2016, ku ndikimin kryesor në rritje pritet ta kenë shërbimet, bujqësia e industria.
Prodhimi bujqësor, duke marrë në konsideratë që kushtet klimaterike do të jenë normale, është parashikuar që të rritet çdo vit mesatarisht me 4.4% për periudhën 2014–2016, me një kontribut mesatar në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 0.9 pikë përqindjeje (p.p.)
Prodhimi industrial, përfshirë industrinë nxjerrëse dhe prodhuese, parashikohet të rritet mesatarisht me 6.1% për vit në afatin e mesëm, duke kontribuar mesatarisht me 0.7 p.p. në rritjen e parashikuar të PBB-së.
Ndërtimi pritet që të vazhdojë me rënie në 2014-n, megjithëse më të moderuar se në vitet e mëparshme dhe parashikohet që t’i rikthehet zgjerimit pozitiv në vitet 2015 dhe 2016.
Mesatarisht ndërtimi pritet që të rritet me terma realë me 1.5% gjatë 2014–2016, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e përgjithshme ekonomike me mesatarisht 0.1 p.p. në vit.
Shërbimet pritet të rriten mesatarisht me 2.7% në vit gjatë periudhës afatmesme 2014–2016, duke kontribuar mesatarisht me 1.4 p.p. në vit në zgjerimin e përgjithshëm ekonomik. Kontributi kryesor pritet nga Shërbime të Tjera. Tregtia, hotelet dhe restorantet pritet gjithashtu që të kenë kontribut në rritje në afatin e mesëm.
Financat presin që në bazë të parashikimeve të mësipërme të kërkesës dhe ofertës, rritja ekonomike reale për 2014-n të jetë 2.1%; 3.3% në 2015; dhe 4.2% në 2016.
Kreditë e këqija për biznesin arrijnë në 28.6%
Niveli i kredive të këqija për sektorin e biznesit arriti në 28.6% në fund të shtatorit 2013, nga 25.9% në fund të vitit 2012, duke qenë më i lartë se mesatarja e të gjithë sistemit prej rreth 24%.
Shifra bëhet e ditur në programin ekonomik dhe fiskal 2014, të publikuar nga Ministria e Financave. Në nivele të larta është dhe huaja e pakthyer në monedhë të huaj, që ka arritur në 26.2% të totalit për të njëjtën periudhë, nga 24.7% në dhjetor 2012.
Sipas financave, rreziku i kredisë përfaqëson sfidën më të madhe për sektorin bankar. Rritja e ngadaltë e ekonomisë është faktori kryesor i rritjes së rrezikut të kredisë në bilancet e bankave. Pasiguria rreth zhvillimit ekonomik, kushtet e dobëta të tregut të punës, luhatshmëria e remitancave dhe të ardhurave dhe problemet strukturore janë disa nga faktorët, që sipas raportit, kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së kredisë, si për individët ashtu dhe për bizneset.
Raporti thekson se sektori bankar është më shumë i ekspozuar ndaj rrezikut të kredisë për huatë në monedhë të huaj dhe ato që i janë dhënë sektorit privat. Stoku i kredisë në monedhë të huaj, ku të ardhurat e huamarrësit janë në monedhën vendase llogariten për 31.1% të huasë totale.
Huatë e pakthyera në afat u rritën me një shpejtësi të madhe në vend, që nga 2008-a, kur ato ishin vetëm 6.5%, duke nxjerrë në pah si krizën që preku bizneset e individët, ashtu dhe dhënien e huave të pastudiuara mirë.
Me nivelin e kredive me probleme (NPL), që po i afrohet 25% të totalit, Shqipëria paraqitet në krye të listës së vendeve me tregues të lartë të NLP-së.
Sipas të dhënave të publikuara nga BERZH, i vetmi shtet në të gjithë Europën Qendrore e Lindore, që i ka NPL-të më të lartë se Shqipëria, është Kazakistani, me 36.7%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.